Nga Laura çela
Albana Muçaj
Pas mëse 7 vitesh aktivitet, arsimi privat i lartë është kthyer sot në një nga tregjet më dinamikë në vend. Rreth 52 milionë euro1 përllogaritet të jetë xhiro e 60 universiteteve private në vend. Shifrat e fundit të INSTAT-it konfirmojnë se në vitin 2010, në “privat” ishin të regjistruar rreth 21 mijë studentë, 20% e tregut total të arsimit të lartë.
Ritmi i rritjes së këtij tregu është rrjedhojë e një “urie” të pashtershme të shqiptarëve për t´u arsimuar. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në shifrat zyrtare, rezulton se 80% e të rinjve në grupmoshën 20-24 vjeç ndjekin arsimin e lartë. Ky raport është më i lartë se vendet e zhvilluara europiane (Suedia, Zvicra, Franca, Britania e Madhe, Spanja), megjithëse tregu i punës shqiptar është shumë më pak i zhvilluar.
Teksa pritet që në një të ardhme afat shkurtër ky treg të shkojë drejt konsolidimit, maturimit dhe diferencimit, pikëpyetjet dhe dilemat lidhur me zhvillimin e tij mbeten të hapura:
-Studimet për ecurinë e studentëve nga universitete të ndryshme në tregun e punës, mungojnë dhe kjo e bën gjithnjë e më shumë të vështirë përzgjedhjen e atyre që do të hyjnë rishtazi në to. Nëse në të gjitha vendet e zhvilluara cilësia dhe vlera e një universiteti matet me punësimet dhe pagat që marrin studentët pas përfundimit të tij, në Shqipëri, jemi ende larg kësaj.
-Gjithsesi, ka një lloj vetëselektimi të tregut, ku disa kompani preferojnë të punësojnë të diplomuar në shtet, në raport me privatin. Tregu ka vetëseleksionuar dhe universitetet private në raport me njëri-tjetrin, ku disa diploma shihen me vlerë e disa të tjera perceptohen thjesht një copë letër e marrë pa meritë. Pikërisht konkurrenca e universiteteve private vitet e fundit është përqendruar në promovimin e mesazhit se diplomat që ato japin ka një vlerë reale, teksa ato po përpiqen të diferencohen nga njëri-tjetri.
-Edhe rankimi që u krye nga kompania gjermane nuk duket se po ndihmon në përzgjedhjen e universitetit, teksa ai dha një renditje evazive, ku universitetet mund t´i interpretonin vetë pikët që rezultuan nga rankimi. Vetë drejtuesit e universiteteve private kanë konfirmuar se studentët që interesohen për t´u regjistruar kanë shumë pak njohuri për rankimin, e shumë pak arrijnë ta kuptojnë.
Si rrjedhojë, në përzgjedhjen e një universiteti duket se ende ndodhemi në një amulli, pasi të gjithë reklamojnë se ofrojnë të njëjta kushte, por shumë pak kanë “fakte” reale për të bindur të interesuarit.
Por ndërkohë, universitetet sa vijnë dhe shtohen. Vetëm këtë vit janë hapur katër universitete të reja, tre në Tiranë dhe një në Shkodër, që pritet ta shtojnë më shumë konkurrencën në vend.
Në fakt, edhe drejtuesit e universiteteve private vërejnë me shqetësim rritjen e numrit të konkurrentëve dhe kërkojnë nga strukturat qeveritare kontroll të rreptë, si dhe garantimin e një gare të drejtë. Ata shohin si tw padrejtw dhe rritjen e vazhdueshme tw kuotave tw pranimit nga universitetet publike.
“Në shumë raste të pandershme, konkurrojnë universitete të akredituara me universitete të paakredituara”, thotë Alma Sulstarova, kancelare e Universitetit Polis.
Në këtë drejtim, universiteti publik duket shumë më “i qetë”. “Ne po ecim shumë mirë me regjistrimet. Vetëm në katër ditët e para janë regjistruar mbi 80% e fituesve. Nuk kemi konkurrencë për sa u përket pranimeve të reja. Në çdo fakultet juridik privat, deri më tani regjistrimet janë shumë të ulëta, sepse studentët kanë ende shpresa për t´u kualifikuar në publik. Vetëm kur përfundojnë pranimet në universitetet shtetërore, fillojnë në ato private. Edhe për disa vite të tjera nuk kemi konkurrentë në treg dhe mbetemi më të preferuarit, për shkak të cilësisë së produktit që nxjerrim në treg”, shpjegon Kestrin Katro, zëvendësdekane e Fakultetit të Drejtësisë, Tiranë.
Ky fakt konfirmohet edhe nga shifrat zyrtare të INSTAT-it.
Në vitin 2009-2010, kur është edhe rritja më e madhe e fluksit të studentëve, efekti ka ardhur nga universitetet publike, kryesisht ato të hapura në rrethe.
“Efekti i rritjes së numrit të universiteteve shtetërore në rrethe ndihet shumë, sidomos në numrin e studentëve nga rrethet, i cili sa vjen e pakësohet”, shton Sulstarova e “Polis”.
Ministria: Duhen ndryshuar degët
Një ndryshim që pritet të ndodhë në universitetet private, është padyshim gama e degëve që ofrojnë.
“Tashmë, në kërkesat e studentëve kanë filluar të marrin përparësi teknologjia e informacionit dhe shkencat ekzakte, që nxjerrin specialistë të mirëfilltë”, thotë Nora Malaj, zv/ministrja e Arsimit.
Sipas saj, ministria po e orienton tregun drejt hapjes së institucioneve të arsimit të lartë që quhen akademi, të cilat do të krijojnë mundësinë e profilizimit të studimeve, që do të thotë, profile të studimeve më të ngushta, që t´i shërbejnë realisht tregut.
