Forschner Albania, që punon për Benz Mercedes: “Kërkesa nga klientët në rritje”

26/12/2020 10:06 PM 0 komente

Flet Agim Zeneli, Menaxher Logjistike, Forschner Albania

 

Forschner Albania, që ka aktivitet në fushën e regjimit të përpunimit aktiv në prodhimin e sistemeve kabllore për automjete, kryesisht autobusët e Benz Mercedes, Pavarësisht ngadalësimit që solli situata e karantinës në mars-maj, parashikon që vitin 2020 ta mbyllë në terma të prodhimit sipas planit fillestar, kur ende pandemia nuk ishte një problem global.

Agim Zeneli, Menaxher Logjistike, Forschner Albania, shprehet se kompania ka punuar me kapacitet të plotë për të plotësuar kërkesat e klientëve dhe me një numër punonjësish në rritje progresive të lehtë.

 

Si e vlerësoni ecurinë e këtij viti, duke pasur parasysh situatën e pandemisë që e karakterizoi. Flasim këtu për prodhimin dhe planet e klientëve, a ndryshuan ato, apo mbetën njësoj si në fillim të vitit?

Edhe pse situata në periudhën e pranverës, për shkak të pandemisë botërore, bëri që kërkesat e sektorit automotiv të luhateshin dhe të kishte pasiguri, viti 2020, në aspektin e prodhimit dhe kërkesave të klientëve, parashikohet të mbyllet sipas planit të fillimit.

Është i njëjti plan, kur situata e pandemisë nuk kishte ndikim në Shqipëri por edhe në vendet ku ne eksportojmë dhe furnizojmë zinxhirin e sektorit automotiv, si Gjermania, Franca, Spanja, India, Çekia.

Kjo do të thotë se Forschner ka punuar me kapacitet të plotë për të plotësuar kërkesat e klientëve dhe me një numër punonjësish në rritje progresive të lehtë. Krahasuar me periudhën e pranverës (lockdown) aktualisht, në numër punonjësish kemi rritje prej 10%, e cila përkthehet në më shumë prodhim për t’iu përgjigjur kërkesave të klientëve.

Me gjithë faktet e përmendura më lart, jo domosdoshmërisht rritja e prodhimit kthehet në fitim për kompaninë Forschner Albania, sepse kostot operative të cilat u rritën në muajin mars 2020, vazhdojnë të jenë edhe sot. “Protokolli i kuq”, i cili u njoftua në muajin mars zbatohet rigorozisht nga ana jonë dhe vijon të gjenerojë kosto shumë të larta në aspektin operativ.

Masat e marra në fillim të pandemisë nga kompania si, përdorimi i maskave, vënia në funksion e tuneleve dezinfektues, blerja e lendeve dezinfektuese, dezinfektimi periodik i ambienteve të punës, sigurimi i transportit për të gjithë punonjësit, pagesat për testin (tampone) të punonjësve, të cilët kanë shfaqur shenja të infektimit me COVID-19, investimi në pajisjet e Teknologjisë dhe Informacionit (IT) për të rritur dhe për të përmirësuar standardin e komunikimit për ata punonjës të administratës që punojnë nga shtëpia, janë kosto e shtuar.

Të gjitha masat e marra të përmendura më lart, pavarësisht kostove financiare, janë kthyer në një vlerë të shtuar për kompaninë. Prodhues të mëdhenj në tregun botëror të sektorit automotiv, të cilët janë edhe klientët tanë, kanë vlerësuar maksimalisht në mënyrë të drejtpërdrejtë Forschner Albania, për gatishmërinë, fleksibilitetin dhe garancinë e dhënë për të furnizuar në kohë dhe me cilësi me produktet e kërkuara. Ky fakt, na bën të besojmë se situata në kompani do të jetë e qëndrueshme dhe me trend rritës sa i përket prodhimit në të ardhmen.

 

Si e prisni vitin 2021, pasi ende ka paqartësi për mënyrën sesi do të vijojë pandemia, edhe pse ka një lajm të mirë, që lidhet me vaksinën e disa ditëve më parë. Si parashikohet të jetë prodhimi për Forschner në Shqipëri?

Sigurisht që lajmi për vaksinën ka dhënë ndikim pozitiv psikologjikisht në klimën e biznesit dhe tek individët në mbarë botën, besoj. Gjithsesi, nisur nga situata e rënduar e pandemisë dhe specifikisht, rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 në vendet e BE-së, të cilat janë edhe tregu i prodhimit tonë, apo rikthimi i një mbyllje të mundshme në Shqipëri, i ngjashëm me atë të periudhës mars-maj 2020, e bën të paqartë ecurinë se si do të vazhdojë prodhimi i automjeteve në vitin e ardhshëm.

Është për t’u përmendur fakti se ne si kompani, në komunikim edhe me klientët tanë, mund të parashikojmë vetëm 3-mujorin e parë të vitit 2021, dhe për këtë periudhë, kërkesa për produkte është e stabilizuar, nuk presim rënie. Sa i përket parashikimit për të gjithë vitin kalendarik 2021, do na duhet të presim dhe ndjekim ecurinë e pandemisë.

 

Cilat kanë qenë sfidat e hasura gjatë këtij viti sa i takon punonjësve, logjistikës, procedurave?

Duke iu afruar fundit të vitit 2020, megjithëse jo përfundimtare, analizat, raportet, kanë tregues të mirë. Kjo do të thotë se me gjithë vështirësitë e mëdha, biznesi është i konsoliduar tashmë pas 5 vjetësh operim në Shqipëri. Përvoja në një fushë prodhimi të panjohur në Shqipëri, para vitit 2015, është konsoliduar dhe e gatshme të përballojë situata të pazakonta, falë edhe trajnimeve apo direktivave që kompania mëmë me seli në Gjermani na ka dhënë.

Punonjësit, stafi i administratës, kanë krijuar një përvojë, e cila do t’i vlejë jo vetëm Forscher-it si kompani, por të gjithë tregut në Shqipëri, veçanërisht në fushën e prodhimit. Në analizat e vazhdueshme rezulton se vështirësitë kanë qenë të mëdha, veçanërisht në periudhën e fillimit të karantinës, e cila në Shqipëri u vendos përpara në kohë, krahasuar me kohën kur shtetet e tjera të rajonit apo ato europiane morën masa për mbyllje totale.

Fillimisht, për shkak edhe të panikut në nivele maksimale në muajin mars, për shkak se ndodheshim përpara një fenomeni ende të panjohur mirë, kemi hasur vështirësi për gatishmërinë e punonjësve për t’u paraqitur në punë, në ambientet e prodhimit, për shkak të frikës së infektimit. Por edhe vështirësi dhe vonesa në sigurimin e lëndës së parë. Vështirësi në transportin e punonjësve, për shkak të mbylljes së transportit publik, vështirësi në organizimin e punës me turne, për shkak të karantinës dhe orarit të kufizuar të lëvizjeve.

70% e punonjësve në kompani janë të gjinisë femërore, këtu vështirësia lidhej me shkollat që ishin të mbyllura dhe shumë nga punonjëset ishin të detyruara të qëndronin në shtëpi me fëmijët. Si rrjedhojë, nuk kishin mundësi të paraqiteshin në punë. Në transportin ndërkombëtar dhe procedurat e import-eksportit në Shqipëri gjithashtu kemi pasur vështirësi, për shkak të numrit të reduktuar të administratës doganore, dhe orarit të shkurtuar me të cilin shërbenin.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of