Është ky rrezik, sepse gati çdo herë kështu ka ndodhur. Qeveritë e herëpashershme janë përballur me përqindje jo fort të vogla të mosrealizimit të premtimeve elektorale sepse ato kanë qenë të mbingopura me populizëm, kanë qenë të ngopura me entuziazmin e pushtetit, të lindura aty për aty, pa u menduar gjatë e pa u këshilluar mirë me përfituesit, por pse jo, edhe shpesh spekulative.
Që ka bollëk alternativash, kjo nuk është e dëmshme dhe që ato janë të koncentruara përgjithësisht në fushata elektorale, edhe kjo është e kuptueshme dhe e pranueshme. Por ato shndërrohen në rrezik nëse nuk realizohen ose janë dritëshkurtra. Një politikë e premtuar dhe e parealizuar në Shqipëri e bën më të lehtë kalimin nga entuziazmi në zhgënjim duke e rifutur ekonominë sërish në stres dhe tregjet më mosbesuese. Për pasojë, siç ka ndodhur krijohet një gjendje pritje e cila në këto momente të krizës ndërkombëtare, ku konsumi ka rënë si për shkak të rënies së ofertës, edhe të kërkesës, do të ridimesiononte valën goditëse.
Realiteti shqiptar ka dëshmuar se premtimet elektorale të njërës palë tentojnë të kundërshtojnë deri në pikë të fundit propozimet e palës tjetër, thjesht për konkurrencë elektorale, apo mëri politike, apo boshllëk idesh. Kjo sjell rrezikun e zhbërjes së politikave ekonomike kur ka rotacion pushteti, edhe pse këto lloj politikash kanë sjellë rezultate pozitive. I tillë mbetet rreziku i kalimit nga taksa e sheshtë në atë progresive sikundër pretendon opozita.
Por mund të ndodhë edhe e kundërta. Një propozim i njërës palë shtohet, shumëfishohet nga pala tjetër konkurrente, e kështu zinxhir, në një garë të ethshme se cila ka gjetjet më të bukura. Për herë të parë, këtë fushatë elektorale që ka nisur shumë herët, e si e tillë ka gjasa të prodhojë më shumë premtime skarco, por dëgjojmë që palët akuzojnë njëra-tjetrën për kopjime të pjesëve të programit. Kjo duket qesharake e fëminore, sepse në një vend në zhvillim si Shqipëria, me çështje bazë për t’u zgjidhur por dhe ku dallimet ideologjike nuk janë të ndarë me thikë, por sapo kanë filluar të shfaqen, është fare normale që partitë të kenë pjesë të përbashkëta programore. Por rreziku këtu qëndron tek mbidoza që u jepen të njëjtave premtime, veçse për t’u dalluar konkurrentët nga njëri-tjetri. Për pasojë shanset për realizimin e tyre janë të pakta sepse fillojnë e shkëputen nga realiteti, humbasin fuqinë e argumenteve dhe shoqërohen me fatura financiare buxhetore të përballueshme për mjedisin tonë ekonomik dhe financiar, pasi bazohen vetëm te kriteri i mbledhjes së sa më shumë votave.
Por me më shumë risk në një fushatë elektorale është prodhimi i politikave të cunguara, afatshkurtra dhe dritëshkutra për efektet e plota që mund të japë në ekonomi dhe mbi aktorët e saj, sepse lindin aty për aty, duke krijuar dëm afatgjatë. I tillë është rasti i taksës së makinave të përdorura të importit. Ky vendim nuk lindi gjatë fushatës elektorale, por është shembulli tipik sesi një politikë e ngushtë, e shpikur si artific ligjor për të respektuar formalisht marrëveshje të tregtisë me BE dhe me përftime të përkohshme dhe të vogla buxhetore, mund të sjellë dëme të pallogaritshme. Heqja e pagesës së taksës së importit në doganën dhe transferimi saj si taksë qarkullimi që rritet për çdo vit shfrytëzimi të mjetit brenda vendit, rriti në mënyrë të frikshme importin e makinave të përdorura, ndërkohë që në Shqipëri kishte ardhur koha që të zbatohej një politikë që i ndalon ato (lexo këtë numër “ Bumerangu i makinave të përdorura”). Shpenzimet për këto autovetura arritën vitin e kaluar afërsisht 300 milion euro kur rritja e depozitave ishte 400 milion euro, duke gërryer kursimet e qytetarëve, të cilët për shkak të kësaj politike të gabuar, në vend që të prodhonin mirëqenien po i përdorin ironikisht paratë e tyre për ndotjen e mjedisit e për pasojë përkeqësimin edhe të shëndetit. E gjithë kjo politikë prodhoi një mjedis ekonomik armiqësor ndaj buxhetit, pasi kostot e tij po rriten për të ndalur ndotjet e shtuara nga ky import i frikshëm makinash të vjetra apo për të përballuar faturën shëndetësore. Ndërkohë biznesi i koncesionarëve të makinave të reja ka marrë të tatëpjetën.
Si premtimet e mbajtura dhe ato të realizuara keq kanë të njëjtin rezultat, janë premtime boshe. Që të mos jenë të tilla, vendimet që merren apo politikat që hartohen duhet të jenë lidhura dhe konsultuara ngushtë dhe pa ndërprerje me të gjithë aktorët, në të kundërt, fushata në vend të entuziazmit, do të prodhonte zhgënjim, i cili nuk është thjesht një gjendje emocionale, por një dëm i madh ekonomik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.