“Sot tregu ynë ka nevojë për specialistë të nivelit të lartë në profile të ndryshme, si në teknologjinë e informacionit, industrinë e lehtë, sektorin e shërbimeve, bujqësisë etj. Të gjitha këto po i ofrojmë, në mënyrë që t´i japin drejtimin e duhur investimit në arsim. Sfida kryesore e sistemit të arsimit, këtë vit, është rritja e rolit të cilësisë”, thotë Malaj.
Si u rrit tregu i pedagogëve
Tregu i pedagogëve ka ndryshuar me shpejtësi që nga viti 2005. Nëse deri në 2005-ën ishte një profesion pak i vlerësuar dhe pak i preferuar, kjo solli tërheqje e shumë pedagogëve dhe kalimin e tyre në sektorin privat. Situata ndryshoi pas hyrjes në treg të universiteteve private, që ofronte pagesa deri në 3 herë më të larta.
Burimet e universiteteve private ishin pedagogët e universiteteve publike apo të tjerë që e kishin “braktisur” më parë këtë profesion si dhe kontingjenti që kthehej me master nga jashtë vendit.
Pedagogët me master përbëjnë pjesën më të madhe të stafeve akademike privatë dhe shumë pak janë ato me doktoraturë, si rrjedhojë e publikimit 10 vjeçar të doktoraturave nga sistemi publik. Me hapjen e doktoraturave në “publik” po shtohet me shpejtësi numri i aplikantëve për pedagogë ose i pedagogëve aktualë për doktoraturë.
Tregu i universiteteve ofron pagesa të kënaqshme për pedagogët, nga 80,000-150,000 lekë/muaj për pedagogët e nivelit master, 150,000-200,000 për pedagogët që kanë një doktoraturë dhe në nivelet asistent. profesor e më lart, pagat rriten mbi 200,000 lekë.
OPINIONET E UNIVERSITETEVE
Flet Teuta Dobi, presidente e Universitetit Europian të Tiranës
Duhet realizuar reforma financiare
çfarë ju dallon në tregun e dijes, cilat mendoni se janë pikat tuaja të forta?
Universiteti Europian i Tiranës, që në fillimet e veta i ka mëshuar fort liberalizimit të tregut të arsimit të lartë, si një nga parakushtet për rritjen e cilësisë së edukimit në Shqipëri. Universiteti i parë privat u licencua 10 vite më parë, por konkurrenca reale është ndjerë vetëm 4-5 vitet e fundit. Ne kemi qenë dhe jemi flamurtarë të demonopolizimit të tregut, ku operatorët të jenë në një garë reale, pasi vetëm gara dhe konkurrenca do të rrisë cilësinë e shërbimeve që ne ofrojmë. Rasti i fundit është edhe ai i vendimit pozitiv të Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri, për hapjen e studimeve doktorale në UET, çka përfaqëson hapin kryesor në licencimin zyrtar dhe juridik të këtyre programeve, ndërsa vijojmë me përfundimin e procedurave teknike. Me këtë nismë ra edhe monopoli i fundit që universiteti publik mbante në arsimin e lartë dhe kjo u arrit pas një pune voluminoze dhe një përvoje të nevojshme që UET mbartte për të plotësuar kushtet për marrjen e një licence të tillë.
Vetë miratimi i doktoraturës tregon për avantazhet konkurruese që ky universitet mbart. Cilësia është realisht ajo që na diferencon dhe nuk është thjesht një moto fushatash marketingu. Kompania gjermane e vlerësimit CHE e vlerësoi Universitetin Europian të Tiranës të parin ndër universitetet e përfshira në procesin e renditjes së universiteteve. Në të gjithë degët tona, për të gjitha dimensionet e vlerësimit, UET u vlerësua “shumë mirë” dhe “mirë”, pa asnjë tregues negativ, duke bërë që ky universitet të pozicionohet në krye në vlerësimin e parë të këtij lloji që është bërë në Shqipëri.
Kjo që sapo thashë është produkti final i një pune të vazhdueshme që bëhet në UET. Vlerësimi është pasojë e një sërë vitesh të gjata investimesh në stafin akademik dhe në infrastrukturën akademike. Ne kemi një staf të qëndrueshëm dhe serioz dhe numri i pedagogëve të brendshëm arrin në 85, ku 35 prej tyre mbajnë grada: prof. asoc., profesor e akademik, ndërsa në total gati 50 pedagogët tanë të brendshëm janë me gradën doktor i shkencave e me tituj, si dhe kanë një kontribut të shquar shkencor në fushat përkatëse. Pra, jemi munduar dhe ia kemi arritur të jemi të suksesshëm në thithjen dhe mbajtjen e akademikëve më të mirë që ofron tregu i arsimit shqiptar.
Kërkimi shkencor është një nga prioritetet tona. Sot, UET boton katër revista shkencore periodike, tri në shqip dhe një në anglisht. Ka rreth 100 botime akademike dhe shkencore në shtëpinë botuese “UET Press” dhe shumë elementë të tjerë të cilësisë akademike.
Qasja jonë ndaj studentëve ka një prirje anglo-saksone, ku komunikimi është shumë i rëndësishëm dhe nuk mbetet vetëm në kuadrin e formatit zyrtar, ku pedagogu zhvillon mësimin, pyet studentin dhe kaq. Është një komunikim interaktiv, ku studentët ndihen të çliruar dhe nxiten të debatojnë dhe artikulojnë mendimet e tyre.
Këtë vit akademik, UET-i po zgjerohet edhe nga ana e infrastrukturës me ambiente të reja shtesë. Një bibliotekë e re do t´u vihet në dispozicion studentëve të tre cikleve. Ne kemi partneritet me bibliotekat e universiteteve më prestigjioze, ku nëpërmjet sistemit online mund të konsultohesh me autorët, librat dhe revistat më prestigjioze, të nevojshme për zhvillimin e dijeve.
