Forcimi i cilësisë së auditimit dhe raportimit, 2.3 milionë euro nga Banka Botërore

Qeveria shqiptare pritet të mbështetet me një fond të ri prej 2.3 milionë eurosh nga Banka Botërore për një fazë të tretë të projektit të lidhur me forcimin e cilësisë së auditimit dhe raportimit.
Një koncept i vlerësimit social dhe mjedisor të projektit, publikuar nga Banka Botërore nënvizon se do të mbahet parasysh një kohëzgjatje prej 5 vjetësh dhe nga totali i financimit 1.5 milionë euro do të shkojnë në funksion të aktiviteteve që do të zbatohen, kurse 0.8 milionë euro aktivitete të ekzekutuara nga banka. Ministria e Financave do të jetë edhe autoriteti që do të mbajë peshën e zbatimit të projektit së bashku me disa hallka të tjera institucionale.
Projekti synon të forcojë kapacitetet e institucioneve qeveritare, rregullatorëve, sistemit gjyqësor dhe profesionit të kontabilistit në sigurimin e përmirësimit të vazhdueshëm, zbatimit dhe vendosjes së kornizave të raportimit financiar të korporatave. Në këtë pikë nuk ka aktivitete që kanë ndikim ose rrezik mjedisor apo social shoqërues. Niveli i propozuar i rrezikut për projektin është i ulët” vlerëson Banka në raportin e publikuar.
Çfarë do të mbështesë projekti
Banka Botërore vlerëson se projekti i propozuar synon të mbështesë reformën dhe zhvillimin e raportimit financiar dhe auditimit në Shqipëri në disa aspekte. Kështu së pari do të mbështetet forcimi i institucioneve ekzistuese dhe funksioneve të raportimit financiar të korporatave.
Së dyti, ndërtimi i kapaciteteve të sistemit gjyqësor. Së treti, ndërtimi i kapacitetit profesional të kontabilistit, si dhe sigurimi i një ndërgjegjësimi më të gjerë publik për rëndësinë themelore të të pasurit standarde më të larta të raportimit financiar në Shqipëri.
“Komponentët e projektit janë:
(i) Përforcimi i Vendosjes së Standardeve, Mbikëqyrja dhe Provimet;
(ii) Kërkim & Zhvillim si dhe Ndërgjegjësim Publik;
(iii) Përgjegjësia financiare, kontrollet dhe transparenca në ndërmarrjet shtetërore;
(iv) Forcimi i profesionit të kontabilistit dhe ndërtimi i kapaciteteve në sistemi gjyqësor; dhe
(v) Menaxhimi i projektit, forcimi i kapacitetit të reformës, monitorimi dhe vlerësimi” thuhet në dokumentin e BB. /N.Maho
Komente