Fundi i inflacionit?

26/10/2019 10:00 PM 0 komente

Inflacioni po e humbet kuptimin si një tregues ekonomik. Sipas Henry Curr, politika ekonomike duhet të përshtatet

 

Inflacioni ka qenë një prej fatkeqësive më të mëdha të ekonomive botërore dhe njëkohësisht një prej barrëve më të rënda dhe më shkatërrimtare të Presidentëve amerikanë, shkruan The Economist. Në vitin 1971, në mes të një ekonomie të mbinxehur, Richard Nixon doli në televizion për të njoftuar një ngrirje “të të gjitha çmimeve dhe pagave në të gjithë Amerikën”.

Më pas, një bord burokratësh vendosën se çfarë do të thoshte kjo gjë, duke filluar nga anëtarësia në klubin e golfit e deri te kontratat e së ardhmes. Gerald Ford, pasardhësi i Nixon-it, parapëlqeu një qasje më themelore. Ai shpërndau disa butona që mbanin sloganin “WIN” (Whip Inflation Now), që do të thotë “Godisni Inflacionin Tani”. Katër vjet më vonë, Ronald Reagan, i cili kandidonte për postin e Presidentit, deklaroi se inflacioni ishte “po aq i dhunshëm sa një plaçkitës, po aq i frikshëm sa një hajdut i armatosur dhe po aq fatal sa një vrasës me pagesë”.

Sot, shumica e ekonomive nuk luftojnë më me çmimet e larta. Përkundrazi, ato përballen me një inflacion shumë të ulët, gjykuar sipas objektivave të tyre të inflacionit. Edhe një dekadë me norma interesi në nivelet më të ulëta, ose pranë niveleve më të ulëta, nuk e ka ndryshuar këtë gjë. Atë nuk e ka ndryshuar as shtypja e parave nga Bankat Qendrore në Amerikë, në Eurozonë, Britani dhe Japoni, të cilat i kanë zgjeruar bilancet e tyre përtej totalit të kombinuar prej 15 trilionë dollarësh (35% të PBB-së së tyre të kombinuar). Atë nuk e ka ndryshuar as shkalla e papunësisë e cila në shumë vende është në nivelin më të ulët të dekadave të fundit.

FMN-ja numëron midis anëtarëve të saj 41 vende, në të cilat politika monetare synon inflacionin. Duke i shtuar kësaj shifre edhe Eurozonën dhe Amerikën (ku Rezerva Federale ka qëllime të shumta), ajo shkon në 43. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, 28 prej këtyre shteteve do të bien nën objektivin e tyre të inflacionit të 2019.). Sipas PBB-së, 91% e botës që synojnë inflacionin, kanë pësuar një rënie të tij. Kjo përfshin thuajse të gjitha ekonomitë e përparuara nën ekzaminim, (Islanda është përjashtimi i vetëm), dhe më shumë se gjysmën e tregjeve në zhvillim.

Kjo zhvendosje në mjedisin e inflacionit pasqyron si sukseset, ashtu edhe dështimet e politikës ekonomike. Shfaqja e Bankave Qendrore që synojnë inflacionin që nga vitet 1990 ka imunizuar gradualisht ekonomitë ndaj çmimeve tepër të larta. Por politikëbërësit duket se nuk janë të gatshëm, ose ndoshta edhe në gjendje që të parandalojnë rënien e inflacionit nën objektivat e vendosura prej tyre. Në këtë raport do të shpjegohet se pritshmëritë e inflacionit, ndryshimi teknologjik dhe qarkullimi i mallrave dhe kapitalit përtej kufijve kanë ndikuar për ta shndërruar inflacionin në një tregues ekonomik më pak të rëndësishëm.

Prandaj, për Bankat Qendrore po bëhet gjithnjë e më e vështirë arritja e objektivave të tyre. Në të njëjtën kohë, kufizimet në politikën monetare nënkuptojnë që rreziku i mungesës së inflacionit po bëhet më i rëndësishëm dhe më shqetësues si ai i rritjes së çmimeve në nivele shumë të larta. Bankierët dhe politikanët qendrorë duhet të gjejnë mënyra për t’ia përshtatur politikën ekonomike kësaj bote të re.

 

Kombet e dezinflacionit

Inflacioni i ulët po ndikon si në planin afatgjatë, ashtu edhe për atë afatshkurtër. Në planin afatgjatë, ai është kulmi i një tendence që ka filluar thuajse prej një dekade. Bota e pasur kontrolloi çmimet e larta nga fundi i viteve 1990, teksa qeveritë i bënë Bankat Qendrore të pavarura dhe u dhanë atyre objektiva inflacioni.

