Paundi vijoi rënien e tij historike pas vendimit të Britanisë për të lënë Bashkimin Europian, duke bërë që të zbresë në një nivel të ri të ulët 30 vjeçar, pavarësisht përpjekjeve të kancelarit të thesarit George Osborne për të qetësuar tregjet financiare.
Duke thyer heshtjen që nga referendum i të enjtes, kancelari britanik tha në një konferencë për shtyp se rezultati i votimit “nuk ishte ai që doja”, por autoritetet ishin “gati të përballeshin me pasojat”.
Pas një hapjeje relativisht të qetë në Londër, rënia e paundit u përshpejtua në tregtimet e mesditës, teksa monedha theu kufirin e nivelit $1.32. Goditja fillestare e referendumit u zëvendësua nga ankthi mbi pasojat që do të ketë vendimi mbi ekonominë e vendit.
Monedha britanike zbriti më shumë se 3.5% në $1.3194. Sterlina ka rënë tashmë pothuajse 14% nga niveli i lartë i $1.50 ku ishte pak pasi u mbyll votimi të enjten.
“Paqartësitë mbizotërojnë mes krizës politike në Londër dhe mungesës së një vizioni të qartë post-Brexit për momentin,” tha Kit Juckes, analist në Société Générale.
Indeksi i bursave FTSE 100 ra 1.3% në 6,059 pikë tre orë pas tregtimit, ndërsa FTSE 250, një tregues më i mirë i ekonomisë së brendshme britanike ra me 4.6%.(Lexo: http://www.ft.com/cms/s/0/42775348-3c2c-11e6-8716-a4a71e8140b0.html#axzz4CmWH7oND).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.