Fushatë në kohë pandemie, partitë në Kosovë gjobiten me mijëra euro

25/01/2021 1:25 PM 0 komente

Fushata që po bëhet në Kosovë në kohë të pandemisë është duke u kushtuar partive politike me gjoba. Deri tani janë dënuar Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

 

Partitë politike kanë filluar fushatën zgjedhore para kohe në Kosovë. Edhe pse 3 shkurti është data zyrtare kur do të duhej të fillonte fushata, thuajse të gjitha partitë po e zhvillojnë atë nga qyteti në qytet. Në situatë të pandemisë COVID-19, të njëjtit po qëndrojnë afër më shumë qytetarë, madje pa vendosur as edhe maska. E lidhur me këtë, partitë politike kanë filluar të gjobiten me shuma të konsiderueshme.

Drejtoria për Inspeksion në Prishtinë ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës, me 2 mijë euro. Drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri tha se askush nuk është mbi ligjin, dhe është paralajmëruar se gjobat për takimet që partitë zhvilluan në fundjavë do të bëhen të ditura sot. “Zbatimi i masave dhe ruajtja e shëndetit publik, është obligim për të gjithë”, tha ai.

Edhe pse nuk formoi parti politike, U.D së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i hyri garës për zgjedhjet e 14 shkurtit me disa emra të ri si kandidatë për deputetë, por në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.
Vjosa Osmani, e cila shpeshherë ka bërë thirrje për respektim të masave anti-Covid, ka filluar fushatën elektorale duke mbledhur rreth vetes njerëz të shumtë. Një gjë të tillë bëri së fundi në Prishtinë, bashkë me kandidatin për deputet nga radhët e VV-së, Arben Vitia dhe zyrtarë të tjerë politikë.

E për këtë, Drejtoria e Inspeksionit në Prishtinë tashmë i ka shqiptuar një gjobë prej 2 mijë eurosh.
Osmani me bashkëpunëtorët e saj janë në mesin e shumë partive të tjera të cilat po gjobiten për zhvillimin e fushatës në kohë pandemie, si dhe për grumbullim të njerëzve në hapësirë të mbyllura.
“Askush mbi ligjin! As VV! Grumbullim i njerëzve në hapësirë të mbyllur. Shumë prej tyre pa maska!”, shkroi Drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri.

Gjobës për mosrespektim të masave anti-Covid dhe bërjes fushatë përgjatë situatës mjaftë të rëndë me pandeminë, nuk i shpëtoi as LDK-ja. Për të disatën herë me radhë, Lidhja Demokratike e Kosovë vazhdon të gjobitet me nga 2 mijë euro.

Drejtori i Inspkesionit në Prishtinë, Adonis Tahiri sapo ka publikuar edhe gjobën e radhës për këtë parti, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin. Duke ironizuar me sloganin e LDK-së në këto zgjedhje që është “Shteti shtet”, Tahiri shtoi “Gjoba gjobë”. Partitë politike nuk po interesohen më për shëndetin publik të qytetarëve, derisa po vazhdojnë të grumbullohen për të bërë fushatë.

Deri më tani, LDK ka tri gjoba, LVV, PDK, AAK, dhe Nisma nga një gjobë. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë u ka bërë thirrje subjekteve politike që të respektohen masat anti-COVID-19.

“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas masave të fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës, në ambiente të mbyllura nuk lejohet tubimi më shumë se 30 qytetarë, kurse në ambiente të hapura lejohet deri në 50 qytetarë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of