Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të ishte një nga institucionet kryesore të angazhuara në procesin e rindërtimit, duke mbështetur bashkitë në të gjithë vendin që u prekën nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Ky Fond do të angazhohej direkt në procedurat e prokurimit për disa nga bashkitë me përjashtim të Tiranës. Por si është zhvilluar programi i rindërtimit hap pas hapi, nga dita e parë pas tërmetit e deri më sot?
Një ditë pas tërmetit:
- 11,490 njësi banimi të shkatërruara ose të rrënuara plotësisht. Ndërtesa publike, infrastrukturë publike, argjinatura lumenjsh, diga, etj.
- 36 objekte shëndetësore, qendra të kujdesit parësor, spitale, qendra shëndetësore të dëmtuara pjesërisht ose plotësisht;
- 312 objekte arsimore në të gjitha nivelet të dëmtuara pjesërisht ose plotësisht.
E nesërmja e trishtë e pas tërmetit mobilizoi Qeverinë dhe të gjitha institucionet në nivel qendror dhe lokal, në një mobilizim mbarëkombëtar për shpëtimin e jetëve njerëzore të mbetura në rrënoja, strehimin e përkohshëm, por të sigurt, të të pastrehëve, verifikimin e dëmeve dhe dhënien e sigurisë për banorët për shkallën e dëmtimit të ndërtesave.
Në një katastrofë natyrore si ajo e 26 Nëntorit 2019, hapi i parë i fillimit të një pune kombëtare ishte evidentimi i dëmeve.
Dëmtimi masiv i ndërtesave, nxori në dukje problematikat madhore në çdo hallkë të sektorit të ndërtimit, që nga abuzimet në cilësi e standard të firmave ndërtuese, neglizhencë dhe abuzivitet në inspektimet dhe kolaudimet e ndërtesave, shkelje të projekteve të ndërtimit, duke shtuar kate banimi, abuzime të pronarëve të bizneseve në katet e para të ndërtesave ekzistuese, duke dëmtuar, apo duke prishur kolonat mbajtëse, etj.
Pasiguria shoqëroi banorët në zonat e dëmtuara, duke kërkuar ekspertim nga ekipet miks vendase dhe ndërkombëtare të vlerësimit në terren.
FSHZH mobilizoi të gjithë stafin. Personeli inxhiniero-teknik, me inxhinierët dhe stafin mbështetës u angazhuan në inspektimin e ndërtesave në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti.
Së bashku me ekipet e ndihmës së ardhur nga vende të botës dhe stafin e institucioneve të tjerë të angazhuar, u përgatitën akte konstatimi dhe u kategorizuan ndërtesat sipas shkallës së dëmtimit.
Mundësitë për të financuar rimëkëmbjen ishin rialokimet buxhetore, zotimet e donatorëve, huatë ose grantet, ose kontributet nga sektori privat.
Qeveria miratoi Programin për Rindërtimin, i përmbledhur në 5 nënelemente:
- ndërtimi i ndërtesave të reja dhe njësive të veçanta të banimit;
- rimëkëmbja e ndërtesave ekzistuese përmes granteve;
- fondi i strehimit social;
- rindërtimi i objekteve publike dhe infrastrukturës;
- masat e rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike.
Në vijim, u miratuan kantiere ndërtimi me plane për rindërtim dhe u hapën procedurat e tenderimeve për fillimin e ndërtimit.
Menjëherë u miratuan programet e bonusit të qirasë për banorët e dëmtuar, ku u kualifikuan paraprakisht për përfitimin e bonusit mijëra familje.
Nga qeveria, u miratuan planet e ndihmës financiare për qytetarët, sipas dëmit të pësuar. Aplikimi për të përfituar nga grantet e rindërtimit të shtëpive individuale u bë nga përfituesit drejtpërdrejt në strukturat përgjegjëse të njësive të vetëqeverisjes vendore, ku u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Nga tragjedia në mundësi
Tërmeti i nëntorit 2019 ishte një goditje e rëndë, por nga ana tjetër, nëpërmjet “Programit të Rindërtimit”, u krijua mundësia që ringritja pas goditjes të jetë sipas një modeli të ri zhvillimi për Fushë-Krujën, Thumanën, Durrësin, Tiranën dhe gjithë zonat e prekura.
