Në SHBA, prodhuesit rivalë të çipave AMD dhe Intel kanë fituar kontrata nga Departamenti Amerikan i Energjisë për të ndërtuar superkompjuterë të shkallës ekza.
Superkompjuteri është një makinë e ndërtuar për të kryer miliarda, në mos triliona veprime njëkohësisht. Çdo superkompjuter përbëhet nga shumë kompjuterë individualë (të quajtur “nyje”) që punojnë së bashku paralelisht.
Një indikator që përdoret shpesh për të matur performancën e këtyre makinave është flops, një shifër që tregon numrin e operacioneve që mund të kryhen për një sekondë.
Renditja sipas Teraflops
Për shkak se superkompjuterët mund të arrijnë mbi një kuadrilion flops, ndërsa pajisjet që përdorin konsumatorët e thjeshtë janë shumë më pak të fuqishme, njësia matëse e përdorur për këtë krahasim është teraflop. 1 teraflop = 1,000,000,000,000 (1 trilion) flops.
Superkompjuteri Fugaku u përfundua në mars të vitit 2021 dhe është zyrtarisht superkompjuteri më i fuqishëm në botë. Ai gjen përdorim në fusha të ndryshme, që nga simulimet e motit dhe deri te zbulimi inovativ i medikamenteve të reja. Sunway Taihulight është zyrtarisht superkompjuteri më i mirë i Kinës dhe i katërti më i fuqishmi në botë.
Megjithatë, disa ekspertë besojnë se Kina po përdor dy sisteme shumë më të fuqishme, sipas të dhënave nga burime anonime. Siç mund ta shihni, edhe pajisjet më të avancuara të konsumit as që mund t’i afrohen fuqisë llogaritëse të superkompjuterave. Për krahasim, do të duhej fuqia e 4,000 kartave grafike Nvidia Titan RTX (karta grafike më e fuqishme që është në dispozicon për konsumatorët) për t’u barazuar me fuqinë e superkompjuterit Fugaku.
Superkompjuterët e ardhshëm
Një nga superkompjuterët e pazbuluar të Kinës supozohet se quhet Oceanlite dhe është pasardhësi i Sunway Taihulight. Besohet se ky superkompjuter ka arritur 1.3 ekzaflops, ose 1.3 kuintilion flops. Në SHBA, prodhuesit rivalë të çipave AMD dhe Intel kanë fituar kontrata nga Departamenti Amerikan i Energjisë për të ndërtuar superkompjuterë të shkallës ekza.
AMD do të merret me prodhimin e Frontier dhe El Capitan, ndërsa Intel me Aurora. Në projektin EL Capitan është përfshirë edhe Hewlett Packard Enterprise (HPE), e cila pretendon se ky superkompjuter do të jetë në gjendje të arrijë 2 ekzaflops pas përfundimit të tij në vitin 2023. E gjithë kjo fuqi do të përdoret për disa projekte shumë emocionuese:
- Mundësimi i simulimit dhe modelimit të avancuar për të mbështetur stokun bërthamor të SHBA-së.
- Përshpejtimi i zbulimit të ilaçeve kundër tumorit, nga gjashtë vjet në një vit, nëpërmjet një partneriteti me kompaninë farmaceutike GlaxoSmithKline.
- Analiza e dinamikës dhe e mutacioneve të proteinave RAS, që janë shkaktare të 30% të sëmundjeve tumorale te njerëzit.
Në tërësi, superkompjuterët e shkallës ekza do të bëjnë të mundur kryerjen e analizave komplekse në vetëm disa sekonda. Kjo do të sillte një ritëm edhe më të shpejtë të inovacionit. / Visual Capitalist