Fushata elektorale për zgjedhjet kuvendore të vitit të ardhshëm filloi dhe sytë janë kthyer përsëri nga partitë politike për të parë dhe dëgjuar premtimet e reja, që ashtu si gjatë këtyre 14 vjetëve të fundit, në prag të çdo ngjarjeje të tillë, janë të shumta. Por një gjë ka ndryshuar, ndërsa politikanët janë pak a shumë po ata, njerëzit janë bërë më të ndjeshëm për ato që dëgjojnë, janë më të zgjuar dhe sigurisht më skeptikë se kurdoherë tjetër sepse nuk harrojnë se shumë premtime të bëra në këtë periudhë tranzicioni nuk janë realizuar. Ndërsa politikanët e të gjitha krahëve, i bien të njëjtit avaz, se do të mendojnë më shumë për popullin, do të hapin më shumë rrugë, më shumë shkolla e më shumë spitale, do të legalizojnë më shumë objekte pa leje, të gjitha këto menjëherë, megjithëse fushata sapo ka filluar dhe nuk dihet se çdo të thuhet deri ditën kur ajo të pushojë dhe votuesit ti drejtohen ditës së zgjedhjeve. Ata harrojnë se tashmë ka ikur koha e premtimeve të çekut të bardhë, apo të fillimit të çdo gjëje të re nga zero dhe ka ardhur momenti për ti mbushur mendjen njerëzve me fakte konkrete, me alternativa të qarta dhe mbi të gjitha se me çfarë burimesh financiare do të realizojnë premtimet e reja. Pa evidentuar krejt premtimet e para të këtyre ditëve, ku nuk mungojnë edhe shirita përurimesh, të ngelin në mend disa “të forta” të bëra nga udhëheqës të ndryshëm partish të të gjitha krahëve, mbi rritjen dyfish të pagave të arsimtarëve, mbi zhvillimin e një konference donatorësh në Peshkopi, mbi legalizimin e gjithçkaje, mbi fillimin e ndërtimit të Rrugës së Arbërit, Tiranë-Peshkopi, mbi pasjen gati të 1 miliard usd nga Taivani për ti investuar, mbi ndërtimin e autostradës së re për tu lidhur me Malin e Zi si dhe mbi përfundimin e të gjitha segmenteve me Jugun e vendit e të tjera, e të tjera. Disa prej premtimeve më të bujshme në kohë të mbetura në letërPor duke u kthyer pak në retrospektivën tonë jo dhe aq të largët si në kohë fushatash zgjedhjesh kuvendore dhe lokale, ashtu dhe qeverish brenda një koalicioni, del se premtimet më të bujshme nuk janë realizuar. Disa vepra apo projekte, që do të realizoheshin me financime prej miliarda dollarë të “siguruara” dhe që nuk nisën asnjëherë, kanë habitur në fillim jo vetëm njerëzit brenda vendit, por edhe ata jashtë. Një pjesë e tyre, ndërkohë janë diskutuar dhe miratuar edhe në Kuvend gjatë kësaj periudhe të gjatë tranzicioni, por më pas askush nuk është kujtuar më për to, bile as politikanët apo ministrat që i paraqitën si objekte dhe ide madhështore. Kështu, kanë mbetur pa u realizuar ndërtimi i dy hidrocentraleve të mëdhenj, njëri në Veri, ai i Bushatit nga kinezët, ku puna nuk ka filluar asnjëherë, dhe tjetri në Jug, ai i Kalivaçit nga italianët, për të cilin deri tani përurimi i fillimit të punimeve është kryer tre herë. Këto hidrocentrale do të furnizonin me energji elektrike të bollshme dhe me çmim të lirë krejt banorët e vendit, por dhe do të eksportonin energji jashtë shtetit, falë burimeve të shumta ujore që ka vendi ynë, ndër më të pasurit në Europë me këto rezerva. Por tani vendin e tyre e ka zënë për momentin ndërtimi i TEC-it të ri të Vlorës.Miliona dollarë do të fitonte shteti duke shitur ujë nga Syri i Kaltër drejt Italisë, një projekt ky ambicioz i hartuar prej dhjetra vitesh dhe i