Të paktën katër zona që preken nga deti dhe që kanë në përbërje të tyre destinacione turistike do të përfshihen në një studim-projektim për furnizimin e tyre me ujë. Në një njoftim të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik nënvizohet se zonat e përzgjedhura ndodhen ne bashkitë Lezhë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Divjakë ku secila do trajtohet me një lot të veçantë. Autoriteti që po kërkon edhe shërbimin për studim projektim është Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve. Referuar dokumenteve që shoqërojnë procedurën nënvizohet se përzgjedhja e zonave që do të trajtohen me përparësi në këtë studim është bërë në bazë të disa dokumenteve si Plani i Integruar për Bregdetin, Masteplani Kombëtar për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet i bankës gjermane si dhe planet e përgjithshme vendore të bashkive respektive.
Por cilat janë bashkitë përfituese dhe zonat specifike brenda tyre që do të shihen me prioritet?
Në lotin e parë është përfshirë studim projektim i furnizimit me ujë për zonat bregdetare të njësisë administrative Shënkoll”, bashkia Lezhë. Në lotin e dytë njësia administrative Golem Bashkia Kavajë,, në të tretin është po bashkia Kavajë por njësia administrative Synej, në bashkinë Rrogozhine studim projektimi do të përfshijë zonën Kryevidh dhe e fundit është bashkia e Divjakës ku studim-projektimi do të përfshijë zonën e Remasit.
“Të gjitha shërbimet e Konsulentit të përshkruara në vijim do të kryhen në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturëssë Mbetjeve Urbane (AKUM), bashkitë Divjakë, Rrogozhinë, Kavajë, Lezhë dhe Ndërmarrjet UK respektive sipas bashkive” thuhet në dokumentet e tenderit.
Sipas qëllimit të lakuar në lidhje me projektin autoritetet nënvizojnë se synon përmirësimin e kushteve të jetesës së popullatës në zonat turistike të përzgjedhura të Shqipërisë si dhe sigurimin e furnizimit me ujë të sigurt, higjenikisht të pastër me mbulimin e kostos dhe tarifat e pranueshme socialisht për zonat e përzgjedhura në zonën e studimit.
Rezultatet e pritshme
Janë të paktën katër rezultatet e pritshme nga projekti ku së pari mbulimi i plotë me rrjet i ujësjellësit për të furnizuar me ujë të gjitha qendrat urbane ku mungon kjo infrastrukturë dhe duke plotësuar nevojat për ujë të qendrave urbane dhe lokaliteteve me rëndësi turistike.
Së dyti rikonstruksioni dhe zëvendësimi i rrjetit të ujësjellësit në gjendje të amortizuar, përfshirë pusetat e manovrimit dhe stacionet e pompimit, në të gjitha qendrat lokale dhe lokalitetet turistike ku vihet re ky problem, duke patur në vëmendje nevojën për ujë gjatë sezonit të fluksit më të madh të turistëve.
Së treti treguesit për matjen e suksesit të programit është lidhja 100% e popullatës që jeton në zonën e furnizimit(Rezultati i drejtpërdrejtë) dhe standardet e vazhdueshme (24h/d) indirekt/afatgjatë).
Së katërti masat përfshijnë rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë.
Operatorët e interesuar për të dhënë konsulencën në projekt lidhur me studim projektimin do të duhet të paraqesin ofertat e tyre deri në datë 25 tetor 2018 ndërkohë që fondi limit për shërbimin është përcaktuar në 80.5 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.