Nëse Italia njihet, mbi të gjitha, për qytetet e saj historike, qytetet dhe fshatrat e vegjël të vendit kanë luajtur prej kohësh një rol kryesor në historinë mijëra vjeçare të gadishullit.
Ka mijëra nga këto vende; disa madje kanë fituar famë botërore, si Portofino dhe Positano – dikur fshatra të qetë peshkimi, tani janë kthyer në ndalesa të domosdoshme për njerëz të famshëm dhe manjatë ndërkombëtarë, të cilët kanë zgjuar interesin për të vizituar brigjet shkëmbore dhe peizazhet përrallore të detit.
Vitet e fundit, turmat e turistëve janë drejtuar në fshatrat e Cinque Terre, duke kapërcyer shifrën më shumë se dy milionë në pikun e sezonit. Por shumë fshatra mbeten të pazbuluar, edhe pse bukuritë e tyre të fshehta ofrojnë mundësinë për të njohur atë Italinë autentike, aq të lakmuar nga udhëtarët sot.

Çdo vit, “I Borghi più Belli d’Italia” (shoqata Fshatrat më të Bukur të Italisë), e krijuar brenda ANCI (Associazione Nazionale Comuni Italiani – Shoqata Kombëtare e Komunave Italiane) dhe e përkushtuar ndaj ruajtjes dhe promovimit të komuniteteve të vogla të vendit, shpesh të panjohura, zgjedh një grup për ta shtuar në listën e fshatrave më të bukur në Itali.
Konkurrenca është e fortë – për të fituar emërtimin e lakmuar, një fshat duhet të plotësojë kritere të shumta, si p.sh. të ketë një përqindje të caktuar të ndërtesave dhe strukturave me cilësi arkitekturore, që të mos e kalojnë një madhësi të caktuar – kandidatët nuk mund të kenë më shumë se 2000 banorë.
(Cornello dei Tasso në Lombardi, i pranishëm në listën e vendeve më të bukura, i cili njihet pasi ka krijuar një nga sistemet e para postare në botë, ka popullsi vetëm 45 banorë).

Këtë vit, 14 fshatra “të rinj” u bënë pjesë e listës (duke e çuar totalin e grupit në 348), duke përfshirë qytetin shumëngjyrësh bregdetar të Celle Ligure në Liguria; Guarene, në fshatin e Piemontes të Roero, i mbuluar me vreshta; Malcesine mesjetar, në liqenin Garda dhe Bagno di Romagna në Emilia-Romagna, që daton nga koha romake dhe i njohur për ujërat e tij termale.
Llojet e fshatrave, përvojat që ato ofrojnë, janë të shumëllojshme. Faqja e internetit të “I Borghi più Belli d’Italia” ofron informacion mbi historitë e fshatrave, traditat dhe kuzhinën vendase.
Një tjetër lajm i mirë për planifikimin e udhëtimit: shoqata sapo botoi një udhëzues në anglisht të fshatrave më të bukur në Itali, një libër i ilustruar me 400 faqe me shkrime dhe detaje mbi kuzhinën vendase e vendet për t’u vizituar.
Shumë fshatra janë në garë me kohën. Ndryshimet demografike, kulturore dhe ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore kanë dëmtuar qytetet e vogla, duke shkaktuar në shpopullim dhe duke shkatërruar infrastrukturën.
Disa komunitete kanë ndërmarrë nisma si shtëpitë 1 € ose bonuse për banorët e rinj për të rigjallëruar qytetet e tyre, por shumë vende kanë nevojë për më shumë programe nxitëse për të mbijetuar.

Fiorello Primi, president i shoqatës “I Borghi più Belli d’Italia”, e ka përshkruar procesin e shpopullimit si kërcënim serioz për trashëgiminë kulturore të vendit.
Ai ka kërkuar “një strategji kombëtare afatmesme dhe afatgjatë” dhe përdorimin e burimeve të konsiderueshme për të siguruar që shumë fshatra jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të rriten. (Së fundi, fondet e BE për rimëkëmbjen nga Covid do të ndihmojnë 21 fshatra të vegjël, pjesë e më shumë se 200 miliardë dollarë mbështetje për Italinë).
Pandemia, me të gjitha tragjeditë e saj, mund të ketë shërbyer si spirancë shpëtimi për disa fshatra, duke shërbyer si katalizator për banorët e qyteteve që largohen prej tyre për në zonat rurale, për shkak të mundësisë për të punuar në distancë.

Një tjetër tendencë duket se po ndihmon – një numër i madh italianësh të brezit të mijëvjeçarëve po marrin në konsideratë ndryshimin e stilit të jetesës, duke zgjedhur të punojnë në zonat rurale.
Coldiretti, Shoqata e Fermerëve Italianë, raportoi se numri i të rinjve italianë që zgjedhin punë në bujqësi, u rrit me 14% në 2020 krahasuar me pesë vitet e mëparshme.
Megjithatë, ka shumë për të bërë për të siguruar mbijetesën e fshatrave të Italisë dhe trashëgimisë së tyre të paçmuar. Siç vëren Fiorello Primi në hyrjen e librit udhëzues, lista e “fshatrave më të bukur” përfaqëson më të mirën e trashëgimisë kulturore më pak të njohur të Italisë. / Forbes