Ford njoftoi se do të rikthehet te Formula 1 në vitin 2026, duke bashkuar forcat me kampionët e botës, Red Bull.
Kolosi automobilistik amerikan e njoftoi rikthimin e tij në këtë sport, sot në mëngjes, me rastin e eventit të prezantimit të Red Bull në Nju Jork.
Sipas marrëveshjes, Ford do të bashkëpunojë me Red Bull Powertrains, kompani motorësh e sapokrijuar, e cila e ka selinë në fabrikën e ekipit të F1 në Milton Keynes, Angli. Ajo po punon për një motor që të përmbushë normat e reja mbi motorët e F1 për vitin 2026.
Pjesëmarrja e Ford u cilësua një marrëveshje strategjike dhe “do të ofrojë ekspertizë në fusha që përfshijnë teknologjinë e qelizave të baterive dhe motorëve elektrikë, si dhe software të kontrollit dhe analizën e njësisë së fuqisë” dhe “zhvillimin e motorit me djegie”.
Red Bull vendosi të ngrejë fabrikën e vet të prodhimit të motorëve në vitin 2021, pasi furnizuesi aktual i motorëve, Honda, shfaqi paqartësi për angazhimin në afat të gjatë në Formula 1. Red Bull dhe ekipi simotër AlphaTauri do të vazhdojnë të përdorin motorët Honda deri në fund të ciklit aktual rregullues në 2025
Sipas rregulloreve të reja mbi ‘power unit’ në vitin 2026, makinat e F1 do të vijojnë të fuqizohen me V6 turbo-hibridë por me më shumë fuqi elektrike dhe të përdorin karburante sintetike të qëndrueshme në motorin me djegie të brendshme.
“Hyrja e Ford në Formula 1, duke nisur nga 2026, është një lajm i mirë për këtë sport dhe jemi entuziastë t’i shohim përkrah partnerëve automobilistikë të jashtëzakonshëm, të pranishëm tashmë në Formula 1” – deklaroi Stefano Domenicali, CEO i F1.
“Ata janë një markë globale e jashtëzakonshme, me një traditë të bukur në botën e garave dhe automobilave, dhe shohin vlerën e madhe që platforma jonë u ofron me më shumë se gjysmë miliard fansa në mbarë botën”.
“Angazhimi ynë për të qenë Net Zero Carbon brenda vitit 2030 dhe për të përdorur karburante të qëndrueshme në makinat F1 duke nisur nga viti 2026 është gjithashtu një arsye e rëndësishme për vendimin e tyre për të hyrë në F1. Presim me padurim që logoja e Fordit të jetë pjesë e F1 nga viti 2026”.
Ford ka një histori të pasur në F1, mbi të gjitha falë financimit të zhvillimit të motorit legjendar DFV nga ana e Cosworth në vitet ‘60, ‘70 dhe në fillim të viteve ’80. Cosworth DFV mbetet motori me suksesin më të madh në historinë e F1.
Rikthimi i Ford në Formula 1 ndodh në të njëjtën kohë me përpjekjen e rivalit historik në sektorin automobilistik amerikan, General Motors, i cili po synon të fusë markën e vet Cadillac në vitin 2026.
GM ka bashkuar forcat me Andretti Autosport, me shpresën për të krijuar një ekip krejtësisht të ri, por hyrja e tij varet nga suksesi në një proces formal përzgjedhjeje që filloi të enjten.
/ ESPN
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.