Firence është e mrekullueshme. Djep i Rilindjes Italiane, qyteti është një koncentrat i artit, kulturës dhe historisë, në një sasi të tillë që është e vështirë ta gjesh në ndonjë vend tjetër në botë.
Ka monumente historike, ushqim dhe verë të mirë. Po aty mund të gjesh edhe traditën shekullore fiorentine të argjendarisë… Është edhe Ponte Vecchio që ju dhuron peizazhe të paharrueshme, magjike mbi lumin Arno.
Firence është një muze që di t’ju dhurojë gjithnjë emocione të reja, edhe në një shëtitje pa ndonjë qëllim. Aty janë edhe disa nga vendet simbol, pasuri kulturore, si Palazzo Vecchio dhe Santa Maria del Fiore, Bazilika Santa Croce e Galeria dhe Akademisë në Firence, ku ndodhet edhe Davidi i Mikelanxhelos. Po në Firence ndodhen edhe Galeritë e Uffizi-t, që këtë vit janë vlerësuar nga revista historike kulturore britanike “Timeout”, si muzeu më i mirë në botë.
Uffizi-t lënë pas në këtë klasifikim Muzeun e Luvrit në Paris dhe MOMA në Nju Jork. Vlerësimi për Uffizi vjen vetëm disa muaj pas hyrjes në një tjetër klasifikim të rëndësishëm, “The World’s 100 Greatest Places of 2021”, i cili publikohet çdo vit nga “Time Magazine”, i cili vlerësoi projektin “Uffizi diffusi”, i promovuar nga drejtuesi i
saj, Eike Schmidt
“Ka kaq shumë vepra klasike të mrekullueshme në Uffizi, saqë disa vizitorë janë dërguar në spital, për shkak të ndjesisë dërmuese që shkaktojnë – shpjegon gazetarja Sophie Dickinson në artikullin e “Timeout”. Jo rastësisht, Firence është edhe djepi i sindromës së Stendal.
Nuk ka rëndësi nëse e keni parë me mijëra herë “Lindjen e Venusit” të gjeniut të Rilindjes së hershme italiane, Sandro Botticelli, efekti para saj është krejt tjetër gjë.
Por ka edhe kryevepra të tjera si “Meduza” e Caravaggio, “Judith duke vrarë Holofernes” e Artemisia Gentileschi.
Brenda Galerisë Uffizi ju mund të shikoni shekuj e shekuj me art, duke nisur nga epoka romane e më tej të zbuloni veprat e artit të mjeshtërve të mëdhenj si Giotto, Cimabue, Sandro Botticelli, Leonardo da Vinci, Michelangelo, Caravaggio e Raffaello.
Klasifikimi i plotë i 20 muzeve dhe galerive më të mira në botë sipas “Timeout”
- Galeria Uffizi (Firence)
- Muzeu i Luvrit (Paris)
- MOMA (Nju Jork)
- Muzeu Kombëtar i Artit Modern dhe Bashkëkohor (Seul)
- Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane (Uashington DC)
- Muzeu i Akropolit (Athinë)
- Muzeu i luftëtarëve dhe kuajve prej terakote (Xì’an, Kinë)
- Hermitage (Shën Petërburg)
- Rijksmuseum (Amsterdam)
- Tate Modern (Londër)
- Prado (Madrid)
- Muzeu Kombëtar i Antropologjisë (Qyteti i Meksikës)
- Muzeu Hebraik (Berlin)
- Getty Center (Los Anxhelos)
- MALBA (Buenos Aires)
- Muzeu i Aparteidit (Johanesburg)
- Muzeu i Artit në Porto Rico (San Juan)
- Instituto Inhotim (Brumadinho)
- Galeria Kombëtare e Viktorias (Melburn)
- Luiziana (Kopenhagën)