Sa janë brezat që kanë dalë dhe a keni një vlerësim se sa prej tyre kanë filluar punë? A i keni ndjekur, sa kanë përparuar në karrierë?
Në korrik 2011 zhvilluam ceremoninë e tretë të diplomimit, pra kemi diplomuar tre breza studentësh dhe kjo na bën të ndihemi krenarë për këtë përgjegjësi që ata dhe prindërit e tyre na besuan, të cilën e çuam deri në fund. Ne mbajmë të dhëna për çdo student dhe ndjekim ecurinë e karrierës së tyre pasi mbarojnë studimet. Kemi zyrën e posaçme, e cila quhet Zyra e Karrierës dhe Praktikës, që merret me ecurinë e praktikës së studentëve. Përveç mbledhjes së të dhënave për të gjithë ata studentë që mbarojnë studimet dhe nisin punën, ajo shërben edhe si ndërmjetësues mes armatës së të diplomuarve në UET dhe tregut të punës. Kujtoj se çdo vit në ambientet e universitetit zhvillohet “Panairi i punës”, ku studentët kontaktojnë personalisht me përfaqësues të kompanive më prestigjioze në vend. Ky panair pune shërben si pikë takimi mes studentëve tanë dhe kompanive private më të rëndësishme në vend, si dhe institucioneve shtetërore të interesuara për burime të reja njerëzore. Ne e ndiejmë si përgjegjësi tonën punësimin e studentëve dhe investohemi fuqishëm për punësimin e tyre.
Formimi i tyre profesional është një avantazh që ne e formësojmë më së miri, duke kombinuar formimin akademik me aftësitë praktike të tyre. Këtyre të fundit u kushtojmë rëndësi të madhe. Praktika është e detyrueshme në UET, ajo ka kredite të konsiderueshme në totalin e vlerësimit. Të gjithë studentët e vitit të fundit i nënshtrohen një praktike disajavore në institucione shtetërore, publike dhe kompani private.
Në debatin publik janë shfaqur disa teori që lidhen me modelin dhe reformën e financimit. çfarë mendoni për të?
Janë dy faktorë që po modelojnë tiparet e arsimit të lartë në të gjithë botën: globalizimi i tij dhe ulja e buxheteve që shtetet i dedikojnë arsimit në përgjithësi e arsimit të lartë në veçanti. Është provuar tashmë se, në kushtet e tregut të lirë, operatorët shfaqen më eficientë, më të strukturuar në kërkim të të gjitha hapësirave të zhvillimit e suksesit. Kjo mbetet e vërtetë edhe për arsimin e lartë në Shqipëri. Gjykoj se liberalizimi i arsimit të lartë në vend ishte një lëvizje e duhur politike dhe ekonomike, por edhe e guximshme. Reforma rezultoi në krijimin e një numri të konsiderueshëm institucionesh private të arsimit të lartë, si dhe vendosjen e arsimit të lartë publik nën presionin pozitiv të konkurrencës. Të gjitha grupeve të interesit në zhvillimet e arsimit të lartë do t´u interesonte që reforma në arsimin e lartë të mos mbetej në mes, pra kushtet normale të tregut të lirë t´i ofroheshin edhe arsimit të lartë shqiptar. Gjendja aktuale pasqyron vetëm një gjysmë reformë, e cila, po nuk e realizoi misionin e saj të vënies së të gjithë operatorëve në baza të barabarta konkurrence, është e destinuar të dështojë. Kjo do të sillte një humbje të pamat për arsimin shqiptar. Sipas gjykimit tim, reforma financiare në arsimin e lartë duhet të synojë kthimin në gjendje të lirë të tregut të arsimit të lartë në Shqipëri, në kushtet kur publiku shqiptar tregoi interesin e tij jo vetëm për t´u përfshirë si student, por edhe si sipërmarrës në të. Zhvillimet e fundit kanë treguar se qeveria është e vendosur të ecë në këtë drejtim. Uroj që kjo reformë të ndodhë sa më shpejt, në kuadrin edhe të forcimit të standardeve të cilësisë që certifikojnë arsimin e lartë në Shqipëri.
Tregu i arsimit privat po vazhdon të zgjerohet edhe këtë vit me hapjen e universiteteve të reja. Cilat mendoni se janë për UET hapësirat në një treg të vogël si Shqipëria, mbi të gjitha, për potencialet mësimdhënëse?
Tashmë UET është një logo që nuk njihet vetëm në kufijtë konvencionalë të Shqipërisë. Kur ne flasim për treg të arsimit të lartë, kemi parasysh rreth 7 milionë shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Në universitetin tonë kemi shqiptarë nga e gjithë kjo gjeografi. Ne po i kushtojmë rëndësi të madhe tregut në Kosovë dhe jemi vazhdimisht të pranishëm atje me aktivitete akademike dhe edukative. Pra, shfrytëzojmë çdo hapësirë të mundshme që UET të jetë i pranishëm në mënyrë aktive në trojet ku jetojnë shqiptarë.
Për sa i përket potencialeve të mësimdhënies, e përmenda më sipër që ne kemi një staf të qëndrueshëm akademik me 85 pedagogë, të cilët së bashku me pedagogët e jashtëm, arrijnë në rreth 100. Dua të theksoj se në Shkollën Doktorale të UET janë përfshirë pedagogë nga Universiteti i Astonit, në Birmingem, Britani e Madhe, me të cilin kemi marrëveshje dhe bashkëpunim të veçantë.
Ku e ndieni konkurrencën e universiteteve të tjera private dhe atë të universiteteve publike? Cilat mendoni se janë problemet e kësaj fushe në Shqipëri?