diskutuar gjatë nga të dy palët, por i parealizuar. Albetelekom u tha para disa vitesh, bile u miratua edhe vendimi përkatës qeveritar, se do ti shitej një shoqërie të madhe amerikane si New World Telecom, nga e cila do të përfitonte jo vetëm shteti, por edhe klientët se do të kishin çmime mjaft të lira për bisedat telefonike brenda dhe jashtë vendit. Por dhe kjo nuk u realizua dhe tashmë Albtelekom, ka dalë përsëri në shitje. Autostradat, që do të shtriheshin dhe do të lidhnin të gjitha qytetet kryesore, përfunduan në zgjerime vetëm të disa akseve kryesore rrugore, përjashto atë Tiranë-Durrës, e cila përsëri është jashtë normave cilësore të autostradave perëndimore. Pastaj vijnë ide dhe projekte akoma më të çuditshme si kthimi i ishullit të Sazanit në një pikë të madhe moderne turistike, ku të huajt do të zbarkonin me jahte dhe anije, për tu shplodhur dhe për të luajtur në kazinotë që do të hapeshin aty. Një ide tjetër që u publikua, ishte ajo për ndërtimin e një tuneli nënujor që do të lidhte Shqipërinë me Italinë, pak a shumë si tuneli i La Manshit që lidh Francën me Anglinë. Ndërkohë portet do të përmirësoheshin ndjeshëm, por vetëm pak ditë më parë u pa se një anije e madhe nuk futej dot në portin e Durrësit sepse nuk ishte thellësia e mjaftueshme, ndërsa projektet e mëdha për porte jahtesh, që do të ndërtoheshin në gjire të shumta te deteve Jon dhe Adriatik nuk dihet se ku po flenë. Një port i tillë, në fakt, mbas shumë e shumë peripecish, ka marrë tashmë formë në Orikum, por jahtet e huaja e kanë shumë të vështirë të futen sepse duhen dhjetra procedura burokratike për tu strehuar aty.Vijnë pastaj projektet lokale, të bashkive dhe komunave për rrugë, kanalizime, ujësjellësa e me radhë, që shumëfishohen në çdo prag sezoni elektoral. Mbi 100 milion usd, të marra kredi nga shteti shqiptar prej Bankës Botërore janë shpenzuar për rritjen e aftësive ujitëse dhe përmirësimin e infrastrukturës ujore, por fatkeqësisht krahas disa përmirësimeve të vogla, përmbytjet janë të dukshme në shumë zona sa herë bie shi. Qytetet kryesore do të kishin markato të stilit perëndimor, ku fermerët dhe tregtarët do të kishin kushte normale biznesi, por dhe këto kanë përfunduar në shumicën e tyre, në tregje të zakonshme. Ndërkohë në ndonjë rast, siç është ai i ndërtimit të tregut të Lushnjës, nuk ishin marrë në fillim parasysh kërkesat e mëdha dhe tani është shpallur një tender tjetër për zgjerimin e tij, megjithëse u harxhuan shumë para për ndërtimin e parë. Nga ana tjetër, shumë ura në fshatra përfunduan në ura teli këmbësorësh dhe disa rrugë, megjithëse u hapën, mbetën të shtruara vetëm me zhavor, pa u asfaltuar. Është normale që në prag fushatash elektorale të bëhen premtime, se ato janë elementi bazë për të marrë më shumë vota, si kudo në Botë edhe tek ne. Por në këtë prag fushate të ethshme, në vendin tonë, deri tani mungojnë alternativat e qarta nga partitë politike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, nuk thuhet asgjë se si do të rritet niveli i jetesës, sa do të rriten pagat e buxhetorëve dhe premtime të tjera direkte të prekshme për të gjithë, se askujt nuk i mbushet mendja me premtime të tilla se vitin e ardhshëm rritja ekonomike do të jetë 6%, inflacioni 2-4%, që njerëzit kanë vite që i dëgjojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.