Kjo katastrofë natyrore, për këto familje, u pa edhe si një mundësi e madhe për t’iu dhënë atyre një nivel të ri jetese nga pikëpamja e kushteve të banimit, kushteve të shkollimit të fëmijëve, dhe ofrimit të shërbimeve jetësore. Kjo ngjarje shërbeu si katalizator i një ndryshimi të madh, përmes rindërtimit edhe rikonceptimit të shumë aspekteve të zhvillimit.
Lagjet e reja u kthyen në qendra për shërbime komunitare, duke mundësuar që brezi i ri i këtij komuniteti të rritet me kushte dinjitoze dhe më afër ekosistemit të dijes dhe inovacionit.
Rindërtimi në Zonën e Re për Zhvillim, në të gjitha njësitë administrative, krijoi modelet e lagjeve më të mira, më të bukura dhe standarde më të larta. Gjithashtu, në të njëjtin truall u rindërtuan edhe banesat individuale, sipas standardeve bashkëkohore dhe atyre europiane.
Standardet e projektimit dhe ndërtimit, në kuadër të procesit të rindërtimit, kombinuan elementet moderne të ndërtimit me sigurinë antisizmike, eficiencën e energjisë, infrastrukturën mbështetëse, mjedisin dhe ofrimin e shërbimeve jetike cilësore.
Procesi i rindërtimit ka ndërhyrë edhe në infrastrukturën urbane të zonës, duke ndërtuar një rrjet të ri rrugor dhe duke sistemuar punime të përgjithshme në të gjithë njësinë administrative.
Përveç strehimit të sigurt dhe me standarde bashkëkohore për banorët e zonës, investimi parashikoi rehabilitimin e plotë të zonës, duke përfshirë infrastrukturën nëntokësore, ashtu edhe atë sipërfaqësore me rrugë, trotuare, ndriçim, mjedise të gjelbra, etj.
Lagjet kanë koncept modern të arkitekturës, por gjithashtu kanë mundësuar dhe organizim social dhe qendërzim.
Kjo mundësi e re, edhe pse erdhi pas një katastrofe natyrore, u shndërrua në një oportunitet sot më i ndjeshëm se kurrë për banorët me rritjen e vlerës së apartamenteve dhe të zonës së ndërtimit. Blloku i ri i banesave ka sjellë edhe një dimension të ri cilësor të jetës komunitare.
Rizhvillimi i zonave u konceptua në disa faza
Faza e parë dhe e dytë e zhvillimit i referoheshin plotësimit të nevojës emergjente për strehim dhe infrastrukturë si pasojë e tërmetit, ndërsa faza e tretë dhe e katërt, u shtrinë në afate më të gjatë, duke shprehur ndikimin e dinamikave makro të qytetit në zonë.
Ndër objektivat strategjikë të Zonave të Reja mund të rendisim:
- Përmirësimi i rrjeteve teknike. Zhvillim i rrjeteve të burimeve të ujërave të pijshëm, kanalizimet e ujërave të zeza dhe furnizimi me energji elektrike, si kusht i domosdoshëm për zhvillimin e mëtejshëm.
- Qyteti mik i fëmijëve. Programimi i ndërhyrjeve urbanistike me pjesëmarrje të gjerë në përmirësimin e jetës së fëmijëve në zonë, duke njohur dhe duke realizuar të drejtat e tyre.
- Përmirësimi infrastrukturor i zonave të brendshme të blloqeve.
- Zhvillimi i sistemeve të lëvizshmërisë urbane alternative (pistat e biçikletave, zona pedonale) të integruara me sistemit e transportit publik.
- Favorizimi i aksesit, përdorimi dhe ndarja e të mirave të përbashkëta urbane (Urban Commons) të gjithë qytetarëve, me kujdes të veçantë për personat me aftësi të kufizuara.
- Kontrolli dhe nxitja e kursimit të energjisë dhe të shfrytëzimit të energjive të rinovueshme (pallate me termoizolim dhe panele).
- Riformulimi i peizazhit urban, përmes kompozimit hapësinor dhe elementeve të shtuar që vijnë nga banesat e rindërtuara dhe akomodimi i banorëve.
- Integrimi hapësinor i zonave me gjithë qytetin, përmes hapësirës publike dhe funksioneve.
- Përmirësimi fizik dhe estetik i hapësirës së brendshme të zonave të ndërhyrjes.
Vizioni i zonave të reja për zhvillim do të përmblidhej në këto pika:
- Drejt një modeli të zhvillimit të qëndrueshëm urban.
