Rregullat e reja të Bankës së Shqipërisë për bankat vendase si dhe të Komisionit Europian për bankat në Europë, pritet të rrudhin kreditimin e ekonomisë shqiptare. Bankierët konfirmojnë se në 2012-n kreditë në euro do të bien ndjeshëm, ndërkohë që edhe overdraftet do të tkurren. Bankat kryesore parashikojnë se do të përgjysmojnë ritmet e rritjes së kredisë këtë vit
Nga Laura çela
Kur kriza në Itali dhe Greqi duket se po përkeqësohet dhe parashikimet mbi ekonominë shqiptare janë gjithashtu pesimiste, një efekt negativ pritet të japë edhe sistemi bankar. Të ndodhura në presione në rritje nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, bankat në Shqipëri do ta kenë më të vështirë të kreditojnë biznese e individë, duke ulur ritmin e rritjes së ekonomisë.
Një faktor kryesor i brendshëm që pritet të rrudhë kredinë është rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë, që detyron të gjitha bankat në vend të rrisin sasinë e likuiditeteve që duhet të ruajnë “të paprekur”. Sipas aktit të miratuar në fund të 2011-s, në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të likuiditetit” bankat duhet të përllogarisin dhe të sigurojnë në çdo kohë respektimin e treguesit të aktiveve likuide ndaj pasiveve afatshkurtra: në nivelin 20% për çdo monedhë, lek dhe monedha të huaja dhe në total në nivelin minimal 25%.
Rregullorja e mëparshme detyronte bankat që përqindja e likuiditetit të ishte 20% në total, pa specifikuar monedha të veçanta. Sot, bankat jo vetëm që duhet të kenë 20% likuiditete, por duhet ta sigurojnë atë për çdo monedhë.
Megjithëse masa e BSH-së rrit garancinë dhe sigurinë e bankave që operojnë në vend, detyrimi për të mbajtur më shumë aktive do të ulë portofolin e huave. Këto akte, sipas bankierëve, janë definitive dhe pritet të qëndrojnë në fuqi së paku deri në përfundim të krizës. Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (banka e dytë më e madhe në vend) Seyhan Pencabligil, ka vënë në dukje në një intervistë dhënë për “Monitor” se Banka e Shqipërisë ka marrë masa parandaluese dhe ka forcuar shumë rregulloren mbi bankat. “Unë kam dyshime në lidhje me efektet amortizuese që rregulla të tilla mund të japin kundër thellimit të krizës bankare. Përkundrazi, këto rregullore mund të dobësojnë qëndrueshmërinë e sistemit bankar shqiptar në afat më të gjatë, sepse ruajtja e fitimeve pozitive dhe zbatimi i këtyre rregullave do të jetë jashtëzakonisht i vështirë për bankat shqiptare”, thotë z. Pencabligil.
Po cilat janë pasojat
Bankierët sqarojnë se do të jenë pikërisht kreditë në euro ato që pritet të pësojnë rrudhjen më të madhe në 2012, një fakt shqetësues ky, duke pasur parasysh që mbi 67% e kredive në sistemin bankar është në valutë të huaj, ku peshën kryesore e zë monedha europiane
Të detyruara për të ruajtur likuiditete në euro, bankat tashmë kanë nisur të investojnë depozitat e tyre çdo javë (më parë i investonin mesatarisht një herë në muaj) duke ndikuar në uljen e normave të interesit për depozitat në euro dhe si rrjedhojë edhe duke ulur të ardhurat. “Me masat e BSH-së kemi përllogaritur se 20-30% të likuiditeteve në euro do të qëndrojnë të paprekura, duke cenuar shumë kredinë në këtë monedhë, por edhe në total”, shpjegon një bankier.
Për sa i përket monedhës vendase, bankat e kanë më të lehtë në likuiditete se kanë mjaftueshëm bono thesari dhe nga ana tjetër, me gjithë rritjen, kreditë në lekë zënë ende një peshë të vogël në sistem, rreth 30%. E njëjta gjë vlen edhe për dollarin, ku pesha e kredive në këtë monedhë është e ulët. Në një situatë të tillë, bankat pritet të ulin kreditimin dhe ta orientojnë atë edhe më shumë drejt monedhës vendase.