Arsimi i lartë në Shqipëri është në konkurrencë të plotë sot me rreth 60 operatorë publikë e privatë. Me liberalizimin edhe të studimeve doktorale, tashmë të gjithë operatorët (publikë dhe privatë) janë në një garë të hapur dhe të ndershme. Në ekonomi ka gjithmonë tension mes sasisë dhe cilësisë. Është pikërisht harmonizimi mes këtyre dy elementëve që siguron suksesin, sidomos atë në afatgjatë. Pikërisht për këtë ne jemi të lumtur që publiku na njeh për një institucion që diferencohet nga cilësia, siç edhe u vërtetua nga institucione serioze certifikimi.
Për sa i përket problemeve, ato lidhen kryesisht me imponimin e standardeve të cilësisë në aktivitetin akademik për të gjitha institucionet e arsimit të lartë pa dallim, gjë që duhet realizuar nga shteti, i cili duhet mbështetur fort nga të gjithë operatorët seriozë në arsimin e lartë në këtë proces sa delikat, aq edhe të vështirë. Gjithashtu, këta të fundit duhet ta shohin cilësinë si kauzë të përbashkët dhe të përpiqen fort e në mënyrë sindikale për të garantuar ruajtjen e standardeve në arsimin e lartë.
Po ashtu, problemet lidhen me vënien e operatorëve në një status të barabartë aksesi ndaj burimeve publike të financimit të arsimit të lartë, ku secili student do të vendoste vetë se ku do të shpenzonte financimin publik të dedikuar për arsimimin e tij, sigurisht duke u informuar saktë mbi ofertën akademike në treg dhe cilësinë e saj.
Ne besojmë se, publiku shqiptar është mjaft i interesuar dhe i informuar mbi sfidat e arsimit të lartë në Shqipëri, dhe UET do të kontribuojë me fuqinë e tij përfaqësuese për një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori vital për të ardhmen e vendit.
Flet Ilir Hebovija, administrator i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë
“Universiteti publik dëmton tregun”
Si ka qenë fluksi i regjistrimeve këtë vit? A vini se ka një rritje nga studentët për cilësi, d.m.th a kërkojnë sot më shumë të arsimohen mirë apo thjesht të marrin një diplomë?
Interesimi është shumë i lartë, pasi UMSH ofron standarde të larta të mbështetura dhe infrastruktura shumë moderne, fakti është që interesimi po vjen pa mbaruar ende përzgjedhja për universitetet publike që konsideroheshin si pika e kthesës. Kjo do të thotë që disa universitete private po zënë vendin e duhur në sitën e përzgjedhjes nga maturantët. Jemi të bindur që do t´i ofrojmë maksimumin këtij interesi të të rinjve.
Sigurisht që sot ka ndryshim të dukshëm krahasuar me pak vite më parë, siç duket janë plotësuar kërkesat për kategorinë e diplomëdashësve. Sot shohim të rinj që vijnë e interesohen në detaje për çdo gjë që ofron universiteti, bëjnë një “inspektim” të hollësishëm dhe pastaj vendosin. Ata janë të informuar për kërkesat ligjore që duhet të përmbushë një universitet dhe cilët janë ata që e drejtojnë universitetin, përvoja në punë etj. Sigurisht është e pavend të mendosh që të gjithë studentët që hyjnë në universitet të kenë standarde të larta. Synimi është që ata që duan të arrijnë këto standarde të kenë mundësitë t´i marrin dhe kjo është detyra jonë.
Sa efekt po jep në kërkesa për regjistrim, rankimi i universiteteve i kryer nga kompania gjermane?
Ishte hera e parë që universitetet i nënshtroheshin një vlerësimi të tillë, por që mendoj se për ne ishte i parakohshëm, pasi është vetë ligji shqiptar që nuk lë mundësi zhvillimi në vitet e para të universiteteve. Megjithatë maturantët që i drejtohen universiteteve private, i orientojnë kërkesat e tyre më shumë nëse janë plotësuar kriteret e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë sesa për pozicionin në rankim. Kjo edhe për faktin që jo të gjithë universitetet u përfshinë në procesin e rankimit.
A është rritur konkurrenca ndërmjet universiteteve private në vend? Sa efekt ka pasur rritja e universiteteve shtetërore në rrethe?
Sigurisht që është rritur dhe në shumë raste vë re me pozitivitet që kolegët “kopjojnë” nga njëri-tjetri elementët pozitivë. Ndërsa nëse do t´i referohemi universitetit publik, sot kanë dy pamje të ndryshme. E para ka të bëjë me imazhin pozitiv të ngritur në një aktivitet të gjatë dhe përvojë të padiskutueshme, pjesë të së cilës kanë shfrytëzuar dhe privatët. E dyta ka të bëjë me kërkesën absurde për masivizim që po dëmton thellësisht cilësinë e publikut.
Sot sulmohen universitetet private për cilësinë e diplomave, por harrohet dëmi që i sjell tregut një diplomë me emër të madh, por me cilësi të diskutueshme. Universiteti publik i fsheh më mirë firot e veta, për shkak të emrit dhe jetëgjatësisë që ka në tregun shqiptar. Salla të mbipopulluara, mësim që vazhdon deri në orët e vona të pasdites dhe mbi të gjitha, pamundësia ekonomike për të përballuar masivizimin e dëmtojnë shumë trashëgiminë e publikut.
Qeveria sot ka liberalizuar tregun dhe ka vetëm një rrugë për të rritur standardet, rritjen e kontrollit mbi zbatimin e standardeve si në publik ashtu dhe në privat.
Sa kujdes po i kushtoni përmirësimit të perfomancës, kur presioni i konkurrencës nga privati, por edhe nga rritja e numrit të universiteteve shtetërore është rritur?
