Me ritme më të ulëta se sa pritej po rritet konsumi i ujit të ambalazhuar. Por, ndryshe nga vetëm pak vite më parë, prodhimi vendas po kryeson në tryezat e familjeve e në shërbimet bar-restorante. Prodhimi u rrit mbi 18%, ndërsa tregu, në total, vetëm 0.5%
Pas barrës që solli taksa e ambalazhit të ujit gati dy vite më parë, tashmë tregu ka rifilluar të shkelë në një terren më të qëndrueshëm e të favorshëm.
Gjysma e parë e vitit ka qenë e mbarë për stabilimentet më të mëdha të prodhimit e ambalazhimit të ujit, ndonëse sipërmarrësit nuk lënë pa theksuar efektet e krizës, të cilat i kanë ndier përmes sjelljes së blerësve.
“Këtë vit, uji ‘Tepelena’ po ecën shumë mirë krahasuar me një vit më parë dhe regjistrojmë një rritje mbi 10% të shitjeve”, thotë administratori i ujit “Tepelena”, z. Luciano Cirillo.
Rritje edhe më të lartë të shitjeve raporton drejtorja ekzekutive e ujit “Qafshtama”. Sipas saj, “rritja e volumit të shitjeve vazhdon me ritme të larta, mbi 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”. Për këtë stabiliment, edhe viti i kaluar vlerësohet të ketë qenë më i mbarë. “E njëjta tendencë ekspansioni është konstatuar edhe në vitin 2011 kundrejt 2010-s, pra në tërësi, ritmi i zhvillimit është i kënaqshëm për ne”, vlerëson Eda Leka.
Muajt e fundit po rezultojnë të favorshëm edhe për prodhues të tjerë e importues të ujit, çka paralajmërojnë një rritje të dukshme të tregut për këtë vit.
Në fakt, me gjithë tendencën e blerësve për të tkurrur shpenzimet e konsumit e si pasojë vështirësitë që mund të kenë hasur operatorët në këtë sektor, vitin e kaluar, tregu i ujit njohu rritje të lehtë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, mes prodhimit dhe importit (ndërsa eksporti është pothuajse i pandjeshëm, vetëm 2.5% e prodhimit) tregu u rrit 0.5%. Sasia e prodhuar dhe e importuar gjatë vitit 2011 ishte mbi 1 milion hektolitra.
Në garën për treg, të dhënat zyrtare nxjerrin “fitimtarë” prodhuesit vendas, të cilët rritën më tepër prodhimin dhe konkurruan ujin e importuar.
Të dhënat zyrtare të prodhimit të agroindustrisë tregojnë se prodhimi i ujit mineral e atij të gazuar në vend ishte gati 910 mijë hektolitra, ose mbi 18% më shumë se një vit më parë. Niveli i rritjes së prodhimit ishte më i larti i shënuar, pasi atij të vitit 2008, kur u bënë investimet më të mëdha në stabilimentet e ujit.
Sigurisht që me shtimin e operatorëve në treg, forcimi i garës mes prodhimit dhe importit ishte i pritshëm. Por, kjo nënkupton njëkohësisht që normat e rritjes nuk kanë qenë kaq pozitive për çdonjërin prej prodhuesve. Eksportet në fushën e agroindustrisë, pohojnë se rritja e tregut ka ardhur kryesisht nga shtimi i operatorëve, ndonëse kanë rritur kapacitetet e përpunimit edhe kompanitë ekzistuese.
Një prej prodhuesve kryesorë të ujit në vend, “Tepelena”, nuk e fsheh faktin që viti i kaluar ishte i vështirë e me një bilanc negativ, ashtu si edhe në 2010-n. Sipas z. Cirillo, “dy vitet e fundit, 2010 e 2011, kanë qenë shumë të vështirë për ujin ‘Tepelena’ dhe kemi pasur rezultate negative, por 2012-a po ecën më mirë”.