Pas një ngadalësimi në 2009-2010, ritmet e rritjes së kredisë u zgjeruan në 2011-n. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të tremujorit të tretë 2011, kredia për ekonominë vlëerësohet të jetë rritur rreth 14% me bazë vjetore. Por këto ritme pritet të ngadalësohen në 2012-n. Edhe rritja e vazhdueshme e nivelit të kredive me probleme (që po i afrohet 19 përqindëshit) do të bëjë që bankat këtë vit të përqendrojnë forcat më shumë në mbledhjen e kredive ekzistuese, sesa në dhënien e huave të reja. Ngadalësimi i kreditimit është pranuar dhe nga bankat kryesore në vend. BKT dhe “Credins”, dy banka që kanë mbajtur peshën më të madhe të kreditimit në vitin 2011 (të dyja së bashku kanë kontribuar në 60% të kredisë së shtuar në sistem gjatë 9-mujorit të 2011-s, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave) kanë pohuar për “Monitor” se për 2012-n parashikojnë që ritmet e rritjes së kredisë të jenë më të ulëta, nga rreth 40% në 2011-n në 20% gjatë këtij viti. Burime zyrtare nga “Raiffeisen Bank Albania”, që ka dhënë 25% të kredisë së shtuar në sistem në 9-mujorin 2011 kanë pohuar për “Monitor” se banka do të vazhdojë kreditimin për ekonominë.
Overdraftet, shtrëngohen rregullat
Gjatë këtij viti, bankat mund të detyrohen të ulin edhe lëvrimin e overdrafteve, përdorimi i të cilëve u rrit ndjeshëm pas vitit 2008. Kjo do të ndikojë në rënien e kredive në total.
Kriza e 2008-2009 përkeqësoi situatën e likuiditeteve për bizneset që iu drejtuan më shumë overdrafteve. Në fillim të vitit 2008, overdraftet zinin rreth 27% të kredisë për biznese, ndërsa tani zënë 33% të saj.
Fakt është që sot bizneset në pjesën më të madhe nuk i përdornin si overdafte po si kredi, d.m.th e lëvrojnë dhe paguajnë interesa dhe nuk e përdorin siç ai e ka qëllim, të përdoret kur është e nevojshme.
Në rregulloren e re të Bankës së Shqipërisë janë përcaktuar rregulla të reja për provigjionimin e overdrafteve, ku për herë të parë individët apo bizneset që nuk paguajnë më disa muaj rresht interesat do të cilësohen si kreditorë “të këqij”, duke rritur përqindjen e kredive me problem në sistem. Nga ana tjetër, bankat duhet të jenë shumë më tepër të kujdesshme për skadencën e overdrafteve, sepse nëse tejkalohet, klientët do të jenë sërish kreditorë me problem, duke ulur fitimet e bankës.
“Presim që gjatë muajve të parë të aplikimit të rregullave të reja të ketë ndikim negativ, qoftë në lëvrimin, qoftë në kujdesin e bankës ndaj overdrafteve. Kjo mund të sjellë ulje të overdrafteve të reja dhe të kredidhënies në total”, thonë bankierët.
