Ministrat e Financave të G7 dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore do të përdorin të gjitha mjetet dhe politikat e duhura për realizuar një rritje të fortë, të qëndrueshme dhe për t’u mbrojtur nga rreziqet që ka sjellë shpërthimi i koronavirusit, i cili ka nxitur frikën e një recesioni global.
Ministrat e Financave të G7 janë të gatshëm të ndërmarrin veprime, duke përfshirë masat fiskale, ndërsa bankat qendrore do të vazhdojnë të punojnë për të mbështetur stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike, thuhet në deklaratën e përbashkët, pas telekonferencës së zhvilluar këtë të martë.
Ata thanë se ishin të gatshëm për të bashkëpunuar më tej për “masat në kohë dhe efektive”, ku veprimet do të ndërmerren individualisht nga secili shtet, megjithëse nuk detajuan ndonjë masë specifike që do të miratohej, shkruan Reuters.
Përhapja e koronavirusit po e shtyn ekonominë botërore në rënien e saj më të keqe që nga kriza globale financiare, paralajmëroi Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) një ditë më parë, duke iu kërkuar qeverive dhe bankave qendrore të luftojnë për të shmangur një rënie më të shpejtë.
OECD paralajmëroi se një përhapja e virusit do të zgjasë në kohë, mund të sjellë përgjysmimin e normës së parashikimit të rritjes globale nga pothuajse 3 për qind në 1.5 për qind këtë vit.
“Duke pasur parasysh ndikimet e mundshme të COVID-19 në rritjen globale, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të përdorur të gjitha mjetet e duhura të politikave për të arritur forcim dhe mbrojtur nga rreziqet anësore,” thuhet në deklaratën G7 – që përfshin Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanada, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Ata gjithashtu përshëndetën angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për të ndihmuar vendet anëtare të adresojnë tragjedinë njerëzore dhe sfidën ekonomike të paraqitur nga COVID-19.