Flet Agim Zeneli, Menaxher Logjistike, “Forschner Albania”
Aktualisht një pjesë e mirë e vendeve janë në situatën e izolimit, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Mënyra sesi po zhvillohen ngjarjet ka lënë në errësirë të gjithë, duke mos pasur një datë të saktë se kur do të kthehet normaliteti.
Agim Zeneli, Menaxher Logjistik i “Forschner Albania”, tha për “Monitor” se pikërisht kjo paqartësi e bën të vështirë të parashikosh se si do të jetë ecuria e sektorit, edhe pse sipas tij, industria automotive, që në fillim të 2020-s, nuk pritej me shumë optimizëm. Me zhvillimet e fundit, mendohet se situata do të jetë edhe më e vështirë.
Ne si kompani, në pikun e prodhimit, punojmë me një staf prej 800 punëtorësh. Situata aktuale nuk na lejon që të punojmë me këtë kapacitet. Si të gjitha bizneset, jemi detyruar të përshtatemi. Një pjesë të punëtorëve e kemi dërguar në shtëpi dhe po punojmë me një numër të kufizuar. Kjo edhe sepse, disa nga klientët tanë janë ndalur gjatë këtyre javëve, por do të fillojnë së shpejti.
Kemi edhe klientë të industrisë mjekësore. Për pjesën e punonjësve ne kemi bërë plotësisht pagesën për marsin, ndërsa për muajin prill po mundohemi që të manovrojmë disi, duke përfshirë pjesën e lejes vjetore. Kostot rriten, natyrisht për shkak të masave që dihen.
Interesi ynë më i lartë është gjithmonë siguria e punonjësve tanë dhe më pas vjen biznesi. Prandaj, ne sigurojmë maska, dezinfektues të lëngshëm, dezinfektim të vazhdueshëm të mjediseve të punës në fabrika, doreza dore, matjen e temperaturës dhe ndjekim të gjitha masat e nevojshme.
Si e parashikoni situatën për industrinë automotive duke u nisur nga këto zhvillime?
Shumë nga klientët tanë kanë ulur kërkesat në raport me parashikimin që u bë në fillim të vitit. Ne kemi shtatë grupe klientësh dhe më i madhi është i mbyllur deri më 17 prill. Ecuria e vitit varet sesi do të jetë situata në vijim, pasi nuk mund të japësh një përgjigje të saktë. Vetë 2020, si vit pritej që të ishte i dobët për industrinë automotive. Ka pasur një rënie të kërkesës reflektuar me një efekt zinxhir në rënie të shitjeve dhe reduktim të punëtorëve.
Aktualisht industria automotive nuk është përfshirë në ndonjë paketë ndihme nga qeveria. Cilat janë nevojat që shfaq kjo industri dhe masat që mund ta lehtësonin disi?
Ne, deri tani, nuk jemi përfshirë në ndonjë paketë përfitimi të drejtpërdrejtë sepse jemi te grupi i bizneseve që lejohen të vazhdojnë aktivitetin, pavarësisht situatës së kufizimeve. Nëse do të gjendeshin hapësirat, qeveria mund të ndihmonte në subvencionimin e pagave të njerëzve që janë lënë në shtëpi. Kemi një risk si industri që njerëzit mund të ikin dhe të mos kthehen në punë, për shkak të situatës. I kemi trajnuar dhe kemi investuar te këta njerëz. Sigurisht, kompania mund t’i paguajë në kushtet e vështira, dy javë apo një muaj kur s’ka aktivitet, por nuk mund ta bëjmë për shumë gjatë. Këtu mund të ndërhynte qeveria, nëse situata zgjatet.
Kjo nuk do të mbështesë biznesin tonë, nëse nuk do të marrim asnjë ndihmë nga qeveria për të siguruar vendet e punës të punonjësve tanë. Të gjitha vendet e tjera ku kemi fabrika prodhimi, qeveria po i mbështet aktivisht kompanitë me paga të pjesshme pune për të punësuarit. Kjo e bën shumë të vështirë për ne që t’i mbajmë të gjithë punonjësit në punë, në mënyrë që ata të mund të mbështesin familjet. Ne ende vazhdojmë të paguajmë sigurimet dhe taksat e punonjësve, edhe pse ata janë në shtëpi.
Sa u takon lëndëve të para, nuk kemi pasur probleme deri më tani, por mendoj se efekti i bllokimit në të gjithë Europën do të sjellë vështirësi në këtë aspekt edhe te ne. Pjesa e transportit deri tani është e rregullt dhe me vonesa të arsyeshme. Do të na ndihmonte shumë fakti që Dogana të kthehej në punë me orarin e zakonshëm. Aktualisht, Dogana e Tiranës punon deri në mesditë, ora 12:00 sipas orarit të administratës, dhe kjo na kushtëzon shumë për import-eksportin. Nëse do të rishikohej orari, do të ishte lehtësim për bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.