- Jo vetëm ndërhyrje arkitektonike, por rikuperim hapësinor e kompozicional i blloqeve. Ndërhyrja nuk fokusohet në mënyrë të izoluar në ndërtesat arkitektonike, ajo tenton të krijojë një sistem funksional, përmes hapësirës së gjelbër e asaj lidhëse. Koncepti i ndërhyrjes tentoi të rigjenerojë zonat në terma të funksionit dhe cilësive kompozicionale të blloqeve të banimit. Ndërhyrja me volume të reja arkitektonike është një moment oportun për të rikuperuar dëme kompozicionale të mëparshme.
- Cilësia e hapësirës publike.
Koordinim dhe Reagim
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ofroi një zgjidhje të shpejtë, me çelësa në dorë dhe me projekt-ide, e njohur shumë shpesh në investimet publike.
Grupe të përbashkët pune u ngritën me përfaqësues nga Ministritë e linjës, AKPT, Institutit të Ndërtimit dhe Bashkive të prekura nga tërmeti, të cilat u angazhuan në një sërë procesesh, si: planifikimi në territor, përgatitja e projekteve teknike, sigurimi i financimeve apo dhe ndryshimet ligjore për të mundësuar dhe lehtësi për kompanitë pjesë të Rindërtimit.
Vështirësia më e madhe e hasur gjatë gjithë procesit të ndërtimit ka qenë ajo e pandemisë dhe karantina e përgjithshme që pavarësisht vonesave që shkaktoi, u arrit të tejkalohej në kohë.
U zhvillua procesi i garës për të ftuar të gjitha kompanitë e huaja apo vendase, të cilat u përfshinë në procesin e rindërtimit, duke nisur nga banesat individuale.
Puna vijoi paralelisht për planet zhvillimorë në zonat urbane, ku bëhej fjalë për banesa me shumë njësi, pra, apartamente në lagje apo blloqe të reja banimi, duke realizuar gjithçka që ishte e nevojshme nga pikëpamja e projektimit për banesat individuale në zonën rurale.
Rindërtimi në territor nisi nga familjet më të prekura dhe me më pak të ardhura e mundësi për të dalë nga kjo situatë e vështirë pas tërmetit, që përveç të tjerave, ishin të detyruar të qëndronin në çadra pranë shtëpisë së rrënuar, sepse nuk mund të shkëputeshin nga toka, nga gjëja e gjallë, nga puna në fermë dhe ishte më emergjente në raport me pjesën tjetër domosdoshmëria që të hynin nën një çati të re.
Programi u shoqërua dhe me një paketë lehtësimi fiskal, duke përjashtuar nga detyrimet e TVSH-së dhe nga taksa e ndikimit në infrastrukture, të gjitha kompanitë që ndërtuan brenda programit të rindërtimit.
Procesi i vlerësimit të thelluar ishte thelbësor nga ana juridike dhe financiare dhe ka qenë pjesa më e rëndësishme e dosjeve që u vlerësua për çdo familje. Njësi zbatuese, ishin Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës për rindërtimin dhe rikonstruksionin, AKPT ishte institucioni përgjegjës për planifikimin dhe Enti Kombëtar i Banesave si njësia zbatuese që krijoi me sukses modelet e banesave.
Programi i Rindërtimit angazhoi në vende të reja pune 25 mijë punëtorë e në procese studimi, projektimi, e zbatimi etj., rreth 470 subjekte.
I gjithë ky angazhim në nivel kombëtar bëri të mundur jo vetëm ndërtimin nga e para të banesave e shkollave, një pjesë dhe pikësore (moment që vështirësoi shpesh dhe solli problematika të konsiderueshme në akses të firmave të ndërtimit), por arriti të krijonte nga e para lagje të tëra me standarde europiane, të cilat sot strehojnë një numër të konsiderueshëm familjesh dhe ka mundësuar hapësira rekreacioni e argëtimi për të gjitha grupmoshat.
Koordinimi i financuesve/partnerëve të ndryshëm në territor:
– 31 miliardë lekë – financim i siguruar
– Qeveria shqiptare
– Banka e Këshillit të Europës (CEB) – 500 mijë euro, për projektim shkollash;
– KfW – 11 milionë euro, për ndërtimin e 4 shkollave, Bashkia e Durrësit;
– Qeveria Austriake (ADA) – 1 milion euro, për ndërtimin e 35 banesave individuale Bashkia e Mirditës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.