Më 1 shkurt 2021, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ishte në Paris për bisedime me homologun francez Emmanuel Macron, shkruan Vuk Vuksanovic për Euronews.
Macron i tha mysafirit të tij: “Dua të theksoj veçanërisht vendin që zë Serbia për Francën”. Vuçiç ishte po aq i ngrohtë: “Franca është një vend i rëndësishëm për ne dhe një mik tradicional i vërtetë i Serbisë”.
Duke lënë mënjanë përzemërsinë e zakonshme diplomatike, në sytë e vëzhguesve ballkanikë, kjo vizitë nënkupton se Serbia, vendi strategjikisht më i rëndësishëm në Ballkan, ka përqafuar Francën si fuqinë e madhe mbështetëse në Perëndim.
Lidhjet midis Parisit dhe Beogradit kanë një themel të thellë historik. Ndikimi kulturor dhe politik francez e frymëzoi Serbinë në rrugën drejt pavarësisë nga Perandoria Osmane. Kushtetuta e parë e Serbisë, Kushtetuta e Sretenjes e vitit 1835, u frymëzua nga Franca. Në Luftën e Parë Botërore, Franca ishte aleati kryesor i Serbisë në Perëndim, duke çuar në ngritjen e Monumentit të Mirënjohjes për Francën që qëndron deri më sot në Kalemegdan, parkun historik dhe fortesën e Beogradit.
Në periudhën midis dy Luftërave Botërore, Franca kishte një ndikim të fortë kulturor në Jugosllavinë e sapothemeluar. Franca ndihmoi në formimin e Antantës së Vogël, aleancës midis Mbretërisë së Jugosllavisë, Rumanisë dhe Republikës Çeke kundër Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik.
Luftërat Jugosllave dhe pjesëmarrja franceze në luftën e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, e tronditën këtë marrëdhënie historikisht të fortë. Sidoqoftë, gjatë asaj lufte, francezët kundërshtuan bombardimet e urave të Beogradit. Pas përmbysjes së regjimit të Sllobodan Milosheviçit në vitin 2000, presidenti francez, Jacques Chirac, ishte udhëheqësi i parë perëndimor, i cili vizitoi Beogradin në fund të vitit 2001.
A është kjo lëvizje e Beogradit një rizbatim i lidhjeve të vjetra historike? Jo domosdoshmërisht. Historia nuk luajti një rol të rëndësishëm në nëntor të vitit 2018 gjatë njëqindvjetorit të armëpushimit të Luftës së Parë Botërore. Gjatë ceremonisë, presidenti serb nuk ishte ulur pranë liderëve botërorë, ndryshe nga presidenti i Kosovës.
Beogradi e interpretoi këtë si mosrespektim ndaj aleancës së vjetër historike dhe viktimave serbe nga ajo luftë, duke bërë që ambasadori francez në Beograd të kërkonte falje. Në prill 2019, disa revista proqeveritare në Serbi postuan në faqet e tyre online se zjarri që ra në katedralen historike Notre Dame në Paris, ishte “ndëshkimi i Zotit” për shfaqjen e flamurit të “shtetit të rremë të Kosovës”. Raportet u tërhoqën me siguri për shkak të ndërhyrjes nga qeveria serbe.
A ka të bëjë lëvizja e Serbisë me integrimin europian të saj? Presidenti Vuçiç e përshkruan presidentin Macron si një aleat të Serbisë në rrugën e vendit drejt integrimit europian. Në korrik 2020, Serbia ishte vendi i parë që pranoi metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, një propozim francez.
Sidoqoftë, integrimi në BE është një rrugë e vështirë. BE po përballet me sfidat e saj dhe në vitin 2020, Serbia nuk mori asnjë hap përpara në bisedimet e pranimit me BE-në, për shkak të uljes së nivelit të sundimit të ligjit. Vetë Macron nuk e dëshiron zgjerimin pa ndërmarrë më parë reforma brenda sistemit të BE-së. Në vitin 2019, Franca vuri veton kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Metodologjia e re e zgjerimit të BE-së ishte rezultat i një kompromisi me Francën.
Atëherë, pse Beogradi po e përqafon Parisin?
