Presioni ndërkombëtar mbi Kosovën për ta hequr taksen 100 për qind ndaj Serbisë nuk ka të ndalur. Tash edhe shteti i Francës ka kërkuar që kjo taksë të hiqet sa më shpejt. Ditë më parë edhe zyrtarë të Bosnjës kanë kërkuar që Kosova te heq këtë taksë.
Franca e sheh si të rrezikshme mbetjen në status-quo të situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë ambasadori francez në Beograd, Federico Mandoloni, gjatë Forumit për Siguri.
“Status-quo ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e rrezikshme”, ka thënë Mandoloni.
Tutje ai ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme të Francës është e gatshme që së bashku me Gjermaninë e me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian të përfshihet në çështjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Mandoloni tutje ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjnë në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ministria e Punëve të Jashtme së bashku me Gjermaninë është dhe ndërmjetësimin e BE-së të përfshihet në këtë çështje, në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë tutje Mandoloni.
Tutje ai ka thënë se Franca dëshiron që të dy palët të eliminojnë kushtet për rikthim në dialog, pasi që Macron dëshiron një takim në Paris sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ne duam që të japim një impuls politik dhe të kemi një takim të ri në Paris. Është shumë e qartë për ne që tarifa duhet të hiqet, nëse qeveria e re në Prishtinë dëshiron të bisedojë me Beogradin, në mënyrë që të gjejnë një kompromis”.
Javë më parë ministri i Tregtisë në Bosnje e Hercegovinë, Mirko Sharoviq, ka thënë se nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – si dy forcat më të mëdha politike që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës – pritet që të qetësojnë raportet rajonale.
Ai ka thënë se para së gjithash Bosnja pret heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj.
“Menjëherë pas formimit të qeverisë, unë pres heqjen e tarifave. Derisa kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë komplikim të raporteve brenda CEFTA-s, por edhe në përgjithësi në rajon”, ka thënë Sharoviq.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Bosnje e Hercegovinës, Nemanja Vasiq, pret heqjen e tarifave për mallrat nga Bosnja.
Vasiq thotë se është mirë që klima politike në Kosovë po ndryshon, dhe se kjo mund të çojë në eliminimin e tarifave.
“Sipas deklaratave të para të fituesve, pritet që ato të shkojnë drejt heqjes, por gjithashtu është e qartë se do të ketë kushte të reja politike. Kjo është ende në sferën e politikës”.
Tarifat prej 100 për qind për mallrat nga Bosnja dhe Serbia u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, eksporti i këtyre dy vendeve në Kosovë u ndal pothuajse plotësisht.
Kjo bëri që të ndërpritet edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohej përmes lehtësimit nga ana e Bashkimit Evropian.
Në arsyetimin e saj, Qeveria e Kosovës kishte thënë se Bosnja dhe Serbia duhet të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë disa herë thirrje për heqjen e tarifave, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
/Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pas “dhurates” qe i beri Shqiperise tani Franca po merret me Kosoven! Shqiptare hapni syte se Franca nuk na do, aq me teper ne raport me Serbine. E vetmja rruge per prosperitet eshte bashkimi i trojeve etnike shqiptare. Gjithe te tjerat jane humbje kohe.
Qeveria e Kosoves do bente gabim te hiqte taksen ndaj Serbise dhe BIH.