Tre investime janë bekuar së fundmi me statusin “strategjik” duke përfituar nga lehtësitë që ofron kjo kornizë ligjore, ndërkohë që tre të tjerë janë në proces shqyrtimi ose plotësimi dokumentacioni. Nga tetë fusha që mund të përfitohet statusi dominojnë kërkesat për fshatra turistikë, projektet e të cilëve po mbijnë “si kërpudha pas shiut” në gjithë bregdetin shqiptar. Komiteti i Investimeve Strategjike ka rrëzuar vetëm dy projekte, nën argumentin e mungesës së maturimit apo strukturave të akomodimit. Por cilët janë investitorët e rinj strategjikë dhe ata në pritje për “statusin”?
Nga Nertila Maho
Në vitin 2015 qeveria e majtë do të kujdesej që të “thurte” një kuadër të tërë për investimet strategjike. Kjo sigurisht u pa si një mundësi për të ofruar më shumë garanci ndaj investitorëve ku problematika kryesore ka qenë gjithmonë, ajo e pronësisë por jo vetëm. Ligji përcaktonte të paktën gjashtë sektorë ku investimet private, publike apo mikse të të dyjave mund të kategorizoheshin si investime strategjike. Këto sektorë nisin me energjinë dhe minierat, transportin, telekomunikacionin, infrastrukturën dhe mbetjet urbane, turizmi, bujqësia dhe peshkimi, zonat ekonomike apo zonat me prioritet zhvillimin. Në një variacion kaq të madh sektorësh ato që kanë zënë radhë për të përfituar statusin janë fshatrat turistikë, që po mbijnë si “kërpudha pas shiut” në gjithë bregdetin. Komiteti i Investimeve Strategjikë i cili “bekon” investitorët me statusin “strategjik” ka shqyrtuar tetë dosje ku të paktën për tre prej tyre ka dhënë miratimin, dy janë refuzuar dhe pjesa tjetër është kërkuar të plotësojnë dokumentacion shtesë. (Shqyrtimi është bërë në fund të 2017 por zbardhja e vendimeve është kryer në shkurt 2018). Por cilët janë në fakt projektet që kanë marrë statusin dhe të tjerët që presin në radhë.
“Agrocon” projekti 5.8 milionë euro kalon tek investimet strategjike
Komiteti i Investimeve Strategjike ka vendosur që të miratojë dhënien e statusit investim strategjik procedurë e asistuar për projektin e investimit me potencial strategjik “Agrocon”. Referuar dokumenteve zyrtare, vlera e projektit është 5.8 milionë euro dhe parashikon që të punësojë 66 persona. Zbatuesi, në këtë rast subjekti “Agrocon”, parashikon realizimin e një ferme bujqësore për kultivimin e perimeve në ambiente të mbrojtura, të mbyllura e të hapura, dhe realizimin e një magazine të grumbullimit të perimeve, në Fshatin Ngurrës e Vogël, Komuna Krutje, Rrethi Lushnje. Kompania ka një kontratë qiraje 90 vjeçare me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në vendimin e miratuar në Komitetin e Investimeve Strategjike thuhet se duhet të shihen me prioritet zgjidhja e çështjes së truallit ku ushtron aktivitetin kompania, kjo më tepër e lidhur me përshpejtimin procedural. “Agrocon” është në pronësi të grupit Balfin, dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 6 dhjetor 2013. Vetëm pak vite më pas, në qershor të vitit të kaluar Balfin do të hiqte dorë nga ky investim për ta shitur tek Roland Kadiu sipas një marrëveshje paraprake mes palëve por në 14 shkurt 2018 pranë QKR u njoftua anulimi i kësaj marrëveshje, duke lënë sërish 100 për qind të kuotave tek ortaku juridik Balfin.