Për një tjëtër stabiliment, viti i kaluar ishte i mbarë. Eda Leka tregon se “e njëjta tendencë zgjerimi (prej 20% që po vëren aktualisht) është konstatuar edhe në vitin 2011 kundrejt 2010-s”, duke e cilësuar si të kënaqshme ritmin e zhvillimit.
Kohët e fundit po duken vendimtare për pozicionimin e stabilimenteve që merren me trajtimin dhe ambalazhimin e ujit. Të mëdhatë e kanë më të lehtë që me pak organizim më shumë t’i mbijetojnë kostove të rritura e kërkesës së kufizuar, ndërsa disa operatorë të tjerë, shpesh sezonalë në prodhim, pohojnë se kanë hequr dorë edhe në ambalazhimin e ujit gjatë verës.
Kapaciteti i instaluar i përpunimit vlerësohet të jetë “i tepërt”, në kushtet kur tregu i brendshëm është i vogël dhe eksporti nuk shihet me shumë interes. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë janë rreth 60 stabilimente të licencuara dhe kapaciteti i instaluar i ambalazhimit llogaritet të jetë gati 50% mbi nevojat aktuale të tregut.
Tri vite më parë, “Harri Lena Group” hodhi në treg ujin “Trebeshina” duke bërë investimin e fundit më të madh në këtë sektor prej 5 milionë eurosh. Ndërkohë, një nismë e fortë marketingu u zhvillua rreth dy vite më parë nga “Agna Group” për të pozicionuar mirë në treg ujin “Spring”. Por, prej dy vitesh “Uji Tepelena” e “Qafshtama” vlerësohet të kenë fituar terren në treg, për shkak të shtimit të formateve të paketimit dhe një marketingu më ambicioz.
Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar, importi i ujit ishte rreth 128 mijë hektolitra, ose rreth 44% më pak se sasia e importuar një vit më parë. Krahasuar me prodhimin vendas, importi ishte rreth 7 herë më i ulët, duke zënë një peshë prej vetëm 12% në tregtinë me pakicë të ujit. Krahasuar me vetëm një vit më parë, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, pesha e ujit të importuar në treg ra me 11 pikë përqindje.
Megjithatë, operatorët në treg, vlerësojnë se uji i prodhuar në stabilimentet e huaja vazhdon të jetë i mirëpozicionuar në treg, duke “zënë” mbi të gjitha lokalet e restorantet më të shtrenjta.
Por gara është bërë serioze edhe në këtë drejtim, pasi kompanitë prodhuese në vend po nxjerrin formate të reja edhe në shishe qelqi të sasive të ndryshme.
Drejtorja e ujit “Qafshtama” tregon se produkti i ri i kësaj vere është uji në shishe qelqi. “Janë 3 formate, 750 ml, 500 ml dhe 250 ml, në versionin natyral e të gazuar dhe i drejtohen klientelës “HoReCa” (Hotele-Restorante-Cafe’)”, pohon Eda Leka.
Me çfarë ecën prodhuesit…
Ajo që i ka ndihmuar prodhuesit vendas të sfidojnë kushtet e vështira të konsumit e sasitë e importit ka qenë pasurimi i ofertës. Shishe të formateve të ndryshme, që plotësojnë duke filluar që nga nevojat e fëmijëve (për një paketim të vogël e të përshtatshëm konsumi) deri te paketimet familjare me çmime ekonomike. Madje oferta ka shkuar më tej me gjetjet e reja për një konsum sa më të shëndetshëm.
Administratori i ujit “Tepelena” tregon se, “pikërisht këto ditë po hedhim në treg formatin e ri 2 litër PET, por më e rëndësishmja është se në muajt e kaluar kemi hedhur (për herë të parë në Shqipëri) dy produkte të reja në kategorinë e ujërave funksionale (Vitamin Water): Tepelenë Active e Tepelenë Wellness. Edhe pse nuk kemi arritur një mbulim të kënaqshëm të tregut, rezultatet e shitjes janë shumë inkurajuese, thotë z. Cirillo, duke shtuar se, kjo i ka shtyrë të fusin edhe produkte të tjera të reja deri në fund të vitit.
