Në vitin 2017, kur u miratua ligji për burimet e rinovueshme pati një theks të jashtëzakonshëm tek investimet në panele fotovoltaike. Nismat sporadike për vetëprodhim nga bizneset dhe familjarët, u kthyen në një trend nën argumentin e kursimit dhe uljes së faturës mujore që paguhet tek OSHEE. Rritja vazhdoi të mbetej e qëndrueshme deri në fillim të vitit 2020, edhe pse qeveria nuk kishte miratuar një çmim për tepricat (ende nuk ka një të tillë), që do të shërbente si një stimul më shumë. Pandemia e COVID-19, edhe pse arriti të përballohej mirë nga sektori në fillimet e saj, në 2021 ka dhënë efektet e para. Vetëm investimet në projekte të mëdha po duken të suksesshme, me synim prodhimin e energjisë dhe shitjen e saj si biznes. Ndërkohë familjarët dhe bizneset që prodhojnë për vetëkonsum, edhe pse kanë interes të lartë, kanë rrudhur dorën. Pasiguria mbi situatën e pandemisë, kushtëzimi financiar dhe mungesa e një çmimi duket se kanë dhënë secila ndikimin e tyre në tkurrjen e investimeve.
Nga Nertila Maho
Devoll Hydropower ka instaluar platformën e parë të atij që do të jetë impianti fotovoltaik lundrues mbi liqenin e hidrocentralit të Banjës. Kompania konfirmoi se ende ka shumë punë për të bërë, por me të mbaruar platforma e parë, do të fillojë faza e testimeve për impiantin e parë të kësaj natyre në vend, me teknologji inovative që vjen nga një tjetër kompani norvegjeze. Investimi mbi Banjë do të kapë vlerën 2.5 milionë euro, ku parashikohet instalimi i katër platformave me kapacitet 2MW.
Projekti është lakuar shpesh nga Devoll Hydropower (pjesë e Statkraft që ka investuar mbi kaskadën e Devollit) si një pikë drejt diversifikimit. Pra jo më vetëm energji e prodhuar nga hidro, por edhe nga dielli. Ai do të shërbejë si një test për teknologjinë e re që do të zbatohet me panelet e Ocean Sun, e cila nëse rezulton e suksesshme do të shtrihet në një shkallë më të gjerë në vende të ndryshme.
Pavarësisht pandemisë së COVID-19, kompanitë që prodhojnë energji për ta shitur, nuk i kanë ndalur investimet. Biznesi i diellit në veçanti dhe ai i prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme ka rezultuar imun. Shumica e projekteve, edhe pse u ngadalësuan në fillimet e pandemisë në mars-maj 2020, u rikthyen në normalitet shumë shpejt. Jo rastësisht, parashikimi i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë thekson se kërkesa për energji do të shënojë rritje globale me 4.5%, ekuivalente me 10000 terravat/orë. Rritja e konsumit parashikohet të jetë pesë herë më e lartë se tkurrja që pësoi në vitin 2020. Thuajse 80% e kësaj rritjeje u përket vendeve në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Rritja më e madhe pritet te burimet e rinovueshe, me zgjerim 8% në 2021, më i madhi në vlerë absolute po të bëjmë krahasimin vit më vit. Nga kjo rritje, fotovoltaikët dhe era do të zënë 2-3% të kësaj rritjeje.
Shqipëria, edhe pse një treg i vogël, pikërisht në kulmin e pandemisë përjetoi zhvillimet më të mëdha sa u takon fotovoltaikëve. Tre projektet më të mëdha u miratuan pikërisht në “vitin e pandemisë” (mars 2020-mars 2021).
Biznesi i diellit i mirë për të mëdhenjtë, tre projekte kryesore
Kur Shqipëria sapo kishte dalë nga karantina dhe kishte nisur me lehtësimin e masave në fund të muajit maj 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapte ofertat mbi ankandin e parkut fotovoltaik të Karavastasë. Fituese u shpall kompania franceze Voltalia, e cila dha një çmim 24.89 euro për megavat/orë, që është çmimi me të cilin Operatori i Shpërndarjes së Energjisë do të blejë energjinë për periudhën e rregulluar, 15 vjet.
