Me transmetimin e mesazhit tek depozituesit e vegjël të bankave, se ata garantohen të marrin depozitat e tyre në rastin e ndonjë falimentimi të mundshëm, Agjencia e Sigurimit të Depozitave * përpiqet të zbusë lëkundjet e mundshme të bankave nga krizat e likuiditetit, ndonëse në gjendje të shëndoshë financiare, nga vërshimet e depozituesve si pasojë e pllakosjes së panikut. Kjo është fuqia që Agjencia e Sigurimit të Depozitave mundohet të transmetojë për qëndrueshmërinë e sistemit financiar të vendit. Ky objektiv është shumë i rëndësishëm, sidomos po të mbajmë parasysh faktin që shumë njerëz, përfshi këtu edhe bankierë, mendojnë që roli i ASD është i kufizuar vetëm në kompensimin e depozitave të një banke të falimentuar dhe këtu mbaron gjithçka. Përkundrazi, këtu fillon roli aktiv i ASD si një faktor stabiliteti, pasi depozituesit e bankave të tjera ndjekin me shumë vëmendje zhvillimet në bankat e falimentuara dhe kur binden se ASD mban premtimet (kompenson depozituesit NË NJË KOHË SA MË TË SHPEJTË) mund të themi se ka filluar të arrihet qëndrueshmëria në sistem. Në këtë vështrim është e domosdoshme të kuptohet se roli ekonomik i ASD nuk është i lidhur kaq shumë me paratë e shpenzuara për të kompensuar depozituesit e një banke të falimentuar sesa me sasinë e parave që ASD nuk i shpenzoi për të kompensuar depozituesit e disa bankave që nuk falimentuan si pasojë e mposhtjes së panikut që kishte pllakosur tregun. Këto raporte janë si pjesët e një ajsbergu ku pjesa e dukshme është sasia e parave të shpenzuara për të kompensuar depozituesit e bankës së falimentuar dhe e padukshmja është pjesa e parave që nuk u shpenzuan si pasojë e kthimit të besimit te depozituesit e bankave të tjera. Në këtë mënyrë ASD jo vetëm kursen mjetet e saj financiare, por mbi të gjitha ajo kursen dhe mjetet financiare të huadhënësit të fundit në radhë (lender of the last resort), që në rastin e Shqipërisë direkt është buxheti i shtetit ose indirekt Banka e Shqipërisë.Kjo filozofi është tepër e afërt me gjendjen në sistemin tonë bankar, ku elementi kryesor kërcënues për tregun bankar është kriza e besimit ose paniku¦. Mjafton të kujtojmë pranverën e vitit 2002 dhe dyndjen e depozituesve në sportelet e disa bankave.Cash-in e redukton dhe siguria te bankatAktualisht, në ambientet bankare të vendit, temë e ditës është bërë diskutimi për reduktimin e masës së parave jashtë kanaleve të sistemit bankar (reduktimi i CASH-it) dhe futjen e tyre në banka. Kuptohet që ky është një proces i gjatë dhe kompleks i lidhur ngushtë me shumë faktorë. Një nga këta faktorë të rëndësishëm është dhe prania e Skemave të Sigurimit të Depozitave. Ndodh shpesh që për këtë problem organizohen takime e diskutime, por gjithashtu shpesh aktorët kryesorë në këto takime për këtë temë harrojnë të përmendin ekzistencën, rolin dhe rëndësinë e një skeme sigurimi depozitash. Duke u bazuar në strukturën aktuale të depozitave të sistemit bankar për fundin e tremujorit të parë të vitit 2004, ato rezulojnë të jenë rreth 345.8 miliard lekë nga të cilat rreth 280 miliard lekë janë depozita të individëve, pra rreth 81% ndaj totalit të depozitave. Nisur nga këto raporte, kuptohet që përmirësimi i shërbimeve bankare, rritja e gamës së tyre, kudondodhja e bankave, ulja e kostove të shërbimeve bankare, etj., janë faktorë të rëndësishëm që mbështesin reduktimin e ˜cash -it, por është i dukshëm fakti që një nga faktorët më të rëndësishëm në reduktimin e ˜cash -it është dhe rritja e besimit të individëve (publikut) në sistemin bankar, ku ekzistenca e një skeme sigurimi depozitash është një element më shumë për të rritur këtë besim.Aktualisht, numri i llogarive të individëve në sistemin tonë bankar në fund të tremujorit të parë të vitit 2004 është 462,068, ndërsa një vit më parë ka qenë 399,445. Tendenca në rritje por edhe numri aktual, duken të kënaqshëm, por po t i referohemi të dhënave të publikuara nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, në