Faktori Eurozonë
Një tjetër faktor negativ në kreditim mbërrin nga jashtë. Sistemi bankar shqiptar është tepër i ekspozuar ndaj Eurozonës, teksa bankat me origjinë nga vendet e Eurozonës përbëjnë rreth 70% të totalit të aktiveve në vend. Ndërsa bankat greke, ndonëse në ulje, vijojnë të kenë peshë të konsiderueshme në rreth 18.6% totalit të aktiveve të sistemit. Sipas rregullave të reja të Komisionit Europian, bankat e Eurozonës duhet të sigurojnë që norma e kapitalit bazë ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik të arrijë në 9% deri në fund të qershorit 2012. Pritshmëritë janë që bankat, më shumë sesa të nxitojnë të rrisin kapitalin, do të përqendrohen në reduktimin e aktiveve të ponderuara me rrezik, sidomos në degët e tyre në Europën Qendrore e Lindore. Si huatë, ashtu dhe bonot qeveritare (të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të aktiveve të bankave në vend) mund të konsiderohen me rrezik, e para për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme dhe e dyta për shkak të shkallës së ndjeshme të borxhit publik në rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), por dhe të situatës së borxheve kombëtare të Eurozonës. Si rrjedhojë, bankat me kapital të huaj duket se do të jenë më të interesuara këtë vit të mos i rrisin portofolat e tyre të kredive dhe bonove qeveritare, duke shmangur si huadhënien ashtu dhe pjesëmarrjen në ankandet qeveritare. Sipas drejtorit të Bankës Kombëtare Tregtare, kjo mund të shkaktojë një ngjarje të quajtur “de-risking” në sektorin bankar europian. “Shumë banka europiane do të përpiqen që të heqin qafe aktivet e tyre më me rrezik, ku përfshihen edhe aktivet në Europën Juglindore. Me fjalë të tjera, bankat e huaja nuk do të jenë të etura për të ofruar më shumë kredi ose të pranojnë borxhe të qeverive në vende si Shqipëria”, thotë Seyhan Pencabligil.
Vendet e EQL-së tremben se masat e rrepta të ndërmarra nga autoritetet e Bashkimit Europian dhe të Austrisë në veçanti për të kthyer besimin në sistemin bankar të Eurozonës do të reflektohen në një tkurrje të aktivitetit dhe kreditimit në degët e tyre në Europën në zhvillim.
Në bazë të rregullave të reja të Basel III, që do të zbatohen në BE, duke filluar nga viti 2013, institucionet e kreditit duhet të rrisin gradualisht bazën e kapitalit. Për më tepër, si pjesë e masave për të cilat është rënë dakord në nivel të BE-së për të rikthyer besimin në sektorin bankar, disa institucione europiane, krediti u kërkohet që të vendosin një amortizues, që nënkupton që norma e kapitalit bazë ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik të arrijë në 9% deri në fund të qershorit 2012. Nga an tjetër, sipas nismave të fundit rregullatore në Austri, disa grupe bankare u kërkohet që të zbatojnë standardet e kapitalit të Basel III sa më shpejt. Këto nisma gjithashtu vendosin një normë maksimum të huave ndaj depozitave prej 110% për degët në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore të këtyre bankave. Si rrjedhojë, institucionet e kreditit po vlerësojnë një sërë opsionesh për të përmirësuar cilësinë e kapitalit, si reduktimin e aktiveve të ponderuara me rrezik në bilancet e tyre. Në bazë të propozimeve të autoritetit rregullator financiar austriak, të bëra publike më 21 nëntor 2011, bankat austriake do të duhet të reduktojnë huadhënien poshtë një niveli të fiksuar të depozitave lokale. “Raiffeisen Research” thotë se si rrjedhojë, me përjashtimin e mundshëm të Shqipërisë, nuk ka të ngjarë të ketë rritje dyshifrore të normave të zgjerimit të aktiveve dhe huave në pothuajse të gjithë sektorët bankarë në Europën Juglindore për një të ardhme afatmesme (deri në 2015-n). “Tregu bankar rumun mbetet më tërheqësi në Europën Juglindore, duke reflektuar pozicionin e tij si tregu më i madh bankar në Europën Juglindore dhe zgjerimin e përmbajtur, që duket i qëndrueshëm”, thotë “Raiffeisen”. “Në kontrast, panorama për tregun bankar kroat i dyti më i madh në Europën Juglindore po ashtu dhe për sektorin bullgar bankar, mbetet sfiduese”. Shërbimi i investitorëve i “Moody’s” thekson se duke pasur parasysh që bankat kryesore austriake “Raiffeisen Bank International” dhe “Erste Bank” së bashku me grupin italian “UniCredit” janë midis lojtarëve kryesorë në shumë sisteme bankare të Europës në zhvillim, kufizimet për rritjen e kredisë do të kenë një sërë implikimesh negative për bankat e rajonit.
