Nga 1 janari 2020 nuk do të dorëzohet asnjë formular në formë shkresore të kërkesave për miratimin e dhënies të lejes me koncesion të përdorimit të burimit ujor, lejet apo autorizimi për veprimtari ndërtimore në brigje apo në shtratin e burimit ujor. Në fletoren zyrtare u botua vendimi që përcakton nisjen e procedurave online të sistemit elektronik “Aplikim për përdorim burimi ujor” nëpërmjet portalit e-Albania.
Formularët e kërkesave do të dorëzohen online edhe për subjektet që aplikojnë për leje për përdorimin e burimeve të ujit të ambalazhuar, për përdorimin e ujit për vaditje, për akuakulturë, për prodhim hidroenergjetik, për prodhime industriale dhe teknologjike etj. Vendimi përcakton se krahas kërkesës për leje subjektet e interesuara duhet të dorëzojnë online edhe dokumentacionin teknik përkatës.
Procesi zyrtarisht nis online nga 1 tetori 2020, por deri në vënien në punë me eficencë të plotë të sistemit, kërkesat për leje apo autorizime, gjatë periudhës 1 tetor 2020 deri në datën 31 dhjetor 2020, do të dorëzohen edhe në formë shkresore pranë Zyrave të Administrimit të Basenit Ujor (ZABU-ve) përkatëse.
Si do të dorëzohen kërkesat online
-Kërkesa për leje/autorizim do të paraqitet on-line nëpërmjet portalit e-Albania nga data 1 tetor 2020.
-Gjatë periudhës nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi deri në datën 1 tetor 2020, kërkesat për leje/autorizim dorëzohen në formë shkresore pranë Zyrave të Administrimit të Basenit Ujor (ZABU-ve) përkatëse sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
-Kërkesat për leje/autorizim, gjatë periudhës 1 tetor 2020 deri në datën 31 dhjetor 2020, dorëzohen edhe në formë shkresore pranë ZABU-ve përkatëse, deri në funksionimin e plotë të sistemit elektronik “Aplikim për përdorim burimi ujor”.
-Pranimi, shqyrtimi i kërkesave për leje/autorizime, lëshimi i dokumenteve, si dhe bashkërendimi institucional, nga data 1 janar 2021, kryhen vetëm nëpërmjet sistemit elektronik “Aplikim për përdorim burimi ujor”.
-Kërkesat e dorëzuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi shqyrtohen nga ZABU-të përkatëse, sipas kushteve të posaçme dhe dokumenteve shoqëruese të parashikuara në vendimin nr. 416, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve të përgjithshme e të posaçme, dokumenteve shoqëruese, afatit të vlefshmërisë, formularëve të aplikimit për autorizim dhe leje, procedurave të shqyrtimit e vendimmarrjes dhe formateve të autorizimit e lejes për përdorim të burimeve ujore”. Në këtë rast, subjektet detyrohen të plotësojnë dokumentacionin teknik e ligjor brenda datës 31 dhjetor 2020. Nëse subjekti nuk plotëson dokumentacionin e kërkuar brenda këtij afati, atëherë duhet të paraqesë kërkesë të re nëpërmjet sistemit elektronik sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
-Kërkesat për leje/autorizim të dorëzuara në formë shkresore, gjatë periudhës nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi deri në datën 31 dhjetor 2020, shqyrtohen sipas procedurës së parashikuar në kreun III.
-Vendimi nr. 416, datë 13.5.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve të përgjithshme e të posaçme, dokumenteve shoqëruese, afatit të vlefshmërisë, formularëve të aplikimit për autorizim dhe leje, procedurave të shqyrtimit e vendimmarrjes dhe formateve të autorizimit e lejes për përdorim të burimeve ujore”, shfuqizohet.
-Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit marrin të gjitha masat që, brenda datës 1 tetor 2020, të trajnojnë nëpunësit e caktuar si përdorues të sistemit elektronik “Aplikim për përdorim burimi ujor”.
Hyrja në fuqi e lejes/autorizimit, afatet e vlefshmërisë
-Leja/autorizimi për përdorimin e burimit ujor hyn në fuqi vetëm pas publikimit të saj në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, përveçse kur hyrja në fuqi lidhet me botimin në Fletoren Zyrtare.
– Afati i vlefshmërisë së miratimit në parim për nisjen e një procedure koncesioni, e lejes/autorizimit për përdorimin e burimeve ujore sipërfaqësore, nëntokësore dhe shkarkimeve të lëngshme është, si më poshtë vijon:
a) miratimi në parim për nisjen e një procedure koncesioni jepet për një periudhë kohore 2 vjet;
b) autorizimi jepet për një periudhë kohore 5 vjet;
c) leja jepet për një periudhë kohore 5 vjet;
ç) në rastet e përdorimit të burimit ujor me koncesion ose kur përdorimi i burimit ujor i shërben kryerjes së një veprimtarie me koncesion, afati është në përputhje me afatet e koncesionit;
d) në rastin e investimeve strategjike, afati i lejes/autorizimit është në përputhje me afatin për të cilin është dhënë statusi “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.
