Guvernatori i bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka shpjeguar në një konferencë për shtyp vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për mbajtjen e normës së interesit të pandryshuar në 2.5%.
Inflacioni vjetor u rrit në korrik duke arritur në 1.8%, pas rënies në muajt e mëparshëm, i ndikuar nga çmimet ushqimore.
Rritja ekonomike nën potencial dhe hendeku i prodhimit kanë shtuar presionet e tyre mbi çmimet. Pritjet për inflacionin mbeten të ulëta, tha Fullani, ndërsa zhvillimet monetare janë në linjë me rritjen e inflacionit në afatin e mesëm.
Fullani tha se të dhënat e pakta mbështesin një përshpejtim të rritjes ekonomike në tremujorin e dytë. Ka një ecuri më të mirë të konsumit privat, ndërsa kërkesa e huaj për mallra e shërbimeve vazhdon të rritet. Ndërsa politika fiskale konsoliduese nuk ka kontribuar në rritjen e kërkesës. Deficiti buxhetor në fund të 6 mujorit ishte 54% më i ulët se një vit më parë, tha Fullani, duke e vlerësuar këtë politikë konsoliduese. Por ai ka kërkuar një shpërndarje më të njëtrajshtme të shpenzimeve përgjatë gjithë vitit.
Në përgjigje të politikës monetare stimuluese tendenca ka qenë reduktimi i normave të interesit, me intensitet të ndryshëm, ku ndikimi më i madh ka qenë në interesat e depozitave dhe të letrave me vlerë afatshkurtër. Fullani ka pranuar se ndikimi tek interesat e kredive dhe letrat me vlerë afatgjatë ka qenë më i ngadaltë.
Rënia vjetore e kredisë në qershor ishte 1.8%. Në terma mujore kredia shënoi rritje për të dytin muaj radhazi në qershor. Fullani tha se ka sinjale se ecuria e kreditimit do të përmirësohet.
BSH tha se kërkohet një kreditim më i shpejtë i ekonomisë shqiptare.
Fullani tha se ekonomia pritet të rritet në mënyrë graduale, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, ndërsa pritet përmirësim i kushteve financiare, duke bërë që të ketë një përshpejtim në afatin e mesëm.
Vjedhja në BSH
Lidhur me vjedhjen në BSH, Fullani ka rikonfirmuar që shuma e munguar e parasë letër është 713 milionë lekë. “Do të ketë dhe një kontroll nga KLSH dhe po punojmë me shumë intensitet me partnerët tanë asistencën më të plotë që të garantojmë procesin. Shumë shpejt do fillojmë me masat”, tha Fullani.
“Banka e Shqipërisë është e impenjuar në marrjen e masave për garantim të tregut me likuiditetin e nevojshëm në parametra normalë. Ky rast i rëndë i shkëputur, kjo vjedhje, e vlerësuar me një vëmendje maksimale nga BSH, do të ndiqet pas hap hapi me të gjitha masat, në mënyrë që raste të tilla të mos ndodhin më”.
Lidhur me ankesat e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë për mosdhënia informacioni nga Banka e Shqipërisë, Fullani tha se BSH është një institucion jo vetëm i pavarur, por dhe i përgjegjshëm, llogaridhënës dhe transparent, komunikon në nivelet më të larta të përgjegjshmërisë. “Garantoj se informacioni zyrtar është dhënë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe për informacionin e duhur, përgjegjshmëria është në nivele të larta”, tha Fullani, duke shtuar se në rastet kur informacioni ka qenë e pamundur të nxirrej nga banka, anëtarët e Komisionit janë ftuar ta shohin në bankë.
“BSH që në momentet e para kur bëri kallëzimin me një vëmendje dhe përkushtim të natyrshëm, bashkëpunoi që në orët e para duke bërë njoftimet përkatëse në mënyrë që kjo çështje të zbardhet sa më mirë dhe sa më shpejt. Nëse është dikush që është më i interesuar se të gjithë për ta zbardhur këtë çështje dhe për të marrë masat që të mos përsëritet është BSH”.
Fullani shtoi se “Është ngjarja e rëndë na ka goditur, por ju garantoj se përgjegjshmëria është shumë e madhe si nga Banka e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës dhe imja personale.
Në përfundim Fullani tha se do vazhdojmë bashkëpunimin me prokurorinë që kjo çështje të zbardhet sa më mirë e më shpejt dhe të dalin përgjegjësitë.