Vala Mare II, “nuk e kalon provën”, s’ka struktura akomoduese
Projekti Vala Mare II është i dyti i servirur në tryezën e Komitetit të Investimeve Strategjike. Subjekti investues Mane TCI, pjesë e grupit Balfin, ka kërkuar që të përfitojë statusin nisur nga plotësimi i kriterit të kufirit të investimit por duket se kjo nuk ka bindur qeverinë që të japë miratimin. Vala Mare II është një vijim logjik i një investimi më të hershëm në Hamallaj pranë Gjirit të Lalëzit, Vala Mare Residences. Në sqarimin që jep Komiteti i Investimeve Strategjike për refuzimin e statusit thuhet se mungojnë strukturat akomoduese. “Komiteti i Investimeve Strategjike, vendosi mospranimin e kërkesës për përfshirjen e projektit investues “Vala Mare II”, me subjekt investues “MANE TCI” Shpk, në Hamallaj, Gjiri i Lalzit, Durrës, ZK.1925, në “procedurën e veçantë”, për mungesë të strukturave akomoduese turistike në projektin Vala Mare II, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit të turizmit në fuqi” thuhet në vendim. Orientimi që ka pasur edhe më herët Vala Mare Residences ka qenë ai i shitjes në tregun imobilar të vilave duke shërbyer si komplekse rezidenciale dhe jo si struktura akomoduese në funksion të turizmit. Refuzimi nga statusi i investitorit strategjik nuk do të thotë që investitori nuk mund të vijojë me planin e zbatimit nëse kalon të gjitha hallkat e nevojshme, thjesht ai nuk përfiton nga lehtësitë që ofron kuadri ligjor “Për investimet strategjike”.
“Shuhen” shpresat edhe për “Saranda Marina Resort & Senior Housing”
Një resort në Sarandë ka qenë projekti i tretë i diskutuar në Komitetin e Investimeve Strategjike por që nuk ka arritur të marrë miratimin. Saranda Marina Resort & Senior Houses, një propozim i Concord Investment, nuk ka përfituar statusin e investimit strategjik. Në vendimin e KIS thuhet se projekti është ende i pamaturuar dhe për më tepër bie ndesh me kriteret teknike që janë miratuar në Planin e Përgjithshëm Vendor të Sarandës ku zona e planifikuar për resortin ka një tjetër orientim. “Projekti i investimit ‘Saranda Marina Resort & Senior Housing’ vlerësohet i pamaturuar. Plani zhvillimor i projektit Saranda Marina Resort shtrihet në Zonën Kadastrale Nr. 8642 Sarandë dhe përfshin zonën e ish – Repartit Ushtarak në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, zonën e portit të peshkimit dhe zonën e kalatës tregtare të Portit të Sarandës në pronësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ky projekt investimi është në mospërputhje me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Sarandë. Kriteret teknike të PPV Sarandë parashikojnë që destinacioni i zonës është rekreacioni/rigjenerimi urban, dhe jo banim e resort që do ta kthenin zonën në territor privat me përdorim të kufizuar” vlerëson Komiteti i Investimeve Strategjike. Në thelb të këtij investimi përveç resortit parashikohej edhe një port për ankorimin e jahteve dhe zbatimi i kësaj pjese duket se lehtësohej nga fakti që ishte në një zonë ku ndodhet porti i peshikimit në zonën e kalatës tregtare të Portit të Sarandës.
