Totali i blerjeve të energjisë në tregun e lirë vetëm për tetorin i kanë kushtuar Furnizuesit të Mundësisë së Fundit deri më tani 34.7 milionë euro. Ky i fundit hapi këtë të premte një tjetër procedurë për të blerë energji nga tregu i lirë për datat 18-24 tetor. Në fazën e parë të procedurës u kërkuan 75 600 MWh energji. Nga mbyllja e fazës së parë OSHEE siguroi 65 për qind të sasisë së kërkuar me një vlerë prej 14 milionë eurosh ku nga dy lotet çmimi mesatar rezultoi 266 euro/ MWh dhe 318 euro MWh. Kryeministri Rama dhe OSHEE Group kane nenvizuar se tashme nuk eshte me çeshtje çmimi sigurimi i energjise por i gjetjes se saj per ta blere per shkak te krizes se pergjithshme globale qe ka çuar çmimet në bursë ne nivele ekstremisht te larta.
Duke mos arritur të plotësojë gjithë kërkesën në fazën e parë FTL ka rihapur sërish ankandin ku në lotin parë kompania kërkoi 13 104 MWh energji për fashën orare 00:00-24:00 ndërkohë që në lotin e dytë 13 328 MWh për orarin 07:00-23:00. Kjo është procedura e katër që Furnizuesi i Mundësisë së Fundit zhvillon për uajin tetor në tentative për të siguruar energjinë e nevojshme për konsum.
Në fillim të javës FTL kërkoi të siguronte mbi 44 mijë MWH energji në një procedurë që u zgjat në disa faza dhe që nuk arriti të siguronte 100 për qind të sasisë së kërkuar. Diferenca për OSHEE u plotësua nga Korporata Elektoenergjetike Shqiptare ndërkohe që fondi i shpenzuar në këtë ankand ishte 7.5 milionë euro.
Qeveria ka shpallur në vend gjendjen e emergjencës në furnizim për energjinë elektrike deri më 15 prill 2022 ndërkohë që u ka kërkuar tre kompanive kyçe të sektorit energjetik të pezullojnë investimet dhe të ndalen tek blerja e energjisë. Nga ana tjetër për OSHEE janë garantuar 100 milionë euro që do të shkojë për sigurimin e energjisë gjatë këtij viti ndërkohë që 100 milionë euro janë në dispozicion për vitin tjetër.
Me ritmet aktuale të çmimeve në bursa si dhe nëse viti do të vazhdojë të jetë i thatë edhe gjatë vjeshtës duke kufizuar prodhimin vendas nga hidrocentralet, fondi për blerje energjie mund të mos jetë i mjaftueshëm pasi më shumë se 1/3 e tij është shpenzuar ende pa u mbyllur tetori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.