Anijet tregtare që kanë transportuar mallra nga/drejt Durrësit në këta 6 muaj kanë lundruar nga/drejt 67 porteve në 24 vende të botës, duke përpunuar në total 1 milionë e 868 mijë tonë mallra.
Mallrat e ndryshme të eksport-importeve janë nisur apo kanë mbërritur jo vetëm nga porte të kontinenteve të Europës, por edhe nga Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut.
Shifrat janë bërë të njohura nga Sektori i Statistikave Portuale, i cili analizon periudhën janar-qershor 2020.
Sasia më e madhe e mallrave të transportuara drejt apo nga Durresi në këta 6 muaj u përket porteve të Italisë, me 810 mijë tonë ose 43% e të gjithë mallrave të përpunuara, Greqia me 294 mijë tonë ose 16%, Rusia me 172 mijë tonë ose 9%.
Ndërsa në vendin e katërt dhe të pestë renditen Turqia dhe SHBA përkatësisht me 121 mijë tonë ose 6% dhe 91 mijë tonë ose 5% e të gjithë volumeve tregtare të përpunuara në këtë periudhë. Eksportet shqiptare janë transportuar me anije nga Durrësi drejt Italisë 53%, Greqisë 23%; Sllovenisë 9%, Maltës 7% e Spanjes 4%, etj.
Ndërkohë, peshën kryesore edhe në import e mban Italia me 40%, e ndjekur nga Greqia 13%, Rusia 12%, Turqia 9%, SHBA 6% etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.