-Afati i vlefshmërisë së lejes/autorizimit për veprimtari ndërtimore në brigje dhe veprimtari në shtratin e burimit ujor është, si më poshtë vijon:
a) autorizimi i posaçëm për përdorim burimi ujor, për veprimtari ndërtimi, rindërtimi ose shembjen e objekteve, për mbrojtjen e brigjeve, mureve, pritave e veprave të tjera në brigje, është i vlefshëm për një periudhë 2-vjeçare, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren;
b) autorizimi për përdorim burimi ujor, për veprimtari ndërtimore në brigje, është i vlefshëm për një periudhë 2-vjeçare, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren;
c) autorizimi për veprimtari mbrojtëse të përkohshme në rast emergjence është sipas kërkesës së paraqitur nga strukturat e ngritura për përballimin e emergjencave civile;
ç) leja për përdorim burimi ujor, për ndërtimin e strukturave ankoruese, portuale, veprave mbrojtëse në det dhe ishujve artificialë në det, është e vlefshme për një periudhë 2-vjeçare, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren;
d) leja për shfrytëzimin e materialeve inerte që nxirren nga shtretërit e lumenjve, përrenjve, liqeneve me ose pa ujë, është sipas grafikut të punimeve, por jo më shumë se 3 vjet;
dh) leja për rehabilitimin e trupave ujorë është sipas grafikut të punimeve;
e) leja/autorizimi për veprimtari të tjera në brigje dhe shtratin e burimit ujor është e vlefshme për një periudhë 2-vjeçare, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren.
Procedura e shqyrtimit të kërkesës për miratim në parim për koncesionet e përdorimit të burimit ujor
- Autoriteti kontraktor, që kërkon miratim në parim për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor nga KKU-ja, paraqet kërkesën zyrtare pranë Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU-së), të shoqëruar me formularin e kërkesës për miratimin në parim të dhënies me koncesion të përdorimit të burimit ujor sipërfaqësor ose nëntokësor të plotësuar, si dhe dokumentacionin teknik e ligjor, të parashikuar në formular.
- Çdo person fizik, juridik, privat apo shtetëror, në vijim kërkues, i cili kërkon leje/autorizim, pezullimin apo ndryshimin e lejes/autorizimit, paraqet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij kërkesën në sistemin elektronik të lejeve e autorizimeve për përdorim burimi ujor, në vijim sistemi elektronik. Kërkesa paraqitet nëpërmjet plotësimit të formularit të të dhënave të përgjithshme, ngarkimit në sistemin elektronik të formularit të kërkesës për veprimtarinë përkatëse, të dokumentacionit teknik e ligjor shoqërues të përcaktuar në të dhe të dokumentit që provon pagesën e tarifës së kërkesës. Dokumentacioni teknik që ngarkohet duhet të jetë i nënshkruar me firmë elektronike nga subjekti hartues i licencuar.
- Kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues shqyrtohet nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU-ja).
- AMBU-ja shqyrton formalisht, brenda 7 (shtatë) ditëve pune, nëse është paraqitur i gjithë dokumentacioni teknik e ligjor. Ky afat fillon nga dita e nesërme e paraqitjes së kërkesës për miratim në parim, për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor pranë AMBU-së ose e regjistrimit të kërkesës për leje/autorizim në sistemin elektronik. Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë, AMBU-ja njofton kërkuesin që, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike, të plotësojë dokumentacionin. Me dërgimin e njoftimit si më sipër, ndërpritet llogaritja e afatit të shqyrtimit të kërkesës deri në plotësimin e dokumentacionit dhe fillon një afat i ri. Nëse kërkuesi nuk plotëson dokumentacionin brenda afatit të caktuar, nëse dokumentacioni i ngarkuar në sistem ka përsëri mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
- Në mungesë njoftimi për mangësi në dokumentacion, brenda afatit të përcaktuar në pikën 8, të këtij kreu, AMBU-ja ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin teknik e ligjor të kërkesës.