“San Pietro” investim strategjik, pesë lehtësitë që përfiton projekti 88 milionë euro
Në prill 2017 Concord Investments sh.p.k pjesë e grupit Edil Al, do të inaguronte fillimin e punimeve në një resort në Gjirin e Lalzit “i pagëzuar” si “San Pietro”. Ky kompleks sipas projektit të depozituar në Komitetin e Investimeve Strategjike parashikon një vlerë investimi prej 88 milionë euro, ndërkohë që numri i të punësuarve gjatë fazës së realizimit dhe operimit do të jetë 250 persona. Në vendimin e KIS , “San Pietro” ka përfituar statusin “Investim strategjik me procedurë të veçantë” për një afat 2 vjeçar. Kjo i garanton kompanisë investuese mbështetje në disa aspekte. Së pari kryerjen e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara,
në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Së dyti asistencë në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit. Së treti miratimin në parim dhe lejimin e përdorimit të bregut të detit dhe të zonës përkatëse së plazhit përpara kompleksit sipas kuadrit ligjor në komunën Ishëm në Durrës. Së katërti i garantohet infrastrukturë ndihmëse, për sa i përket nevojave për furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik dhe furnizimit me ujë të pijshëm, sipas përcaktimeve të planit të veprimit për realizimin e projektit bashkëlidhur këtij vendimi. Së pesti investitori përfiton asistencë në lidhje me kryerjen e veprimeve në lidhje me konsolidimin e tokës, sipas përcaktimeve të planit të veprimit për realizimin e projektit. Por çfarë parashikon në fakt projekti “San Pietro”? Vetë kompania Edil Al shprehet se investimi është konceptuar si një kompleks elitar turistik, në zonën më veriore të Gjirit të Lalzit, pranë Kepit të Rodonit, me një sipërfaqe ndërtimi 140.000 m2, e cila shtrihet në një truall me sipërfaqe totale 334.827 m2. Projekti është i ndarë në dy hapësira të mëdha: hoteleri me 5 yje, me 500 dhoma dhe fshat turistik e ambiente shërbimi. Drejtorja e Marketingut e Edil Al Ermira Brozi pak kohë më parë tha për “Monitor” se projekti parashikon zonën rezidenciale luksoze dhe hotelin me 5 yje që synojnë të kthehen në destinacionin kryesor turistik të individëve dhe familjeve jo vetëm nga Shqipëria, por dhe rajoni e më gjerë. Sipas saj, avantazh në këtë rast nuk është vetëm projekti por fakti që menaxhimi është lënë në dorë të një emri ndërkombëtar. “Hoteli me 5 yje do te menaxhohet nga një emër ndërkombëtar në fushën e turizmit elitar “Meliá Hotels International. Grupi Spanjoll është i njohur për standardet e tij të larta, shërbimet cilësore, dhe resortet ekskluzive. Kompleksi San Pietro nisi ndërtimin në prill 2017 dhe ka avancuar në pjesën e hapjes së rrugëve dhe ndërtimit të vilave dhe palazzina-ve (ndërtime tipike multifamiljare me lartësi të moderuar në 4-5 kate).
Kep Merli Eco Resort, në proces shqyrtimi, projekti në “sitën” e Ministrisë
