Franca do të fillojë testimin e detyrueshëm për udhëtarët nga 16 vende, mes tyre Serbia dhe Turqia

30/07/2020 11:55 AM 0 komente

Franca ka vendosur duke filluar nga kjo fundjavë të bëjë testimin e koronavirusit të detyrueshëm për të gjithë personat që vijnë nga 16 vende, kur rastet e Covid-19 po rriten, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, Indinë, Brazilin dhe Afrikën e Jugut. Kryeministri francez Jean Castex njoftoi se vendi po shtrëngon kontrollet e kufijve për të ndaluar një valë të re të virusit.

Testimi do të kryhet në aeroport ose udhëtarët duhet të kenë bërë testimin brenda 72 orëve nga dita e udhëtimit.

Vendet që do t’i nënshtrohen testimeve para hyrjes në Francë janë ato që konsiderohen si me rrezik të lartë, të cilat i përkasin listës “të kuqe” për qarkullimin e koronavirusit.

Në listë përfshihen: Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Panamaja, Afrika e Jugut, Kuvajti, Katari, Izraeli, Brazili, Peruja, Serbia, Algjeria, Turqia, Madagaskari, India dhe Omani. Listës mund ti shtohet edhe Maroku.

“Testet do të jenë për shtetasit francezë që jetojnë në këto vende ose shtetasit e këtyre vendeve që jetojnë në Francë,” theksoi Castex gjatë vizitës së tij në aeroportin Charles de Gaulle.

Testi i detyrueshëm do të fillojë të aplikohet nga data 1 gusht, dhe do të kryhet edhe në portet franceze.

Personat që vijnë nga Europa, Mbretëria e Bashkuar, vendet e zonës Shengen ose 12 vendet që janë aktualisht janë në listën e sigurt të BE-së nuk do t’u kërkohet testimi para se të hyjnë në Francë.

Muajin e kaluar, Franca hoqi kufizimet për udhëtimet jo thelbësore në Francë për qytetarët e Bashkimit Europian dhe vendet e zonës Shengen.

Për shkak të situatës aktuale të koronavirusit, një pjesë e madhe e vendeve kanë vendosur të imponojnë testin e Covid-19 ose të rikthejnë karantinën e detyrueshme për të luftuar përhapjen e koronavirusit./France24

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of