Komuna e Prishtinës ka bërë me dije se do t’i gjobisin edhe partitë politike në rast se prej nesër hasin feltushka nëpër hyrjet e objekteve kolektive, njëjtë siç vepron për fletushkat e bizneseve. Drejtoria e Inspeksionit ka treguar se kanë pranuar një varg ankesash nga qytetarët për shpërndarjen e fletushkave të subjekteve politike në objekte kolektive. Qytetarët e Kosovës më 6 tetor të këtij viti do t’i drejtohen kutive të votimit për t’ia dhënë legjitimitetin një qeverie të re në vend.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri u ka bërë thirrje partive politike që të mos ndotin ambientet me fletushka të fushatës zgjedhore.
Tahiri përmes Facebookut ka shkruar se Drejtoria të cilën e drejton ka pranuar një varg ankesash nga qytetarët lidhur me këtë çështje.
“Drejtoria e Inspekcionit qysh sot ka pranuar një varg ankesash nga qytetarët, për shpërndarje të fletushkave të subjekteve politike, nëpër objektet kolektive. Shpërndarja e fletushkave nëpër makina, shtëpi, hyrje kolektive, e gjetiu, është e ndaluar dhe cilësohet si ndotje e mjedisit”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se subjektet e kanë obligim që brenda ditës së sotme të pastrojnë lokacionet në të kundërtën do të përballen me gjoba.
“Subjektet që tashmë e kanë bërë këtë veprim, obligohen që brenda ditës t’i pastrojnë të gjitha lokacionet. Në të kundërtën, nga nesër (18 shtator), kudo që hasim në fletushka të tilla, do ta zbatojmë Udhëzimin Administrativ për Gjobat Mandatore, njësoj sikur për fletushkat e bizneseve. Pra, nga 90 euro gjobë për secilin lokacion (veturë; shtëpi; kat banese)”, ka thënë ai.
Adonis Tahiri i cili i përket Partisë Socialdemokrate ka thënë se nuk do ta tolerojë askë e as subjektin që i përket.
“Nuk do të ketë tolerime për askë, as për subjektin që unë i përkas, nëse e bën të njëjtën shkelje. Ekipet e Inspekcionit, në bashkëpunim me qytetarët e Prishtinës, do të angazhohen maksimalisht për mjedis sa më të pastër edhe gjatë fushatës”, është shprehur Tahiri.
Qytetarët e Kosovës më 6 tetor të këtij viti do t’i drejtohen kutive të votimit për t’ia dhënë legjitimitetin një qeverie të re në vend.
Vendimin për këtë datë e ka marrë presidenti i vendit Hashim Thaçi menjëherë pasi dekretoi shpërndarjen e legjislaturës së VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e caktoi edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në vendimin e nënshkruar nga Thaçi thuhet se: “Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 6 tetor 2019”.
Po ashtu përmes këtij vendimi i është kërkuar KQZ-së të fillojë organizimin e zgjedhjeve.
Në anën është bërë e ditur se 6 milionë euro do të jetë kostoja për buxhetin e Kosovës e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.