Komiteti i Investimeve Strategjike ka kaluar për shqyrtim të mëtejshëm një tjetër aplikim për statusin e investitorit strategjik. Bëhet fjalë për projektin Kep Merli Resort i vendosur diku mes Sarandës dhe Ksamilit dhe konceptuar në dy pjesë sipas dy gadishujve. Në gadishullin verior janë konceptuar në total të ndërtohen 207 shtëpi në një sipërfaqe ndërtimi prej 10 mijë m2 kurse shtuar kësaj janë edhe 20 mijë m2 sipërfaqe të shfrytëzueshme me gjelbërim apo shërbime shtesë. Po kështu përfshihen tre suita luksoze, 3 restorante dhe tre bare. Kurse në gadishullin jugor dominon hoteli me pjesën e shërbimeve ekstra. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të kompanisë nënvizohet se janë 250 dhoma të planifikuara për ndërtim, kurse godina qendrore e hotelit zë një sipërfaqe 15 mijë metra katror. Në shtesë të kësaj janë edhe 33 vila mesdhetare të përshtatura për familje ose grupe ku secila ka pishinën e vet individuale. Pikërisht nën këtë projekt duket se investitori Boiken Developments ka kërkuar përfitimin e statusit të investimit strategjik. Kompania aktualisht ka zhvilluar vetëm një pjesë të projektit fillestar me vila ndërkohë që mbetet ende për t’u zbatuar pjesa më e madhe. Komiteti ka vendosur që të mos marrë një vendim final duke ia kaluar aplikimin Ministrisë për Turizmin dhe Mjedisin. Kjo e fundit duhet që të shqyrtonte me një grup punë dokumentacionin dhe situatën e projektit dhe në rast se e shihte të arsyeshme të kërkonte dokumente shtesë nga aplikanti. “Pas analizës, ministria përgjegjëse për turizmin, dorëzon raportin e vlerësimit tek Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, e cila në cilësinë e Sekretariatit Teknik të KIS, përgatit raportin final të vlerësimit për projektin ‘Kepi Merlin Eco Resort’ për ta paraqitur në mbledhjen e radhës së KIS” thuhet në vendimin e Komitetit. Koncepti që investitori ka përcjellë në aplikimin e tij duket të jetë ai “eco” që lidhet me qëndrueshmërinë dhe ndikimin e ulët mjedisor. Projekti fillestar i kompanisë përfshin edhe dy porte jahtesh ku mund të ankorohen mjetet lundruese ose të kryhen shërbime të tjera të lidhura me to. Kompania ka saktësuar se hoteli do të ketë menaxhim të huaj nga një “brand” (markë) ndërkombëtar që menaxhon hotele me 4 dhe 5 yje.
Një tjetër kompleks turistik në Dhërmi, Startek kërkoi statusin por…
Startek Construction, e cila më herët ka zbatuar projektin me vila në Gjirin e Lalzit, i njohur si “New Born” ka aplikuar për të përfituar statusin e investimit strategjik për një kompleks turistik në Dhërmi. Në faqen e kompanisë mund të gjesh projekte aktuale, në zhvillim apo edhe të ardhshme por jo detaje mbi projektin që është paraqitur në KIS. Vetë Komiteti pasi ka marrë në shqyrtim dosjen ka vendosur ta lërë për rishqyrtim në një moment të dytë. Në argumentin e Komitetit nënvizohet se projekti është ende i pamaturuar. “Subjekti propozues duhet të plotësojë dosjen e projektit me dokumentacion mbi identifikimin e qartë të zonës së synuar për zhvillim në ZK Nr. 1481 dhe me kontratat e lidhura ndërmjet pronarëve dhe subjektit propozues së projektit “Kompleks Turistik Dhërmi”. Projekti duhet të jetë në përputhje me termat teknikë të Planin e Përgjithshëm Vendor Bashkia Himarë.
Subjekti propozues duhet të paraqesë garanci financiare shtesë për realizimin e projektit të synuar. Duhet të bëhet plotësim i mëtejshëm me dokumentacion shtesë sipas pikave të lart përmendura të realizohet nga subjekti propozues brenda 30 ditëve. Ky afat vendoset
duke marrë parasysh kohën që nevojitet për të lidhur marrëveshjet me pronarët” thuhet në vendimin e KIS. Kjo do të thotë që statusi “strategjik” ka mbetur pezull dhe do të varet nga plotësimi i kushteve të tjera të përcaktuara nga institucionet.