Që në momentet e para të krijimit të UMSH, synimi kryesor ka qenë performanca e lartë. Grupi iniciator, me një përvojë të gjatë në fushën e edukimit universitar, ku siç dihet rektori është edhe akademik i asociuar, vendosi të krijojë universitet me standarde të larta. Besoj se kjo është më pozitivja, sepse po dallon qartë në treg trendin për performancë të lartë nga trendi për fitim të lartë. Ne e mbështesim këtë në kërkesat ndaj profesoratit, në punën kërkimore shkencore, në zhvillimin dinamik të programeve, në krijimin në universitet të një klime shumë të favorshme për studime të avancuara. Nuk mund ta përfytyrojmë një universitet që ndryshon nga shkolla e mesme vetëm nga mosha e studentëve, ndërkohë që qëllimi është krijimi i specialistëve të aftë për t´iu përgjigjur pozitivisht praktikës së punës me teorinë e mësuar.
Matja më e mirë për çdo universitet është tregu i punës. A vini re që tregu vendas i punës, sidomos sektori privat, po bën një seleksionim të stafit në varësi të universitetit?
Kjo është e vërtetë si kudo, do të jetë tregu i punës ai që do të bëjë vlerësimin për diplomat që ne japim, në fund të fundit të gjithë ne përgatisim specialistë për tregun e punës. Ne akoma nuk kemi nxjerrë brezin e parë të të diplomuarve, por jemi të sigurt se ata që kanë rezultate të larta e përballojnë mjaft mirë konkurrencën në tregun e punës. Nga ana tjetër po mbajmë lidhje shumë të ngushta me komunitetin e biznesit, për të dërguar më pas të diplomuarit tanë, por edhe për të marrë më pas edhe vlerësimin e tyre për rezultatet e studentëve në praktikë. Pa kaluar shumë në marrëdhënie populiste, besojmë ta përdorim këtë vlerësim në një zhvillim praktik të programeve tona. Sot ne jemi të orientuar thellësisht drejt nevojave të tregut të punës, jo vetëm të atyre aktuale, por edhe të perspektivës dhe shpresojmë të kemi sukses.
Flet administratori i “Universitetit Metropolitan të Tiranës”, Arjan çukaj
“Universiteti i IT”
Si ka qenë fluksi i regjistrimeve këtë vit? A vini re se ka një rritje nga studentët për cilësi, d.m.th a kërkojnë sot më shumë të arsimohen mirë apo thjesht të marrin një diplomë?
Universiteti Metropolitan i Tiranës, për vitin akademik 2011-2012, zhvillon veprimtarinë akademike në dy fakultete, me dy degë secili: 1. Fakulteti i Inxhinierisë, me degët Inxhinieri Ndërtimi dhe Teknologji Informacioni 2. Fakulteti i Ekonomisë dhe i Drejtësisë me degët Administrim Biznesi, Informatikë Ekonomike dhe Juridik.
Interesi ka qenë i konsiderueshëm, megjithëse ne sapo kemi hyrë në treg. Targeti ynë është që të arrijmë 100 studentë të regjistruar për vitin e parë.
Ndërkohë, Universiteti Metropolitan i Tiranës ka staf akademik cilësor, pedagogë me përvojë të gjerë, personalitete të spikatura në fushat përkatëse dhe pjesëmarrës të sesioneve dhe konferencave të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Stafi akademik ka përgjegjësi për hartimin dhe zhvillimin e lëndës përkatëse, duke siguruar programe bashkëkohore akademike dhe duke ndjekur ecurinë dhe zhvillimin e studentëve. Ai orienton dhe drejton punën e studentëve në formimin e tyre akademik, social, kulturor etj. Qëllimi i stafit akademik është të jetë gjithnjë e më tepër bashkëpunues, të sigurojë cilësinë akademike, specializimin dhe kualifikimin e studentëve.
Sa kujdes po i kushtoni përmirësimit të perfomancës, kur presioni i konkurrencës nga privati, por edhe nga rritja e numrit të universiteteve shtetërore është rritur?
Ajo që na dallon ne nga universitetet e tjera është fakti se ne jemi një universitet i orientuar në nxjerrjen e specialistëve teknikë, inxhinierë, kryesisht të inxhinierisë kompjuterike. Kemi zgjedhur pikërisht këtë drejtim, sepse duke pasur vetë biznese, e kemi parë mungesën e specialistëve në të këtë drejtim.
Një tjetër “plus” shumë i madh janë bursat që ne ofrojmë për studentët, të cilët mund të punësohen që në vitin e parë në kompanitë e grupit.
Dhjetë më të mirët e çdo dege do të kenë mundësi të diplomohen pas përfundimit të studimeve, ndërkohë që ofrohen edhe 20 kontrata pune part-time. Synimi ynë është që specialistët të jenë të aftë për të punuar si në tregun e brendshëm dhe në atë rajonal dhe europian. Synimi është pozicionimi në tregun shqiptar me specialistë të formuar dhe të kualifikuar në të gjithë sektorët e biznesit. Kërkimi shkencor është karakteristikë e programit të studimit të ciklit të dytë dhe të masterit profesional. Por ai mund të zhvillohet lehtësisht dhe gjatë studimeve të ciklit të parë.
Flet Alma Sulstarova, kancelare e Universitetit Polis
“Tregu i punës, matësi më i mirë”
Si ka qenë fluksi i regjistrimeve këtë vit? A vini re se ka një rritje nga studentët për cilësi, d.m.th a kërkojnë sot më shumë të arsimohen mirë apo thjesht të marrin një diplomë?
