Frenon rritja e yield-eve të bonove 12-mujore

03/02/2021 10:00 AM 0 komente

Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit e frenuan rritjen në ankandin e parë të muajit shkurt.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar qëndroi në nivelin 1.99%, po aq sa në ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në gjysmën e dytë të muajit nëntor.

Ndërkohë, bonot me maturim 6-mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.58%, nga 1.35% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Megjithatë, ankandi i fundit i bonove 6-mujore ishte zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar dhe rritja e yield-it shpjegohet kryesisht me ndryshimin e lehtë në rritje që kanë pësuar ndërkohë interesat në tregun primar.

Raportet mes kërkesës dhe ofertës në tregun e bonove për momentin duken të ekuilibruara. Nga rreth 12.2 miliardë lekë bono 12-mujore të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave, kërkesat totale të paraqitura arritën në 13.6 miliardë lekë. Ndërkohë, në ankandin e bonove 6-mujore kërkesat totale në ankand kishin vlerë të barabartë mes humën e shpallur për financim. Kjo me sa duket tregon se kërkesat erdhën nga mbajtësit e bonove të maturuara, që vendosën ta riinvestonin vlerën e tyre. Megjithatë, Ministria e Financave ka pranuar vetëm të shesë vetëm 1 miliardë lekë, nga 1.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur, për ta mbajtur yield-in pak më të ulët.

Një rritje e yield-eve të bonove në fillim të këtij viti ishte e pritshme, edhe për shkak se huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të jetë më e lartë krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2020. Huamarrja në tregun e brendshëm financiar parashikohet të rritet në tremujorin e parë të këtij viti, në vlerën e 96.7 miliardë lekëve, shumë kjo rreth 23% më e lartë krahasuar me tremujorin e fundit 2020. Megjithatë, ashtu siç pritej, korrigjimi në rritje i yield-eve të bonove dhe obligacioneve po rezulton të jetë i kufizuar. Perspektivat e rritjes së normave të interesit në tregun shqiptar edhe për këtë vit janë të kufizuara, sepse ekonomia ngelet nën potencialet e veta të rritjes dhe tregu financiar paraqitet mjaft likuid.

Interesat e borxhit të qeverisë shqiptare kaluan me sukses edhe momentin e krizës që ekonomia pësoi pas goditjes së papritur të pandemisë së Covid-19 gjatë vitit 2020. Likuiditeti i lartë në tregun financiar ishte një faktor mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim. Depozitat vijuan rritjen dhe Banka e Shqipërisë injektoi likuiditet të pakufizuar në treg. Gjithashtu, eurobondi prej 650 milionë eurosh uli nevojën për huamarrje në tregun e brendshëm financiar. Të gjithë këta faktorë ndikuan në ruajtjen e interesave të ulëta të huamarrjes së qeverisë pranë niveleve më të ulëta historike edhe në vitin më të vështirë për ekonominë shqiptare në më shumë se dy dekada./E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of