- Pasi kërkuesi ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm teknik e ligjor, të përcaktuar në formularët e kërkesës për secilën veprimtari dhe ka paguar tarifën e kërkesës, AMBU-ja, brenda 15 ditëve pune, përfundon shqyrtimin teknik e ligjor të kërkesës. Nëse gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesës AMBU-ja konstaton mangësi në përmbajtje, mospërputhje të dhënash teknike dhe/ose ligjore, ose vlerëson se është e nevojshme që të kryhen ndryshime në projektin e paraqitur, njofton kërkuesin për plotësimin, korrigjimin, ndryshimin e dokumentacionit ose të projektit duke dhënë arsyet përkatëse. Këto veprime duhet të kryhen nga kërkuesi brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nga njoftimi. Ky afat zbatohet për plotësimin apo saktësimin e dokumenteve për të cilat nuk kërkohet miratimi nga organet e administratës shtetërore ose të enteve publike. Nëse për plotësimin, ndryshimin e dokumentacionit ose të projektit kërkohet miratim nga organet e administratës shtetërore ose të enteve publike, atëherë afati për plotësimin e tyre është brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike.
Me dërgimin e njoftimit si më sipër, ndërpritet llogaritja e afatit të shqyrtimit Teknik e ligjor të kërkesës deri në plotësimin e dokumentacionit nga kërkuesi dhe fillon një afat i ri. Nëse plotësimi, korrigjimi, ndryshimi i dokumentacionit ose i projektit nuk është i plotë, atëherë kërkuesi njoftohet dhe një herë për kryerjen e veprimeve të nevojshme, sipas afateve të përcaktuara në paragrafin 2 e 3, të kësaj pike. Në rast se ndryshimet nuk ngarkohen në systemin elektronik brenda afateve të përcaktuara apo ngarkohen përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim për refuzimin e kërkesës.
- Pas shqyrtimit të kërkesës sipas pikave 8, 9 e 10, të këtij kreu, AMBU-ja ia dërgon për mendim, kërkesën për leje/autorizim, nëpërmjet sistemit elektronik, institucioneve që përfaqësohen me anëtarë në KKU, në rastet kur ligji parashikon se miratimi është kompetencë e këtij organi, ose kryetarit të KBU-së, përfaqësuesve të grupeve të interesit dhe institucioneve që përfaqësohen me anëtarë në këtë organ, në rastet kur miratimi është kompetencë e KBU-së.
Institucionet dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit duhet të shprehin mendimin e tyre brenda 10 ditëve pune. AMBU-ja ka të drejtë t’ia dërgojë për mendim kërkesën për leje/autorizim dhe institucioneve të tjera shtetërore ose operatorëve të shërbimeve publike, të cilët brenda 10 (dhjetë) ditëve pune kanë detyrimin të japin informacion apo pëlqim lidhur me kërkesën. Institucionet shtetërore, që u dërgohet kërkesa për mendim, shprehen për përputhshmërinë e kërkesës me politikat, strategjitë, projektet dhe legjislacionin që rregullon fushën e tyre të përgjegjësisë shtetërore. Anëtari i KBU-së, që përfaqëson grupet e interesit, shprehet për cenimin ose jo të interesit të grupit që përfaqëson. Në mungesë të përgjigjes brenda afatit 10-ditor, prezumohet që institucioni ose grupi I interesit nuk ka komente për kërkesën dhe është dakord të paraqitet për shqyrtim në mbledhjen e Këshilli Kombëtar i Ujit (KKU-së) ose Këshilli i Basenit Ujor (KBU). Në këtë rast, AMBU-ja ka detyrimin të vijojë me paraqitjen e saj për miratim në organin kompetent.
- Nëse gjatë procesit të bashkërendimit të kërkesës, sipas pikës 11, të këtij kreu, një nga institucionet kundërshton dhënien e lejes/autorizimit, atëherë AMBU-ja, pasi e vlerëson këtë mendim nëse është brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore të institucionit përkatës, i kërkon kërkuesit të plotësojë mangësitë e konstatuara brenda 10 (dhjetë) ditëve pune. Nëse kundërshtimi bëhet për arsye të tjera, AMBU-ja pasqyron arsyet e kundërshtimit në raportin teknik e ligjor që i përcillet organit miratues pa kërkuar plotësime nga subjekti. Nëse plotësimet e kërkuara nuk ngarkohen në sistemin elektronik brenda afatit të përcaktuar në paragrafin e parë apo ngarkohen përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja njofton dhe një here kërkuesin për plotësimin e dokumentacionit brenda 5 (pesë) ditëve pune. Nëse plotësimet nuk ngarkohen në sistemin elektronik ose janë përsëri me mangësi, atëherë AMBU-ja merr vendim për refuzimin e kërkesës.
- Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës dhe bashkërendimit të saj sipas pikave 8, 9, 10,11 e 12, të këtij kreu, AMBU-ja përgatit raportin e vlerësimit teknik e ligjor dhe e përcjell për vendimmarrje në Këshillin Kombëtar të Ujit ose në Këshillin e Basenit Ujor, sipas kompetencave të përcaktuara në ligj për miratimin e veprimtarisë përkatëse. Në këtë rast, AMBU-ja njofton subjektin nëpërmjet sistemit elektronik për përfundimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesës dhe për përcjelljen e saj pranë organit kompetent.