të njëjtën periudhë në Shqipëri numërohen rreth 1.1 milion përdorues të celularëve¦.. Krahasimi tregon se, përveç investimeve që industria bankare duhet të kryejë për shtimin dhe përsosjen e produkteve bankare që ofron, akteve rregullatore që autoritetet duhet të nxjerrin, një punë më e madhe duhet bërë në drejtim të forcimit të besimit të depozituesve në sistemin bankar. Dhe padyshim këtu roli më i rëndësishëm i takon ASD-së. Për vende me kushte zhvillimi të ngjashme me vendin tonë, është vërtetuar se ekziston një lidhje direkte ndërmjet rritjes së numrit të llogarive të individëve në sistemin bankar, me njohuritë (dijeninë) e tyre mbi ekzistencën e një skeme për sigurimin e depozitave që vepron në atë vend. Siguria e sistemit financiarInstitucionet kryesore, që ndikojnë në qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vendin tonë, renditen Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, si dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe për të realizuat këtë ndikim këto institucione kanë qëllime/objektiva dhe mënyra të ndryshme. Këto qëllime janë plotësuese të njëra-tjetrës, por nëse funksionet nuk administrohen siç duhet, rezultatet mund të jenë edhe kontradiktore. Administrimi i problemeve kërkon bashkërendim dhe një harmonizim të vazhdueshëm të këndvështrimeve për shak se kompensojnë njëra-tjetrën dhe shmangin tensione të mundshme të funksioneve që kryen secila prej tyre. Nëse funksionet e huadhënësit të fundit në radhë dhe të mbikëqyrjes zbatohen siç duhet, këto janë disa mënyra që ndihmojnë funksionin e ASD, që ajo të arrijë qëllimet e saj normalisht.Për një bashkërendim sa më efikas ndërmjet institucioneve që kanë për detyrë sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar të një vendi, është e nevojshme të vendosen rregulla dhe praktika, të cilat duhet të udhëheqin aktivitetet e tyre të përbashkëta, të caktohen mënyra sinjalizuese që do të nisin veprime ose procedura korrigjuese të menjëhershme dhe/ose të bihet dakord formalisht se si do të trajtohen situatat më të vështira.Projektimi i një Skeme Sigurimi DepozitashKa shumë përmasa dhe faktorë kryesorë, në të cilët mbështetet vendosja e nivelit të mbulimit prej një skeme sigurimi depozitash si:¢ Madhësia dhe shpërndarja e depozitave në sistemin bankar;¢ Niveli ekonomik i vendit;¢ Struktura e sistemit bankar;¢ Sasia e mjeteve financiare të Skemës së Sigurimit të Depozitave.Në ligjin Për Sigurimin e Depozitave jepen qartë llojet e institucioneve financiare që mbulohen, llojet e depozitave që përfshihen etj. Lloji i depozitave që mbulohen nga ASD, varet nga përbërja e pasiveve të sektorit bankar. Por, në përgjithësi, çdokush do të mendonte se të gjitha llojet e depozitave, llogaritë e kursimit, depozita me afat ose pa afat të individëve, që banojnë ose jo këtu, të mbulohen deri në një nivel të caktuar. Vendimi për t i përfshirë në skemë depozitat në monedhë të huaj është sërish një çështje për diskutim në lidhje me atë që a i ofron sistemi bankar depozita të tilla. Nëse depozitat në monedhë të huaj përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të një sektori financiar polimonetar, ato duhet të mbulohen. Në këtë rast duhet t i kushtohet një vëmendje e madhe dhe rregullat e shkruara me kujdes të publikohen, duke marrë parasysh mënyrën se si do të kthehen këto depozita në rast se do të lindë nevoja. Madje, duhen sqaruar pyetje të tipit se, në ç monedhë do të kthehen, me çfarë kursi këmbimi, mundësinë e minimizimit të rrezikut të këmbimit në rast se ka vonesa etj. Në vendin tonë, struktura e depozitave të individëve në sistemin bankar sipas monedhës në mars 2004 është: rreth 74% lekë, 13.7% USD dhe 11.6% EUR, pra mesatarisht 26% e depozitave të individëve në treg janë në monedhë të huaj. Krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezulton një rritje e lehtë në favor të monedhave të huaja (në mars 2003 këta tregues kanë qenë 80% në lekë, 11% në USD dhe 9% në EUR, përkatësisht).Në