Këtë vit akademik, “Polis” ka pasur një fluks më të madh interesimesh/regjistrimesh se vitin e kaluar, për shkak të konsolidimit të profilit të tij në pesë vite punë, por edhe për shkak të një vizibiliteti më të madh të tij me zhvendosjen në kampusin e ri. Promocioni që kemi zgjedhur të bëjmë është një promocion i një profili të moderuar dhe aspak agresiv që konsiston në kontakte të drejtpërdrejta me target-grupet përkatëse, ekspozita të ndryshme të punimeve të studentëve, forume të hapura, seminare dhe workshope kombëtare e ndërkombëtare dhe shumë aktivitete të tjera me karakter akademik, shkencor dhe social.
Vihet re që kërkesa për cilësinë vjen gjithnjë në rritje, pasi edhe pyetjet që bëjnë të interesuarit (prindërit dhe studentët) lidhen shumë me cilësinë e universitetit si: pyetje rreth programit, stafit akademik, bashkëpunimet me universitete të huaja, kërkimi shkencor dhe pjesëmarrja e studentëve në të e deri te jeta sociale e universitetit.
A është rritur konkurrenca ndërmjet universiteteve private në vend? Sa efekt ka pasur rritja e universiteteve shtetërore në rrethe?
Konkurrenca ndërmjet universiteteve është rritur shumë dhe më duhet të them që është në shumë raste e pandershme, konkurrojnë universitete të akredituara me universitete të paakredituara. Ndërkohë, efekti i rritjes së numrit të universiteteve shtetërore në rrethe ndihet shumë, sidomos në numrin e studentëve nga rrethet, i cili sa vjen e pakësohet.
Matja më e mirë për çdo universitet është tregu i punës. A vini re që tregu vendas i punës, sidomos sektori privat, po bën një seleksionim të stafit në varësi të universitetit?
Tregu i punës nuk ka testuar ende realisht studentët e Universitetit Polis, pasi brezi i parë i studentëve u diplomua këtë vit akademik. Jemi të sigurt që tregu i punës do të jetë marketimi më i mirë i studentëve tanë. Tregu vendas gradualisht do të bëjë seleksionimin e vet, sipas cilësisë së studentëve që sigurisht garantohet ose jo nga institucioni ku ai/ajo ka studiuar. Ky proces do të marrë kohën e vet dhe sigurisht që do të shkohet gjithnjë e më shumë drejt kësaj rruge. Megjithëse studentët e parë sapo kanë përfunduar studimet, shumë prej tyre kanë filluar punë në studio private projektimi, por edhe në institucione shtetërore që gjatë studimeve dhe nga të dhënat që disponojmë ata po performojnë shumë mirë.
Universiteti “Epoka” flasin
Armando Demaj, drejtor i Zyrës së Përzgjedhjes dhe Pranimit të Studentëve
Xhafer Rakipllari, drejtor i Zyrës së Marrëdhënieve me Median dhe Publikun
Treg inflacionist, po me rritje në cilësi
Si ka qenë fluksi i regjistrimeve këtë vit? A vini re se ka një rritje nga ana e studentëve për cilësi, d.m.th a kërkojnë sot më shumë të arsimohen mirë apo thjesht të marrin një diplomë?
Fluksi i regjistrimeve për vitin e ri akademik në Universitetin Epoka ka qenë më se i mbarë. Kjo, ndoshta lidhur edhe me faktin se “Epoka” sapo ka nxjerrë brezin e parë të të diplomuarve në programet bachelor dhe master. Një pjesë e mirë e këtyre të diplomuarve tanimë punojnë me sukses në sektorin privat dhe publik dhe kjo padyshim ka pasur ndikim në imazhin e universitetit dhe rrjedhimisht në regjistrimet për vitin e ri akademik.
Tregu i arsimit të lartë privat në Shqipëri, pavarësisht faktit se në pamje të parë duket inflacionist, ka pasur edhe arritje cilësore. “Epoka” është një ndër universitetet që vetëm në vitin e fundit ka pasur më tepër se 15 memorandume bashkëpunimi me universitete në SHBA apo Perëndim, por edhe me kompani të mëdha në vend.
Sa efekt po jep në kërkesa për regjistrim, rankimi i universiteteve i kryer nga kompania gjermane?
Rankimi i universiteteve nga MASH dhe Agjencia Gjermane CHE është mbështetur nga Universiteti Epoka, si një përpjekje për të vënë në udhë të mbarë arsimin e lartë në vend. Kjo renditje tregoi edhe seriozitetin dhe cilësitë që ofrojnë programet akademike në Universitetin Epoka. Megjithatë nga të regjistruarit e këtij viti akademik nuk kemi shquar ndonjërin që të këtë pasur informacion të plotë dhe të qartë mbi këtë rankim. Por ne besojmë se ky rankim luan njëfarë roli në zgjedhjet që bëjnë maturantët.
Sa kujdes po i kushtoni përmirësimit të perfomancës, kur presioni i konkurrencës nga privati, por edhe nga rritja e numrit të universiteteve shtetërore është rritur?
Universitetet private në vend kanë filluar të shohin nga ndërkombëtarizimi, marrëveshjet me universitete perëndimore apo dhe diploma të dyfishta me këto institucione. Mundësitë që ne si universitet kemi në këtë aspekt janë të panumërta. Disa herë në vit, funksionarë të lartë të “Epokës”, që nga rektori, kancelari por edhe akademikë, marrin pjesë në aktivitete ndërkombëtare mes akademikësh. Një pjesë e akademikëve të kontaktuar nga stafi ynë sillen në Shqipëri si lektorë, duke marrë pjesë edhe në kërkimin shkencor në Universitetin Epoka.
Matja më e mirë për çdo universitet është tregu i punës. A vini re që tregu vendas i punës, sidomos sektori privat, po bën një seleksionim të stafit në varësi të universitetit?