Kur miratohen lejet
1.KKU-ja, brenda 60 ditëve kalendarike dhe KBU-ja brenda 45 ditëve kalendarike nga paraqitja e raportit të vlerësimit teknik e ligjor nga AMBU-ja, marrin vendim për:
- a) miratimin në parim të kërkesës për dhënien me koncesion të përdorimit të burimit ujor;
- b) miratimin e lejes/autorizimit sipas kërkesës së paraqitur;
- c) miratimin me ndryshime nga kërkesa e paraqitur;
ç) refuzimin e kërkesës;
- d) rinovimin e afatit të lejes/autorizimit;
- dh) ndryshimin e vendimit të dhënies së lejes/autorizimit;
- e) pezullimin e lejes/autorizimit;
ë) anulimin ose shfuqizimin e vendimit të dhënies së lejes/autorizimit.
Rinovimi, pezullimi, ndryshimi, anulimi dhe shfuqizimi i lejes/autorizimit
1.Autoriteti kontraktor, të cilit i është miratuar në parim nga KKU-ja kërkesa për nisjen e një procedure koncesioni ose subjekti i pajisur me leje/autorizim, në përfundim të afatit të vlefshmërisë së tyre sipas pikave 27 e 28, të kreut VI, kërkon rinovimin e afatit të vlefshmërisë nëse nuk ndryshon llojin e veprimtarisë, koordinatat e ushtrimit të veprimtarisë dhe sasinë e ujit që kërkon të përdorë. Në rast të ndryshimit të njërit prej këtyre elementeve, titullari i saj duhet të paraqesë kërkesë të re, për miratimin në parim, për nisjen e një procedure koncesioni ose për leje/autorizim.
- Subjekti i pajisur me leje/autorizim, jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë, njofton AMBU-në nëse do të kërkojë rinovimin e tyre. Nëse ky njoftim nuk bëhet nga subjekti, AMBU-ja njofton titullarin e saj, jo më vonë se 5 (pesë) muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë, të shprehet me shkrim nëse do të kërkojë rinovimin.
- Kërkesa për rinovimin e lejes/autorizimit paraqitet nëpërmjet sistemit elektronik, sipas formularit përkatës të parashikuar në shtojcën 1, të këtij vendimi, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Shqyrtimi i kërkesës për rinovim bëhen sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.
- Pezullimi i lejes/autorizimit vendoset nga organi miratues, kryesisht ose me kërkesë të AMBU-së, për shkaqet e parashikuara në nenin 54, të ligjit 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, sipas procedurave të parashikuara në ligjin që rregullon veprimtarinë e dhënies së licencave, lejeve dhe autorizimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Nëse pezullimi kërkohet nga mbajtësi i titullit, kërkesa paraqitet nëpërmjet sistemit elektronik sipas formularit 47, të shtojcës 1, të këtij vendimi, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Shqyrtimi i kërkesës së titullarit për pezullim bëhet sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi. Nëse shkaku për të cilën titullari kërkon pezullimin e lejes/autorizimit nuk është i mbështetur në ligjin nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, ose në legjislacionin në fuqi, atëherë AMBU-ja merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës.
- Ndryshimi i lejes/autorizimit vendoset kryesisht nga organi miratues ose me kërkesë të AMBU-së, për shkaqet e parashikuara në nenin 54, të ligjit nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, sipas procedurave të parashikuara në ligjin që rregullon veprimtarinë e dhënies së licencave, lejeve dhe autorizimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Nëse ndryshimi kërkohet nga mbajtësi i titullit, kërkesa paraqitet nëpërmjet sistemit elektronik sipas formularit 48, të shtojcës 1, të këtij vendimi, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Nëse mbajtësi i titullit kërkon të ndryshojë llojin e veprimtarisë, vendin e ushtrimit ose të rrisë sasinë e ujit që kërkon të përdorë, atëherë duhet të paraqesë kërkesë të re për leje/autorizim sipas llojit të veprimtarisë që kërkon. Shqyrtimi i kërkesës së titullarit për ndryshimin e lejes/autorizimit bëhet sipas procedurës dhe afateve të parashikuara në kreun III, të këtij vendimi.
- Anulimi, shfuqizimi i lejes/autorizimit bëhen për shkaqet e parashikuara në nenin 55, të ligjit nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, sipas procedurave të parashikuara në ligjin që rregullon veprimtarinë e dhënies së licencave, lejeve dhe autorizimeve në Republikën e Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.