“Delta Bay Resort”, Palasë në proces, i kërkohet garanci financiare
Lista e projekteve me fshatra turistike duket se është e gjatë dhe të gjithë kërkojnë të marrin statusin e investitorit strategjik. “Delta Bay Resort”, një projekt që ka nisur të lakohet qysh nga viti 2013, ka paraqitur gjithashtu kërkesën e tij për të përfituar statusin e investimit strategjik. Projekti do të zbatohet në zonën e quajtur Plazhi i Dhraleos, fshati Palasë, Bashkia Himarë dhe synon ndërtimin e një kompleksi turistik me vila dhe hoteleri 2-3 kate si dhe infrastrukturën e nevojshme në funksion të investimit. Në sipërfaqen prej 14 mijë metrash katrorë do të shtrihen disa dhjetëra vila dhe dy hotele. Subjekti XH& M që është edhe aplikuesi pranë KIS për përfitimin e statusit është i njëjti që ka zbatuar ndërtimin e Lungomares në Vlorë si dhe një seri projekteve të tjera. Komiteti nuk ka vendosur refuzimin e dhënies së statusit por ka kërkuar që paraprakisht të plotësohen edhe disa hallka të tjera që lidhen me kalimin e projektit në Këshillin Kombëtar të Territorit si dhe garancinë Financiare. “Plotësim i mëtejshëm me dokumentacion shtesë mbi kërkesën për përfshirjen e projektit investues ‘Delta Bay’, me subjekt investues aplikues ‘XH&M shpk’, në procedurën ‘Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar’. Subjekti propozues duhet të paraqesë garanci financiare shtesë për realizimin e projektit të synuar pasi dokumentacioni i dorëzuar nuk përmbush kriterin e garancisë financiare.
Të pritet Vendimi i KKT mbi kërkesën për aplikim Nr. 916 Prot, datë 11.04.2017
të subjektit për miratimin e Lejes së Ndërtimit për objektin: “Delta Bay Resort kompleks
turistik, vila dhe hoteleri 2 kat në plazhin e Dhraleos, fshati Palasë, Bashkia Himarë” thuhet në vendim.
“Gone Perivol” në Dhërmi, investimi 32 milionë euro përfiton statusin
I fundit në listën e projekteve që ka kaluar Komiteti i Investimeve Strategjike është realizimi i një kompleksi turistik i njohur si “Gone Perivol” në Palasë pranë fshatit Dhërmi. Vlera e investimit sipas detajeve të dhëna nga kompania është 32 milionë euro dhe përgjatë fazës së realizimit dhe operimit numri i personave të punësuar do të jetë 200. Subjekti zhvillues është Concord Investments. Në parashtrimin bërë para KIS projekti parashikon realizimin e një kompleksi turistik në zonën e quajtur “Gone”, në plazhin e Perivolit, pranë fshatit Dhërmi. Ai shtrihet në të gjithë faqen e kodrës duke zënë një sipërfaqe rreth 14 mijë m2 i ndarë në dy hapësira të mëdha: hoteleri dhe fshat turistik e ambiente shërbimi. Projekti ka marrë lejen e zhvillimit nga ana e KKT-së si dhe leje ndërtimi në vitin 2017. Statusi strategjik “Investim strategjik me procedurë të asistuar” i është dhënë investimit “Gone Perivol”, për një periudhë 3 vjeçare. Ashtu sikurse ndodh me investimet e kësaj natyre që përfitojnë statusin, janë të paktën pesë lehtësi, që ofrohen nga ana e qeverisë. “Kryerje e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Asistencë në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit. Miratimin në parim dhe lejimin e përdorimit të bregut të detit dhe të zonës përkatëse së plazhit përpara kompleksit në përputhje me Leje Zhvillimi me Vendim Nr. 7, datë 11.10.2016 të KKT ‘Për miratimin e lejes së Zhvillimit për objektin: ‘Kompleks Turistik “Gone-Perivol’ me vendndodhje në Bashkinë Himarë dhe Leje Ndërtimi me Vendim Nr.11, datë 12.04.2017 “Për miratimin e Lejes së Ndërtimit për objektin: ‘Kompleks Turistik ‘Gone-Perivol’ me vendndodhje në Bashkinë Himarë. Infrastrukturë ndihmëse, për sa i përket nevojave për furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik dhe furnizimit me ujë të pijshëm, sipas përcaktimeve të planit të veprimit për realizimin e projektit, bashkëlidhur këtij vendimi.
Asistencë në lidhje me kryerjen e veprimeve në lidhje me konsolidimin e tokës, sipas përcaktimeve të planit të veprimit për realizimin e projektit” thuhet në vendimin e publikuar nga Sekretariati i Komitetit të Investimeve Strategjike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.