Universiteti Epoka, që në themelim, u ka kushtuar rëndësi të madhe “internshipeve”. Shumë studentë tanë, që në vitin e tyre të dytë, punojnë për një periudhë dy-tremujore pranë firmave dhe kompanive më të mëdha në vend dhe kjo u jep atyre përvojë e njohje të mjaftueshme për të pasur të lehtë punësimin pas diplomimit.
Flet dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin BEDËR, prof. dr. Ayhan Tekines
Kërkimi shkencor, shumë i rëndësishëm
Ky është viti i parë i hapjes, cila është oferta juaj?
Të gjitha universitetet në përgjithësi dalin me një mision të caktuar. E veçanta që universiteti “Bedër” do të ofrojë për të gjithë të rinjtë shqiptarë është se do të ketë gërshetim të mirë të përgatitjes profesionale të studentëve me kërkimin shkencor dhe ç´është më e rëndësishmja e që do të na diferencojë nga të tjerët është përfshirja në këtë mision, ruajtja dhe zhvillimi i vlerave humane, që në fakt ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. I gjithë stafi është përzgjedhur në një mënyrë të tillë, që do të dijë të arrijë të gërshetojë misionin e shprehur edhe në sloganin tonë “Në emër të vlerave”. Universiteti “Bedër” ka arritur një koordinim shumë të mirë midis stafit akademik dhe infrastrukturës për realizimin e kërkimit dhe përgatitjes shkencore, si një kontribut që një universitet duhet të ketë për shoqërinë dhe që do të ndihmonte në zhvillimin e atyre vlerave njerëzore aq të nevojshme për shoqëritë në ditët e sotme.
Si mendoni se do të konkurroni në një treg ku universitetet janë shtuar?
Mendojmë se elementi kryesor që ofrojmë është cilësia e lartë. çdo student do të gjejë në universitetin tonë një cilësi që garantohet nga një staf tepër i kualifikuar dhe i përzgjedhur nga shtatë shtete të ndryshme të botës. Nga ana tjetër, infrastruktura dhe ambientet janë të dizajnuara sipas nevojave dhe interesave të studentëve, duke ofruar kushte mjaft të mira.
Për sa i përket kurrikulës që departamentet e Drejtësisë, Shkencave Islame, Shkencat e Komunikimit, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, si dhe Gjuhës dhe Letërsisë Turke mund të konsiderohen si tepër bashkëkohore, sipas standardeve që universitetet më të mirë në botë aplikojnë. Ndryshe nga ajo që vëmë re në tregun e universiteteve publikë apo privatë, ana teorike e studentëve do të shoqërohet me një ngarkesë të caktuar praktike. Aktualisht kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumë media të ndryshme, ku studentët e Shkencave të Komunikimit do të mund të praktikojnë profesionin që në fillimet e studimeve. Është menduar që programi akademik të përfshihet në 3-4 ditë të javës dhe 2-3 ditë të tjera ata të mund të zhvillojnë praktika të ndryshme. Studentët e Drejtësisë do të mund të jenë asistentë në studio të ndryshme ligjore që në vitin e parë. Kjo është një praktikë që do të aplikohet për të gjithë departamentet.
Cilat janë disa nga risitë që synoni të ofroni në fushën e arsimit të lartë privat në Shqipëri?
Qëllimi kryesor është përgatitja e individëve të kualifikuar që do të mund të ofrojnë kontributin konkret në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuadër janë planifikuar dhe ideuar mënyrat më të mira të arsimimit. Një nga risitë që do të përmendja, çelja e programit për asistentë kërkimorë, një praktikë që do të ndihmojë në përgatitjen e akademikëve të rinj në universitetin tonë. Asistentët kërkimorë do të kenë mundësi që përkrah programit të masterit, të ndjekin nga afër edhe punën akademike të një profesori titullar. Në përfundim të këtij programi, personi në fjalë do të jetë disa hapa para atyre që e nisin karrierën akademike pas studimeve universitare.
Koordinimi i kurrikulës së çdo departamenti midis gjuhës shqipe dhe asaj angleze është një tjetër veçori. Pas një programi intensiv në gjuhën angleze që jepet në vitin e parë, studentët do të kenë disa lëndë profesionale të zhvilluara në këtë gjuhë, nga profesorë që vijnë nga shtete të ndryshme. Një tjetër pikë e rëndësishme, që besoj se do të ndihmojë dhe do t´i japë mundësi çdo familjeje shqiptare, është ana ekonomike. Duke qenë se jemi një universitet i mbështetur nga një fondacion dhe nuk synojmë përfitimet financiare, siç ndodh sot rëndom në tregun e universiteteve private në vendin tonë, ne po aplikojmë tarifa konkurruese, ku çdo familje shqiptare, me një sakrificë të vogël, mund t´i përballojë.
Të punojmë për institucione arsimore të forta
Adriana Berberi, administratore e deleguar, Universiteti “Marin Barleti”
çfarë ju dallon në tregun e dijes dhe cilat janë pikat tuaja të forta?
Me një trupë akademike të diversifikuar, e cila bashkon traditën më të mirë shqiptare me përvoja të reja botërore, Universiteti “Marin Barleti” dallon ndër universitetet shqiptare si një institucion serioz, i klasit të parë, i cili u mundëson studentëve një ambient miqësor por rigoroz njëherësh, ku ata mund të zhvillojnë dijet dhe t´u japin formë ideve që do të shërbejnë për ta çuar shoqërinë dhe vendin përpara. Fushat e studimit bachelor në universitetin tonë përfshijnë degë të ndryshme, si Financë, Kontabilitet, Administrim Biznesi, Ekonomi, Juridik, Shkenca Politike, Psikologji, Sociologji dhe Teknologji Informacioni. Ne aplikojmë një metodë ndërtimi të programeve, e cila është unike në Shqipëri pasi sjell sistemin e Minorëve, sipas modelit të universiteteve amerikane. Studenti zgjedh krahas degës kryesore edhe një formim dytësor, komplementar që e bën atë më të aftë për t´u përballur me një treg pune të vështirë dhe kërkues siç është ky yni. Kjo do të thotë që studentët tanë janë arkitektët e studimeve të tyre, ata mund të zgjedhin të studiojnë edhe atë që është më e kërkuar në treg, por njëherësh edhe të mos braktisin pasionin e tyre. Për shembull, ka të rinj që kanë pasion mediat, por që me pragmatizëm zgjedhin të studiojnë ekonomi. Në Universitetin tonë, studentë të tillë mund të zgjedhin për Minor (formim dytësor) Mediat dhe Komunikimin, dhe kjo i aftëson të bëhen gazetarë ekonomikë të shkëlqyer.
