Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procesin për miratimin e kontratës tip lidhur me kushtet e përgjithshme të furnizimit me gaz të klientëve fundorë që përfitojnë nga shërbimi publik i furnizimit.
Referuar vendimit të datës 28 gusht të Bordit të ERE-s thuhet se në përmbushje të detyrimeve që cakton Ligji Nr. 102/2015 “ Për Sektorin e Gazit Natyror”, parashikuar ne nenin 16, pika 10, neneve 92, 93, pika 1 ERE miraton kushtet e përgjithshme të furnizimit për klientët fundorë, duke përfshirë këtu edhe hartimin në mënyrë transparente të të drejtave dhe detyrimeve kontraktuale të përgjithshme, në shërbimin e furnizimit të ofruar nga të Licencuarit në aktivitetin e furnizimit publik në Sektorin e Gazit Natyror.
Po kështu në pikën dy thuhet se dispozitat e kontratës së furnizimit me gaz natyror duhet të jenë të drejta, proporcionale, të qarta dhe të kuptueshme, dhe duhet të aplikohen në mënyrë transparente dhe jodiskriminuese.
“Në këtë rregullore përcaktohet se Kontratat e furnizimit me gaz natyror nuk duhet të kenë pengesa në ushtrimin e të drejtave të klientit fundorë dhe nuk duhet të paraqesin metoda të padrejta ose ç ‘orientuese të shitjes, matjes, faturimit dhe/ose pagesës. Kontratat e furnizimit me gaz natyror nuk duhet të përmbajnë dispozita që mund të parandalojnë ose pengojnë klientin nga ndërprerja e njëanshme e kontratës, sipas afateve dhe kushteve të vendosura në këto Rregulla dhe/ose ndryshimi pa pagesë i furnizuesit sipas rregullave të ndryshimit të furnizuesit, të miratuara nga ERE” thuhet në vendim.
I njëjti thekson se drafti me kushtet e përgjithshme të kontratës tip të furnizimit me gaz natyror për klientin fundor që përfiton nga shërbimi publik i furnizimit, është hartuar në mbështetje të neneve 75, 89, 92, 93, 94, të Ligjit nr. 102/2015 “Për Sektorin e Gazit Natyror” i ndryshuar, gjithashtu dhe Ligjit nr. 9902, datë 17.04.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve” i ndryshuar, si dhe Ligjit nr. 9887, date 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
Vendimi parashikon që pasi të hartohet drafti i kushteve të përgjithshme të Kontratës Tip të furnizimit me gaz natyror për klientët fundorë që përfitojnë nga shërbimi publik i furnizimit, do të konsultohet me palët e interesit, përpara miratimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.