Çmimi i asaj kohe u deklarua i leverdishëm, pasi ishte shumë më poshtë tavanit prej 55 eurosh të vendosur në dokumentet e ankandit. Në total, kapaciteti i instaluar për Karavastanë është projektuar 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Vlera e investimit llogaritet në 100 milionë euro. Voltalia ka avancuar me projektin nëpërmjet shoqërisë së saj të regjistruar në vend, që po çon para projektin e njohur si “Karavasta Solar”. Aksionet e kësaj të fundit rezultojnë në pronësi të VMI-ALB-Karavasta BV.
Në muajin mars të këtij viti u paraqit edhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis i thelluar i projektit, që autorizon kompaninë pas miratimit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit që të vijojë me punimet në terren.
Vendndodhja e projektit të propozuar është në lindje të fshatrave Ndërmenas dhe Hasturkas, në juglindje të fshatrave Adriatik dhe Metaj dhe në veri të Lagunës së Karavastasë. Toka në dispozicion do të jetë gjithsej 210 hektarë, nga e cila do të përdoren vetëm 196.38 hektarë për vendosje panelesh. Projekti është planifikuar të jetë në funksionim të plotë në tremujorin e parë të 2022.
Projekti i dytë i madh është ai i Spitallës. Më 29 mars të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e ankandit të dytë mbi energjinë fotovoltaike dhe sërish oferta fituese erdhi nga Voltalia, e cila ofroi çmimin 29.89 euro/MWH.
Sipërfaqja ku do të ndërtohet parku fotovoltaik i Spitallës është 120.85 hektarë. Rrezatimi diellor maksimal horizontal në këtë zonë varion nga 3.2 – 4.8 kwh/m². Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë. Edhe për këtë ankand, çmimi tavan i vendosur më herët nga qeveria ishte 55 euro/MWH.
Projekti i tretë është një park fotovoltaik me kapacitet të instaluar 50 MW në Fier, që ndryshe nga dy të parët ku shteti duhet të blejë energjinë për 15 vjet, sipas çmimit të rënë dakord, energjia do të shitet në treg të lirë. Centrali fotovoltaik Blue 2 do të ndërtohet nga bashkimi i shoqërive “Blessed Investment” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k.
Sipas vendimit të qeverisë, Parku Blue 2 parashikohet të vihet në punë brenda 50 muajve nga koha e marrjes së lejes së ndërtimit. Vendndodhje e burimit gjenerues të energjisë do të jetë zona Sheq-Marinas, Bashkia e Fierit, Qarku i Fierit. Kompania do të ketë detyrimin që çdo tre muaj të njoftojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ecurinë e punimeve. Lidhur me atë çfarë do të marrë pas shteti nga ky impiant rezulton se do të paguhet 2% e sasisë së energjisë së prodhuar gjatë vitit si “royalty”, ose vlera barasvlershme në lekë.
Familjarët dhe bizneset kanë interes, por kushtëzohen nga financat
Teknologjia inovative në segmentin e fotovoltaikëve ka bërë që koha e kthimit të investimit të jetë gjithmonë e më e shpejtë. Për një vend si Shqipëria, fillimisht kthimi vlerësohej deri në 8 vjet e më pas u ul në 5-7 vjet, në varësi të kapacitetit të instaluar dhe llojit të teknologjisë. Biznese si fasoneritë, hotelet apo edhe agropërpunim e kanë parë me interes investimin në fotovoltaikë, ku operatorët vlerësojnë se faturat e energjisë në disa raste u janë ulur mesatarisht me 20%.
Ulja mund të ishte edhe më e madhe po të amortizohej kostoja nga tepricat që hidhen sot në rrjet dhe nuk paguhen. E njëjta skemë vlen edhe për familjarët. Pavarësisht investimit që kanë bërë dhe reduktimit të faturës së energjisë këta të fundit, tepricat vazhdojnë t’i hedhin në rrjet duke mos marrë asnjë përfitim.
Në kushte normale, instalimi i matësve me dy kahe mat energjinë që ka hyrë dhe atë që ka dalë në rrjet, duke bërë në fund një rakordim dhe duke zbritur nga fatura finale pjesën e tepricës. Pavarësisht zvarritjes së këtij aspekti duket se ndikimi kyç në zbehjen e investimeve nga bizneset dhe individët për impiante për autokonsum ka ardhur nga pasiguria që ka sjellë pandemia. Por kjo vlerësohet si momentale.