Biznesi e konsumatorët: Jemi në krizë
Biznesi dhe konsumatorët janë në krizë. Sondazhi i Bankës së Shqipërisë tregon se qytetarët dhe sipërmarrësit në Shqipëri kanë kaluar një periudhë të vështirë ekonomike dhe presin përkeqësim të situatës në muajt e ardhshëm. Raporti pesimist, i prezantuar nga banka, tregon qartë se kriza ekonomike, jo vetëm ka përfshirë të gjithë sektorët e vendit, por më keq akoma, pritet të ashpërsohet në muajt e ardhshëm. Asnjë nga tri sektorët e ekonomisë, industria, shërbimet dhe ndërtimi, nuk shohin rritje ekonomike në muajt vijues. Në të njëjtën linjë, edhe konsumatorët presin përkeqësim të punësimit dhe të të ardhurave. Asnjë nga industritë, më keq ajo e ndërtimit, nuk ka shfrytëzuar potencialin e tij dhe as nuk pret ta rrisë këtë shfrytëzim në muajt e ardhshëm. E gjithë kjo situatë pesimiste ka bërë që treguesi i ndjesisë ekonomike, që matet nga Banka e Shqipërisë, të ulet me 7.8% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke arritur nivelin 83.5. “Kjo rënie anuloi rritjen e shënuar në tremujorin e dytë dhe të tretë, duke e çuar nivelin e treguesit 16.5 pikë përqindjeje poshtë mesatares së tij afatgjatë”, thuhet në raportin e bankës. I gjithë problemi i ekonomisë shqiptare është ulja e kërkesës dhe parashikimi për një përkeqësim të mëtejshëm. Në parashikimet e veta, Banka e Shqipërisë ka theksuar se ekonomia po rritet shumë më pak sesa kapaciteti i vet. Shifrat tregojnë se kjo situatë, në mos do të përkeqësohet, pritet të vazhdojë e tillë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Po nuk pati prodhim industrial, po nuk u aktivizua sektori i ndërtimit dhe shërbimeve, sigurisht që do të ketë papunësi në rritje dhe më pak para për konsumatorët. Këta të fundit, sipas raportit, presin përkeqësim të punësimit dhe të të ardhurave. “Kostoja mesatare e jetesës në tremujorin e katërt të vitit 2011 vlerësohet të jetë rritur”. Pritjet e sektorit të industrisë për tremujorin e parë të vitit 2012 tregojnë për rritje të vogël të prodhimit industrial, të mbështetur nga rritja e kërkesës për eksporte. Pritjet e bizneseve të industrisë janë pesimiste për sa i përket rritjes së kërkesës së brendshme, gjendjes së përgjithshme të biznesit, si dhe mundësisë së punësimit, në tremujorin e parë të vitit 2012. Edhe ndërtimi është pesimist. Biznesmenët e këtij sektori nuk shohin shpresë për rritjen e investimeve. Pritjet për aspekte të ndryshme të biznesit si prodhimi, kërkesa dhe punësimi në tremujorin e parë të vitit 2012 janë negative. Rreth 85.4% e bizneseve ndërtuese nuk parashikon të kryejë investime të reja në gjashtëmujorin e ardhshëm. Shërbimet vazhdojnë të kenë pak shpresë edhe për vitin 2012. Në raportin e bankës theksohet se pritjet e bizneseve të shërbimeve janë pesimiste edhe për tremujorin e parë të vitit 2012. Bizneset presin ulje të kërkesës për shërbime dhe keqësim të gjendjes së tyre të përgjithshme të biznesit. Pritjet për keqësim të situatës ekonomike janë më pak pesimiste sesa pritjet për aspekte të lidhura ngushtë me ushtrimin e aktivitetit të tyre. Pjesa e fundit që plotëson tablonë e krizës janë parashikimet e individëve. Sipas bankës, konsumatorët presin rritje të çmimeve në tremujorin e parë të vitit 2012 dhe gjatë 12 muajve në vijim. Konsumatorët presin rritje të nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm. Bazuar në vlerësimet sasiore të konsumatorëve për normën e inflacionit pas 12 muajsh, vlera e pritur rezultoi 2.2%, nivel ky i njëjtë me atë të shprehur në tremujorin e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.