Kjo ka të bëjë me faktin se Serbia ka nevojë për një fuqi të madhe mbështetëse në Perëndim, veçanërisht pasi partneritetet e vjetra të presidentit serb Vuçiç janë tashmë në krizë. Për vite me radhë, mbështetësi kryesor i Vuçiç në Perëndim, ka qenë Gjermania, e udhëhequr nga Angela Merkel.
Në atë marrëdhënie, Vuçiç mbështeti politikat e Merkel gjatë krizës së emigracionit, ndërsa përdori lidhjet me Merkel për legjitimimin e brendshëm. Ky partneritet po ftohet. Merkel është e pakënaqur me idenë e shkëmbimit të tokave që Vuçiç e përkrahu si një zgjidhje për mosmarrëveshjen e Kosovës me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, gjatë presidencës së Donald Trump dhe me tendencat joliberale të Vuçiç në politikën e brendshme.
Marrëdhëniet me SHBA-në janë gjithashtu të pasigurta, pasi Vuçiç i vari shpresat në një bast të dështuar për rizgjedhjen e Trump, dhe tani ai ka frikë se Gjermania dhe SHBA-ja mund të ushtrojnë trysni ndaj tij për njohjen e Kosovës, pa ndonjë koncesion me vlerë.
Duke qenë në nevojë për një fuqi të madhe mbështetëse në Perëndim, dhe me Gjermaninë dhe SHBA-në jashtë loje, cili mbetej? Mbretëria e Bashkuar është përfshirë në trazirat e Brexit, duke lënë si opsion Francën. Themelet e lidhjes u vendosën në verën e vitit 2019, kur Macron ishte presidenti i parë francez që vizitoi Beogradin pas 18 vjetësh. Para Monumentit të Mirënjohjes për Francën, Macron mbajti një fjalim në gjuhën serbe (pasi kreu shumë prova), duke lënë përshtypje tek qytetarët e mbledhur serbë dhe duke eliminuar mëritë e kaluara.
Tani, Serbia është duke blerë nga Franca sistemin Mistral, një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze infra të kuqe. Në vitin 2019, firma franceze e ndërtimit Vinci, nisi koncesionin e saj 25-vjeçar për modernizimin dhe menaxhimin e aeroportit të Beogradit. Ndërmarrja franceze e shërbimeve Suez, do të zhvillojë një strukturë të menaxhimit të mbeturinave në Vinča. Gjatë verës së vitit 2019, revistat serbe e vlerësuan Macron-in si aleatin më të madh serb në luftën kundër Kosovës, edhe pse Franca ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën e pavarur.
Elitat serbe po investojnë në forcimin e lidhjeve me Francën, me shpresën për ta bërë Francën mbrojtësin e tyre të ri diplomatik. Ato shpresojnë se Franca mund të lehtësojë çdo presion të mundshëm ndaj Kosovës nga Gjermania dhe SHBA-ja, veçanërisht në dritën e duopolit Berlin-Paris brenda BE-së. Marrëdhëniet me disa nga partnerët lindorë janë gjithashtu të lëkundshme. Pavarësisht fasadës miqësore, Rusia është e pakënaqur nga bashkëpunimi i Vuçiç me SHBA-në nën drejtimin e Trump, dhe Serbia nuk e di nëse Rusia do të ndihmojë në ndonjë kompromis për Kosovën në një pazar hipotetik me SHBA-në.
Kina tashmë e ka zëvendësuar Rusinë, si partneri kryesor i Serbisë në Lindje. Beogradi tani po lidh partneritet me Parisin dhe Pekinin për të rritur fuqinë e negociatave, siç e vë në dukje edhe një projekt i planifikuar për ndërtimin e metrosë së Beogradit nga dy kompani franceze dhe kineze. Marrëveshja e investimeve e nënshkruar kohët e fundit midis BE-së dhe Kinës, ku presidenti Macron luajti një rol, ndoshta e frymëzoi Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij për të bërë këtë lëvizje.
Fakti nëse udhëheqësit në Beograd do të përfitojnë nga partneriteti i tyre me Parisin, mbetet për t’u parë. Nuk është e sigurt nëse Franca ka interesa të mëdha në Ballkan apo nëse Macron do të fitojë rizgjedhjen e tij në vitin 2022. Një gjë është e sigurt. Kur presidenti Vuçiç do të dëshirojë të flasë me Europën, ai do të telefonojë Macron. Të paktën, tani për tani.