“Gjatë karantinës, energjinë elektrike e konsumuam çdo ditë, sigurisht në këtë kontekst, gjithsecili do të donte një burim energjie të sigurt dhe për rrjedhojë, predispozita e individëve apo bizneseve është më e lartë për të investuar në këtë drejtim. Nga ana tjetër, pandemia ka ndikuar thellë në financat familjare apo të biznesit dhe kjo i ka bërë të ‘ngurrojnë’ për të investuar” – pohon Anduel Çekrezi, nga EuroElektra.
Në të njëjtën linjë, është edhe Stavri Thano nga Uni-Com, i cili vlerëson se interesi është konstant dhe i vazhdueshëm për këtë segment. “Dhe, me kalimin e kohës, besoj se kërkesa është shtuar, por pandemia ka dhënë ndikimin e saj momental. Pandemia në përgjithësi i ka bërë bizneset më të tërhequra në të gjitha llojet e investimeve, përfshirë edhe të kësaj natyre” – nënvizon Thano.
Lidhur me nxitjen e investimeve të kësaj natyre, Çekrezi thotë se stimujt për familjarët duhet të jenë të ndryshëm nga ato për bizneset, për t’i dhënë tjetër hov këtij segmenti.
“Që individët të jenë më aktivë për të investuar, duke qenë se arsyet për të investuar ndryshojnë nga ato të biznesit, në këtë drejtim duhet me patjetër një paketë masash lehtësuese, në mënyrë që ata të jenë më të interesuar për të investuar” – shprehet ai.
Energjia diellore në vitin 2020, bilanci i prodhimit nga impiantet
Enti Rregullator i Energjisë raportoi se në vitin që lamë pas, kapaciteti i instaluar në impiante fotovoltaike ishte 21 MW. Kjo shifër nuk merr parasysh impiantet e instaluar për vetëprodhim nga biznesi apo individët, por vetëm ato impiante të instaluara me qëllimin e prodhimit të energjisë për shitje.
Kanë përfunduar një pjesë e mirë e atyre impianteve të cilat përfshihen në skemën nxitëse dhe trajtohen me çmim të veçantë që rishikohet nga ERE çdo vit. Bëhet fjalë për impiantet me kapacitet të instaluar deri në 2 MW, të miratuara vetëm me firmë ministri dhe jo të konsideruara si koncesione tipike që prodhimin e shesin tek OSHEE me çmimin mbi 71.2 euro/MWh. Në vitin 2020 nga këto impiante u prodhua një total prej 32,265 MWh energji.
Duke qenë se aktualisht ka interes edhe për impiantet fotovoltaike lundruese me të paktën dy të tillë, që parashikohet të zbatohen, Enti Rregullator i Energjisë miratoi çmim specifik për to, që është 100.25 euro/MWh. Aktualisht ka nisur zbatimi për impiantin lundrues mbi hidrocentralin e Banjës nga Devoll Hydropower dhe mbeten për zbatim dy projekte të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
BERZH do të financojë impiantin lundrues mbi Fierzë, plani për Qyrsaqin
Bordi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim miratoi pak kohë më parë financimin për impiantin fotovoltaik mbi Vaun e Dejës, që do të zbatohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Projekti ka një kosto të parashikuar prej 13.9 milionë eurosh, nga të cilat 9.75 milionë euro do të përballohen nga BERZH, kurse pjesa tjetër do të përballohet nga fondet e vetë Korporatës.
Referuar dokumenteve, impianti fotovoltaik lundrues do të ketë fuqi të instaluar prej 12.9 MWp. KESH argumentoi pranë Bankës se projekti do të mbështesë zbatimin e impiantit diellor të teknologjisë së parë lundruese të këtij lloji në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të promovojë përdorimin e mëtejshëm të teknologjisë lundruese PV për të rritur kapacitetin diellor të rajonit, nëpërmjet përdorimit efikas të rezervuarëve hidro. Po kështu do të forcojë ecurinë operacionale dhe financiare.
Impianti lundrues mbi Vaun e Dejës nuk është i vetmi projekt i Korporatës. Në muajt e parë të këtij viti, KESH hapi një tender ku kërkonte oferta mbi zbatimin e një tjetër projekti fotovoltaik mbi digën e Qyrsaqit. Impianti parashikohet të ketë kapacitet të instaluar prej 5.14 MWp, ndërkohë që fondi limit me të cilin u shpall procedura në fillim ishte 470 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.