rastet e falimentimit të mundshëm të ndonjë banke, depozitat e individëve të vendosura pranë kësaj banke në monedhë të huaj, kompensohen nga ASD në monedhën vendase (lekë), por kursi i këmbimit do të jetë kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë në ditën e ndërhyrjes në bankë (dita e vendosjes së bankës në likuidim). Për të parandaluar koston, që mund të shkaktohet nga ndryshimet e mundshme në kursin e këmbimit në momentin e falimentimit të ndonjë banke (fenomen tipik në raste krizash financiare, lëvizje e kursit në favor të monedhave të forta, ose e shprehur ndryshe nga zhvlerësimi i shpejtë i monedhës vendase si pasojë e ndryshimit të kërkesës dhe ofertës në treg¦) ASD portofolin e investimeve të mjeteve të saj financiare e ka kompozuar, përsa i përket lloit të monedhave, në të njëjtin raport që janë të kompozuara depozitat e individëve në treg. Me likuidimin e investimeve të saj në monedhë të huaj, si dhe me këmbimin e tyre në treg për të plotësuar detyrimet që burojnë nga ligji Për Sigurimin e Depozitave, ASD njëkohësisht ndikon sadopak në rregullimet ndërmjet raporteve të kërkesës dhe ofertës në treg për monedhat e forta, duke rritur ofertën dhe mbajtur luhatje më të zbutura të kurseve të këmbimit. Element kritik është vendosja e kufirit të mbulimit. Aktualisht në vendin tonë në bazë të ligjit Për Sigurimin e Depozitave, depozitat e agreguara të individit mbulohen 100% deri në 350 mijë lekë; nga 350 mijë lekë deri në 700 mijë lekë, mbulohen në 85%, që do të thotë se një depozitë e agreguar (bashkimi i të gjitha depozitave të një individi në një bankë duke shtuar dhe masën e interesit të akumuluar deri në momentin e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë) kompensohet në masën 92.5% të shumës prej 700 mijë lekë. Si duhet të përkufizohet kufiri maksimal i mbulimit të depozitave bazuar në strukturën e tyre? Vendimi duhet bazuar në informacione statistikore të vendit në lidhje me madhësinë e shpërndarjes së depozitave në sistemin financiar. Kjo shpërndarje ka një formë tipike, duke treguar një numër të madh depozitash të një madhësie relativisht të vogël dhe një kurbe të gjatë në rënie të vlerave të mëdha, por me pak depozita. Ky informacion lejon që të renditen depozitat sipas madhësisë rritëse për të përcaktuar njëherësh se cila pjesë kumulative e vlerës së të gjithë depozitave sigurohet (10% e numrit të depozituesve përfaqëson 5% të vlerës totale të depozitave, dhe 25% e numrit të depozituesve përfaqëson 10% të vlerës totale të depozitave, dhe duke vazhduar kështu deri kur 90% e numrit të depozituesve të përfaqësojë 50% të vlerës totale të depozitave). Sapo ky informacion mblidhet, dhe nxirret totali, atëhere mund të zgjidhet si tavan i sigurimit madhësia e depozitës, e cila do të ketë nën këtë tavan pjesën më të madhe të numrit të depozitave (le të themi, 80-90%) dhe mbi të, vetëm në mënyrë të pjesshme të sigurojë një pjesë domethënëse të vlerës totale të të gjithë depozitave (le të themi 40-50%). Shifra e parë synon të sigurojë një mbulim të gjerë për të pasur qëndrueshmëri financiare dhe mbrojtur depozituesit e vegjël. E dyta synon që të sigurojë një disiplinë tregu përmes vigjilencës së ushtruar nga depozituesit e mëdhenj (mbajtësit e depozitave të mëdha, kuptohet janë më të familjarizuar me njohuritë financiare) e një pjese të konsiderueshme të pambuluar të vlerës totale të të gjithë depozitave. Ky ushtrim agregat, duke përfshirë depozitat e mëdha të të gjithë përfituesve nga skema e sigurimit, do të ishte shumë i dobishëm kur diskutohen efektet e çdo ndryshimi të propozuar në madhësinë e mbulimit maksimal. Në grafikun më poshtë jepen të dhëna për mënyrën e shpërndarjes së depozitave të individëve në sistemin tonë bankar, si dhe kurba e mbulimit (kompensimit) nga ASD.Përveç imponimit të një tavani për shumën e mbuluar nga skema e sigurimit, ekziston pyetja se si të zbatohet kjo gjë në mënyrë që të jetë e efektshme. Këtu kemi dy kritere