Thuajse një vit nga prezantimi zyrtar i Galaxy Fold, Samsung njoftoi atë që të gjithë prisnin – telefoni i parë i palosshëm i kompanisë koreanojugore do të jetë i disponueshëm në dyqane, në tregun europian, duke filluar nga data 16 dhjetor dhe do të kushtojë 2050 euro.
Por ju mund ta porosisni online, duke filluar nga data 13 nëntor. Ky është një çmim i kripur, por siç ndodh me të gjithë pajisjet inovative është logjike që kostoja është e pak e lartë.
Karakteristikat e Galaxy Fold
Puna e bërë nga Samsung në muajt e fundit lidhet vetëm me rezistencën e pajisjes. Sa u përket karakteristikave, ato mbeten të njëjtat që prej shkurtit. Smartphone ka procesor Snapdragon 855 dhe 12GB RAM e 512GB memorie të brendshme.
Karakteristika e veçantë e pajisjes është ekrani fleksibël. Galaxy Fold mbyllet e hapet si një libër. I hapur, smartphone ka ekran AMOLED 7,3 inç, ndërsa kur mbyllet, ju mund të përdorni ekranin e jashtëm 4,6 inç.
Galaxy Fold ka gjashtë fotokamera. Në pjesën pasme ndodhen tre fotokamera, ku kamera kryesore është 13 megapiksel; kamera e dytë me kënd të gjerë 16 megapiksel, kurse e treta, me teleobjektiv, 12 megapiksel. Në pjesën e përparme është një fotokamerë për selfie, 10 megapiksel dhe një sensor 8 megapiksel për të kapur detaje më të thella. Në fund është shtuar edhe një kamerë për selfie 10 megapiksel në të njëjtën pjesë ku ndodhet ekrani i jashtëm. Bateria është 4380 mAh dhe do të garantojë autonomi deri në fund të ditës.