Në hijen e pallatit të madh francez, ndodhet një fshat i vogël, ndërtimi i të cilit u kërkua nga Mbretëresha Marie Antoinette. Aty duket se koha ka ndalur.
Njerëzit udhëtojnë për arsye të ndryshme, por të gjithë ndajnë të njëjtën dëshirë: të njohin dhe vizitojnë botën dhe mrekullitë e saj.
Aventurierët më të vëmendshëm, ata që e kanë bërë udhëtimin mision jetësor, e dinë mirë se bukuria e vërtetë shpesh fshihet nën hijen e vendndodhjeve më të famshme, ato që vizitohen nga mijëra turistë çdo ditë.
Dhe pikërisht në një nga këto vende, të fshehura nga madhështia e madhe e një pallati, është një fshat i vogël rural, me ndërtesa druri dhe çati prej kashte, i karakterizuar nga një atmosferë artistike si e kohëve të shkuara.
Një vend ku festat, shkëlqimi dhe luksi nuk mund të ekzistonin, sepse gjithçka i dedikohej thjeshtësisë autentike.
Hameau de la Reine, është fshati ndërtimi i të cilit u kërkua nga Mbretëresha Marie Antoinette, për t’i shpëtuar oborrit dhe angazhimeve mbretërore.
Dhe është një fshat magjik dhe rural që ndodhet pikërisht në hijen e Pallatit të famshëm të Versajës.
Na ishte njëherë e një kohë një fshat i magjepsur
Ishte viti 1782 kur mbretëresha Marie Antoinette e Habsburg-Lorenës porositi arkitektin Richard Mique për të ndërtuar këtë fshat të vogël.
Dëshira e saj ishte të mund të largohej nga oborri i Versajës, nga shkëlqimi dhe luksi, nga festat dhe ngjarjet mbretërore, për të përqafuar një mënyrë jetese më autentike dhe të thjeshtë.
E frymëzuar nga shkrimet e Rousseau, mbretëresha ndërtoi një fshat rural, që nuk kishte asnjë lidhje me madhështinë e pallatit.
U ndërtua një fermë, një kullë me një far, një stallë, një mulli dhe një boudoir.
Të bëra me materiale natyrore, si çati kashte, të gjitha ishin të rrethuara nga kopshte perimesh, kopshte me lule dhe pemishte.
Hameau de la Reine, që fjalë për fjalë do të thotë Fshati i Mbretëreshës, u zhvillua rreth ndërtesës kryesore, Shtëpisë së Mbretëreshës, dhe ndahej nga një lumë i vogël artificial, që derdhej te një pellg.
Një vend magjik dhe përrallor ku Marie Antoinette pëlqente të kalonte ditët e saj.
Fshati i Mbretëreshës, u braktis pas Revolucionit Francez. Por askush nuk e ka harruar.
Pas tre përpjekjesh restaurimi, e fundit që daton në vitet ’90 të shekullit të kaluar, fshati i është kthyer lavdisë së dikurshme dhe mbetet ende një vend i jashtëzakonshëm dhe sekret për t’u zbuluar.
Si të arrini në fshatin e Mbretëreshës
Ajo që ka mbetur nga fshati i lashtë i Mbretëreshës është simboli i një të shkuare që nuk mund të harrohet.
Duke ecur nëpër rrugët e fshatit, duket sikur koha ka ndalur si me magji
Ndërtesat e restauruara në vitet 1990 nga Pierre-André Lablaude, dhe së pari nga Napoleon Bonaparte dhe sipërmarrësi John Rockefeller Jr, ruajnë ende bukurinë e tyre origjinale.
Hameau de la Reine ndodhet në Petit Trianon, një zonë e parkut të Pallatit të Versajës, dhe mund të arrihet gjatë vizitave në rezidencën e lashtë dhe madhështore, edhe pse është një nga pjesët më pak të njohura nga i gjithë kompleksi.
Dhe kjo e bën fshatin përrallor edhe më të bukur. / Si Viaggia