themeltare: për depozitë ose për depozitues. Në rastin e vendit tonë, ligji parashikon në mënyrë të qartë se ASD njeh pronësinë e depozituesit mbi depozitën dhe se depozitat e një depozituesi në bankën e siguruar në rast falimentimi mblidhen së bashku dhe depozituesi paguhet deri në shumën tavan.Një element tjetër, siç përshkruhet më sipër, është dhe raporti i mjeteve financiare të akumuluara nga Skema e Sigurimit të Depozitave mbi totalin e depozitave të siguruara në sistem. Ky raport quhet raporti i mbulimit ose në para (cash ose coverage ratio). Aktualisht, ky tregues në vendin tonë në fund të tremujorit të parë të vitit 2004 është 1%, nga 0.6% që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2003.Struktura e sistemit bankarNë vende të ndryshme të Botës, me nivele zhvillimi të ndryshme si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ajo sociale, skemat e sigurimit të depozitave përfshijnë dhe garantojnë institucione të ndryshme të sektorit financiar, si dhe përfshijnë dhe mbulojnë lloje të ndryshme llogarish në nivele të ndryshme. Një fenomen që ndeshet shpesh në vendet fqinjë, por edhe më gjerë, është cross border banking që do të thotë depërtimi i bankave të një vendi në një vend tjetër. Ky fenomen përveç anëve pozitive, si lëvizja e lirë e kapitaleve nga një vend në një vend tjetër, shoqërohet dhe kërkon standardizimin e shërbimeve dhe veprimtarive mbështetëse. Më konkretisht, për rajonin tonë me ndryshimet në sistemet politike, pothuajse në të gjitha vendet e Europës Juglindore u ngritën sisteme bankare moderne me dy nivele, shoqëruar nga proceset e privatizimit të bankave kryesore, që deri në atë kohë ishin pronë e shtetit. Një pjesë e madhe e bankave të fuqishme depërtuan në vendet në tranzicion si nëpërmjet lëvizjes së lirë të kapitaleve, ashtu dhe nëpërmjet proceseve të privatizimit të sektorëve bankarë, duke ngritur degët e tyre në këto vende. Bazuar në aktet rregullative të Bashkimit Europian, të gjitha bankat që selitë e tyre qendrore i kanë në vendet e BE janë të detyruara të ofrojnë garantim e mbulim të depozitave në degët e tyre, që veprojnë në vendet jashtë BE-së në një nivel të njëjtë që ato ofrojnë në vendet ku ato kanë zyrën qendrore. Pra, në ato vende që bankat europiane kanë ngritur degë, depozitat e këtyre degëve të mbledhura në vende të treta, kanë përfituar një sigurim depozite të paktën deri në nivelin e sigurimit që kanë vendet e BE. Ky proces, nëse nuk riparohet nga autoritetet vendase (duke ngritur nivelin e sigurimit të njëjtë me ato të vendeve të zhvilluara Europiane) do të sillte deformim të sistemit bankar si pasojë e kushteve jo të barabarta të konkurrencës në treg.Gjithashtu, një faktor i rëndësishëm në vendet e rajonit për ngritjen jo natyrale të nivelit të mbulimit janë dhe kushtet e vendosura në marrëveshjet e asociim-stabilizimit, që këto vende duhet të plotësojnë për futjen në BE, ku sjellja e sektorit financiar në parametra të përafërt me ato të vendeve të komunitetit europian ndër të tjera kërkon edhe një kusht, ngritjen e nivelit të sigurimit të depozitave minimalisht në nivel të njëjtë me vendet e komunitetit europian. Kjo lëvizje ka detyruar 10 vendet që u pranuan së fundi në familjen europiane, që brenda dy-tre viteve të fundit të rrisin disa herë nivelin e mbulimit për depozitat e siguruara. Në këtë rast do mbajtur parasysh edhe një faktor tjetër: në kushtet kur kjo lëvizje (stabilizim-asociimi) është gjithpërfshirëse, fenomeni i parametrizimit prek edhe sektorin bankar, kështu që edhe cilësia e tij ndryshon në të njëjtin kah pozitiv. Në fillim të këtij paragrafi përdoret fjala jo natyrale, pasi elementet bazë për ngritjen e nivelit të mbulimit, përveç sa shpjegohen më sipër, gjithashtu i referohen edhe masës së prodhimit të përgjithshëm shoqëror të një vendi, trendin e rritjes së tij, si dhe në trendin e rritjes së mjeteve financiare të skemës së sigurimit të depozitave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.