Nga fillimi i pandemisë janë dhënë 8 miliardë euro
Franca vijon të ndihmojë botën e sportit. Qeveria franceze ka njoftuar një seri ndihmash prej të cilave mund të përfitojnë kompanitë e fushës së sportit, i cili është goditur nga kufizimet dhe masat shëndetësore të vendosura për të frenuar numrin e të infektuarve me Covid-19.
Kompanitë, të cilat kanë humbur më shumë se 65% të të ardhurave për shkak të kufizimeve dhe masave për të frenuar numrin e të infektuarve, mund të përfitojnë nga ndihmat e fundit të qeverisë franceze.
Një nga humbjet më të mëdha është shkaktuar për shkak të mungesës së tifozëve në stadium. Në dhjetor 2021, Franca dekretoi kufirin prej 5000 personash në ngjarjet sportive në mjedise të hapura dhe 2000 persona në ambiente të mbyllura.
Reduktimi i kapacitetit është një masë që ka goditur gjerësisht sportin profesionist në Francë dhe veçanërisht klubet e futbollit dhe rugby, dy sporte mjaft të ndjekura nga publiku francez.
Franca e ka ndihmuar sektorin sportiv me më shumë se 8 miliardë euro që nga fillimi i pandemisë. Bizneset që kanë humbur më shumë se 50% të të ardhurave për shkak të kufizimeve të dekretuara në dhjetor do të kenë akses në ndihmë si kosto fikse.
Në lidhje me sipërmarrjet që kanë marrë kredi me garanci shtetërore, qeveria franceze vendosi që ta rrisë periudhën e shlyerjes në dhjetë vjet (nga gjashtë që është aktualisht).
/ Calcio & Finanza