Formula 1, bilanc negativ në tremujorin III 2020

09/11/2020 8:28 PM 0 komente

Formula 1 organizoi 13 nga 17 garat e planifikuara këtë sezon, por në 12 prej tyre, pa praninë e tifozëve.

Kjo rezultoi në një humbje operative prej 115 milionë dollarësh (rreth 97 milionë euro) në tremujorin e tretë 2020, i mbyllur më 30 shtator. Një vit më parë, fitimi ishte 32 milionë dollarë.

Shifra në lidhje me humbjen vjen pavarësisht se kampionati kryesor automobilistik në botë regjistroi 597 milionë dollarë të ardhura (502 milionë euro), në rënie me 36 milionë dollarë krahasuar me 633 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Rënia e të ardhurave ka ardhur për shkak të mungesës së tifozëve në 10 Grand Prix të organizuar nga korriku në shtator (tre më shumë se në 2019-n), me përjashtim të Grand Prix në Toskanë. Ndër të tjera, Formula 1 u pagoi 441 milionë dollarë skuadrave, krahasuar me 335 milionë dollarë në tremujorin e tretë 2019, për shkak të rritjes së numrit të garave.

Përveç mungesës së tifozëve, drejtuesit e Formula 1 thanë se të ardhurat u ndikuan edhe nga vendndodhja gjeografike e garave dhe koha e rishikimit të kalendarit, pasi kampionati filloi në korrik pas pezullimit në mars për shkak të pandemisë.

Në tremujorin e parë dhe të dytë 2020, kur nuk mund të organizoheshin gara, Formula 1 regjistroi përkatësisht 137 milionë dhe 122 milionë dollarë humbje operative, ndërsa të ardhurat ishin përkatësisht 40 milionë dhe 24 milionë dollarë.

Shifrat e fundit financiare të Formula 1 u zbuluan kur kompania Liberty Media publikoi rezultatet e saj tremujore. Drejtori ekzekutiv i Liberty Media, Greg Maffei, tha: “E kemi vuajtur shumë faktin që nuk kemi tifozë në gara. E vlerësoj shumë ekipin tonë të menaxhimit për përshtatjen e madhe për të mbështetur biznesin dhe për të mbajtur të lartë interesin e tifozëve”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of