Operatorët e tregut duket se kanë zgjedhur të punojnë me oferta për disa produkte. Sipas drejtuesve të ujit “Qafshtama” po punojmë gjithnjë me oferta të vazhdueshme për produktet në paketim PET (plastikë ushqimore) me formate 1.5 litra, 2 litra dhe 0.5 litra. Ky stabiliment numëron 11 lloje formatesh paketimi, në shishe plastike dhe qelqi, në versionin natyral dhe të gazuar.
Tendenca: Konsumi familjar, drejt paketimit dy litërsh
Vendimtarë për përmirësimin cilësor të këtij tregu kanë qenë vetë blerësit. Rrjetet e shitjeve me pakicë raportojnë rritje të shitjes së ujit të paketuar në formatet 2-litërsh (6 shishe), ndërsa kanë rënë në mënyrë të theksuar blerjet e bidonëve 5 litërsh. Drejtuesit e marketingut pranë rrjeteve të shitjes me pakicë e shpjegojnë këtë me koston pothuajse të përafruar mes tyre, me konsumin më komod në kushtet familjare të ujit të paketuar në shishe 2-litërshe. Ata nuk e mohojnë faktin se një prej arsyeve që vazhdon të qëndrojë e fortë është edhe mungesa e ulët e besimit për garancitë e ambalazheve 5-litërsh, veçanërisht kur ato kanë çmim më të ulët.
Tendencën e rritjes së konsumit në formatin 2-litërsh e pohojnë edhe prodhuesit. “Për ne, formati 2 litra ka rezultuar shumë i suksesshëm që në momentin e propozimit në treg në janar 2011. Është formati më i përshtatshëm për konsum familjar, pasi është ekonomik dhe ruan njëkohësisht prakticitetin në përdorim”, thotë znj. Leka.
Kostoja e paketimeve 2-litërshe rezulton të jetë rreth 25% më e lirë krahasuar me formatet 1.5 litër.
Rritje në kohë të vështira
Sipërmarrësit në sektorin e ujit e ndiejnë se kriza ekonomike në vendet e afërta po transferohet edhe në Shqipëri me efekt përfundimtar tkurrjen e konsumit, ose më saktë mosrritjen e këtij konsumi në nivelet e pritshme. Pavarësisht konsumit gjithnjë e më tepër drejt ujit të dalë nga stabilimentet, konsumi i ujit të “rubinetit” dhe i ujërave pa garanci mbetet i lartë në vendin tonë, krahasuar edhe me vende të rajonit.
Sipas z. Cirillo, ka mungesë gjithnjë e më të madhe të aftësisë për të shpenzuar të konsumatorëve “dhe duke marrë parasysh që uji ‘Tepelena’ pozicionohet në një nivel më të lartë çmimi, kjo krizë ka ndikuar në rezultatet tona të dy viteve të kaluara”. Kundërpërgjigjja ka qenë shtimi i përpjekjeve për të rritur praninë në pikat e shitjes.
Por, dy vitet e kaluara kanë qenë të vështira edhe për shkak të rritjes së kostos së prodhimit, mbi të gjitha të ambalazhit. Pas vendosjes së akcizës mbi ambalazhin e ujit, edhe çmimi i lëndëve të para PET për shishet e PE për tapat, u rrit ndjeshëm. Por, prodhuesit tregojnë se, duke marrë parasysh kushtet e tregut nuk ka pasur shanse të rritet çmimi i shitjes.
Bie prodhimi i ujit të gazuar
Pas një rritje prej rreth 40% gjatë vitit 2010, prodhimi i vitit të kaluar pësoi rënie prej rreth 10%. Sipas të dhënave të agroindustrisë, sasia e ujit të gazuar ishte 177 mijë hektolitra, ose katër herë më pak se prodhimi i ujit mineral.
Konsumi për frymë në vit
Kroacia 101 litër
Italia 185 litër
Shqipëria 31.7 litra
Burimi: Federata Europiane e Ujit Mineral
Për Shqipërinë: Të dhënat MBUMK
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.