Viti 2016 do të jetë pozitiv për sektorin e ndërtimit. Është e natyrshme që pas një periudhe të gjatë bllokimi të fillojë dhënia e lejeve të ndërtimit, tha Hajredin Fratari, ndërtues dhe njëkohësisht presidenti i Konfindustrisë Shqiptare. Sipas tij, Bashkia është e interesuar të rrisë arkëtimet, meqenëse ka pesëfishuar taksën e lejes, por kompanitë që e kanë të bazuar aktivitetin tyre në punët publike (kryesisht kompanitë e rrugëve) do të kenë ulje të aktivitetit për shkak të rënies së investimeve me fonde publike.
Kërkesa për këtë vit do të jetë e përqendruar për apartamentet e lira, kryesisht nga çiftet e reja. Kërkesa pritet të ketë nxitje edhe nga një plan i qeverisë për të dhënë 3800 kredi të buta.
Nga informacionet që kemi, kërkesa në këtë linjë të tregut do të jetë për rreth 5000 banesa me çmime të ulëta, thotë Fratari.
Ndërtimi do të mbështetet këtë vit në mënyrë të veçantë nga planet rregulluese, të cilat tashmë për shumë qytete, duke përfshirë edhe Tiranën, janë të miratuara, me përjashtim të planeve që mungojnë për disa komuna përreth Tiranës dhe që tani janë pjesë e bashkisë së madhe.
“Vetëm nga taksa që paguhet për marrjen e lejes futen në arkën e pushtetit lokal rreth 22 miliardë lekë të vjetra në vit”, pohoi presidenti i Konfindustrisë. Por ndryshe nga Tirana, sektori i ndërtimit në rrethe do të ketë ecuri të dobët, përveçse investimeve në zonat turistike, nëpërmjet fshatrave turistikë në bregdet dhe ka të ngjarë që të zhvillohet edhe ndërtimi i pistave të skive në zonat malore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.