Sekretari amerikan i Tregtisë tha në një intervistë për Bloomberg se shumë shpejt do të jepen 260 licenca speciale, për t’u dhënë mundësi kompanive në SHBA të bëjnë biznes me Huawei.
Huawei sheh dritë në fund të tunelit – shumë shpejt, siç deklaroi sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, në një intervistë për Bloomberg, kompanive amerikane që kanë bërë kërkesë, do t’u jepen licenca të veçanta. Kjo do të thotë që shumë prej tyre, ndër to Google, mund të bëjnë sërish biznes me Huawei dhe që Huawei, pas disa muajsh, mund të ketë sërish akses tek Google dhe aplikacionet e tij.
E gjithë kjo është pjesë e një marrëveshjeje që SHBA do të firmosë me Kinën, dhe pas disa muajsh me pasiguri, klima duket se është me e qetë. Huawei nuk ishte kompania e vetme që u përfshi, në maj të këtij viti, në listën e zezë të kompanive “armike” të SHBA. Në listën e zezë përfshiheshin 28 kompani kineze, ndër to bënin pjesë edhe kolosë si Megvii Technology e Hikvision Digital Technology Co, lider në fushën e videokamerave dhe vëzhgimit.
Por lista e zezë dëmtoi edhe kompanitë amerikane, të privuara nga një pjesë e xhiros së tyre – megjithatë duket se situata do të ndryshojë shumë shpejt. 260 kërkesat për licencë speciale do të shqyrtohen “very shortly”, pra shumë shpejt, sipas Ross. Sekretari për Tregtinë i SHBA shtoi se kanë mbërritur më shumë kërkesa se sa pritej dhe pa një ndërhyrje, Huawei do t’i ishte drejtuar kompanive të Tajvanit, Japonisë apo Koresë së Jugut për të gjetur elementet e kërkuar, duke dëmtuar edhe më shumë kompanitë amerikane.
Kërkesat nuk janë publikuar ende, por është e arsyeshme që në mesin e tyre të jetë edhe ajo e Google e natyrisht edhe Microsoft, Intel dhe kompani të tjera që kanë marrëveshje me Huawei.
Nëse situata do të zhbllokohet së shpejti, nuk përjashtohet mundësia që Huawei të ketë kohën e duhur për të hedhur në treg Mate 30 Pro me aplikacionet e Google.