Në vitet 2000 dhe në fillim të vitit 2010, bumi i çmimeve të mallrave, i mbajti çmimet në rritje në një nivel të pranueshëm. Por, që nga momenti kur çmimet e naftës pësuan rënie në vitin 2014, inflacioni në shkallën mbi 2% ka qenë i rrallë. Në tregjet në zhvillim është më i lartë, por drejtimi i ndryshimit është i njëjtë. Ekonomistët prej dy dekadash flasin për një epokë të “dezinflacionit global”. Në planin afatshkurtër, inflacioni i ulët duket se kundërshton “kurbën Phillips”, marrëdhënien e supozuar të kundërt midis inflacionit dhe papunësisë. Në dy të tretat e vendeve të OECD-së, një organizatë me shtete kryesisht të pasura, një përqindje rekord e grupmoshës prej 15 – 64 vjeç kanë një punë. Sipas modeleve të mësuara në kurset e ekonomisë dhe të përdorura nga Bankat Qendrore, një bum në vendet e punës në këtë shkallë duhet të kishte sjellë çmime dhe paga të përshpejtuara. Por në pjesën më të madhe, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Ajo çka Bankierët Qendrorë kanë premtuar për vite me radhë, se së shpejti rritja e vendeve të punës do të përfundojë dhe inflacioni do të rritet, nuk ka rezultuar të jetë e vërtetë. Më në fund u vërtetua që ata e kanë pasur gabim për vite me radhë dhe tani edhe vetë ata janë të vetëdijshëm për gabimet e tyre. Në shkurt të 2016, Mario Draghi, kreu në largim i Bankës Qendrore Europiane (BQE), shtroi pyetjen më të rëndësishme, me të cilën po përballen të gjitha bankat kryesore qendrore, “A mund të përmbushen objektivat e inflacionit”? Mark Carney, Guvernator i Bankës së Anglisë, ka paralajmëruar kohët e fundit për një konsensus “ekonomiko-politik gjithnjë e më të papërshtatshëm”.

Në mars të këtij viti, Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, tha se inflacioni i ulët global ishte “një nga sfidat kryesore të ditëve të sotme”. Dështimi i Rezervës Federale për të arritur objektivin e inflacionit ka nxitur një sulm nga ana e Presidentit Donald Trump, i cili është shumë i zemëruar me lëvizjen që z. Powell bëri në vitin 2018, kur ngadalësoi rritjen duke shtrenjtuar normat e interesit për t’i dhënë fund një kërcënimi të mundshëm të inflacionit, që ende nuk është materializuar.

Sëmundja e viteve 1970 dhe 1980 u shoqërua njëkohësisht me inflacion të lartë dhe me papunësi të lartë. Rënia e tyre në nivele të ulëta sot mund të duket si një arsye shumë e mirë për të festuar. Padyshim që mosarritja e objektivit të inflacionit është një problem më pak i rëndë në krahasim me ekzistencën e çmimeve tejet të larta. Por ajo paraqet probleme për tri arsye. Së pari, ajo paraqet një mundësi të humbur. Politika monetare mund të kishte qenë më e lirshme dhe rrjedhimisht edhe rritja më e shpejtë.

Së dyti, Bankat Qendrore, që nuk kanë arritur objektivat e tyre të inflacionit, humbin pikë edhe në drejtim të besueshmërisë që ato ofrojnë për klientët e tyre. Në tregjet europiane, pritshmëritë afatgjata të inflacionit kanë rënë në pak më shumë se 1%, nivel ky më i ulët se koha kur BQE-ja filloi programin e saj për Lehtësimin Sasior në fillim të vitit 2015. Kur objektivat e inflacionit nuk janë të besueshme, gjasat që e ardhmja të ketë një kosto shumë të lartë, janë të mëdha. Inflacioni i papritur në nivele të ulëta bën që huadhënësit të fitojnë dhe huamarrësit të vuajnë, sepse borxhet nuk zvogëlohen aq shpejt në terma realë sa pritej në momentin kur u ra dakord për kreditë.

 

Bankierët Qendrorë e kanë pasur vazhdimisht gabim

Më e rëndësishmja, inflacioni i ulët mund të jetë vetëpërforcues. Më e rëndësishme se norma nominale e interesit e vendosur nga Bankat Qendrore është norma reale e interesit, e cila përshtatet për inflacionin. Por teksa publiku pret që inflacioni të ulet, norma reale rritet, duke dobësuar kërkesën dhe duke e nxitur inflacionin edhe më shumë. Ky nuk do të përbënte problem nëse Bankat Qendrore do të mund të zvogëlonin normën nominale më tej për të luftuar rënien e dezinflacionit, por ato kanë pak hapësirë për ta bërë një gjë të tillë.

Në Europë dhe Japoni, normat nominale të interesit janë tashmë nën zero. Ndërsa në Britani, ato janë pranë nivelit zero, dhe vetëm pak më të larta në Amerikë. Pyetja që lind këtu është se përse inflacioni ka arritur në këtë pikë kritike? Disa argumentojnë se inflacioni është vazhdimisht në rënie, sepse qeveritë kanë humbur aftësinë për të rritur çmimet. Megjithatë kjo nuk mund të jetë e vërtetë, pasi nëse do të ishte e tillë, ato mund të ulnin taksat në zero, të rrisnin shpenzimet, të shtypnin para për të financuar deficitet dhe të mos përballeshin kurrë me një rënie inflacioniste. Rrjedhimisht, inflacioni do t’i përgjigjet gjithmonë një politike të vendosur, e cila ka akses në normat e interesit dhe në procesin e shtypjes së parave.

Kjo mund të tregojë që inflacioni nën objektivin e duhur, pasqyron vetëm një dështim të ambicies. Por as kjo nuk plotësisht e saktë. Inflacioni po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u rregulluar, sepse ekonomitë kanë ndryshuar mënyrat e të vepruarit, të cilat nuk janë kuptuar ende plotësisht. Politika monetare jo vetëm që duhet të bëhet më ambicioze, por gjithashtu duhet të mundohet që të mbështetet sa më pak në modelet që kanë dështuar.

Dhe teksa Bankat Qendrore janë paralizuar nga normat e ulëta të interesit, lufta kundër inflacionit të ulët do të mbetet gjithnjë e më shumë një detyrë e politikës fiskale. Përpara se të merret vendimi për një reformim të mundshëm, është më e rëndësishme të arrihet të kuptohet se ku kanë çaluar modelet e ekonomisë, të cilat kanë dështuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of