Programet e studimeve master në UMB janë gjithashtu një nga pikat tona më të forta. Me mastera shkencorë dhe profesionalë me 120, 90 apo 60 kredite arrijmë t´u ofrojmë pikërisht atë që u nevojitet shumë studentëve apo profesionistëve të rinj që duan të specializohen apo thellohen në studime e tyre. Programet e studimeve master në Administrim Publik, Financë & Kontabilitet, Menaxhim Burimesh Njerëzore, Marketing, Studime Europiane, Edukim, Komunikim, E Drejtë Tregtare dhe e Drejtë Publike. Shumë nga programet tona janë hartuar dhe ofrohen në bashkëpunim me universitete të shquara në botë, e ato sigurisht që kanë diçka për këdo që kërkon më shumë.
Sa janë brezat që kanë dalë dhe a keni një vlerësim se sa prej tyre kanë filluar punë? A i keni ndjekur, sa kanë përparuar në karriere?
Universiteti “Marin Barleti” është themeluar në vitin 2005 dhe i akredituar që në vitin 2009. Kemi nxjerrë deri tani disa breza studentësh të sistemit të studimeve bachelor dhe master. Jam e lumtur të them se kanë qenë në shumicë të rinj të shkëlqyer, të cilët nuk kanë mbetur në vend, por kanë bërë përpara. Universiteti “Marin Barleti”, prej dy vjetësh, ka ngritur rrjetin “Alumni” ku bëjnë pjesë të gjithë të diplomuarit tanë. Për këtë arsye kemi kontakte të ngushta me ish-studentët tanë dhe ata me njëri-tjetrin. Rrjeti “Alumni” ka pikërisht këtë qëllim, të ruajë dhe të forcojë kontaktet midis studentëve dhe Universitetit, në mënyrë që suksesi i mëtejshëm i diplomantëve tanë të mos i lihet rastësisë, por të ndihmohet nga ne të gjithë. Vlerësojmë se studentët tanë janë punësuar në masën 80%, dhe ushtrojnë profesionin në mënyrë të kënaqshme. Sigurisht, të rinjve u duhet përvojë për të arritur majat, por studentët tanë janë të kërkuar në treg dhe pasi merren në punë, fitojnë besimin e punëdhënësve për shkak të përgatitjes së plotë dhe të ndershme që kanë përfituar në vitet e shkollës. Megjithatë, kemi studentë të cilët janë diplomuar tre vjet më parë dhe sot mbajnë pozicione drejtuese (drejtor marketingu, drejtor operacionesh, menaxher) në disa kompani ndërkombëtare me emër dhe peshë në tregun shqiptar. Ka shumë prej tyre që, pas diplomimit në UMB, kanë qenë të suksesshëm edhe në përfitimin e së drejtës për të studiuar në universitete prestigjioze europiane dhe amerikane, e shumë prej tyre kanë përfituar edhe bursa merite.
Universiteti ka disa marrëveshje bashkëpunimi me kompani dhe institucione financiare e bankare në vend si “Union Bank”, bankën “Intesa Sanpaolo”, “Sigal Uniqa Group”, “Capital Insitut”, Banka Kombëtare Tregtare, KESH-i etj., me të cilat ka bashkëpunuar në vijimësi për praktikat e studentëve, për edukimin dhe këshillimin e karrierës si një element gjithashtu shumë i rëndësishëm për suksesin e tyre në aplikimin në tregun e punës. Studentët tanë kanë qenë fitues në konkurrime profesionale të organizuara në rang vendi. Për rritjen e shanseve për punësimin e studentëve kemi menduar që në konceptimin e programeve dhe vijojmë me metodat e prezantimit dhe vlerësimit gjithëvjetor të tyre, për t´u dhënë të gjitha shprehitë e nevojshme analitike dhe vlerësuese, që përbëjnë edhe kyçin e suksesit. UMB gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me kompani punësimi, me të cilat realizon këshillim karriere për studentët, por edhe prezantimin e ofertave të punës.
Si kanë ndikuar te ju reformat?
Reformat janë të mirëpritura pasi sistemi universitar në Shqipëri ka nevojë për reformim, ashtu siç është në proces reformimi edhe vetë sistemi universitar europian e më gjerë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se dizenjimi dhe monitorimi i reformave është një proces i vështirë dhe për rrjedhojë, jo gjithnjë ato dizenjohen dhe implementohen saktë. Sektori i edukimit universitar, veçanërisht ai jopublik, është ende në formim e sipër dhe rezultatet e institucioneve janë mikse. Përtej reformave, ne besojmë se përkushtimi, puna e palodhur për të sjellë në këtë fushë një produkt cilësor dhe bashkëkohor janë ato që e bëjnë një institucion arsimor të fortë dhe të qëndrueshëm. Ne kemi një qëllim, të ngremë një Universitet shqiptar, të vlerave dhe të njerëzve që do ta bëjnë të ardhmen më të mirë.
Tregu i arsimit privat po vazhdon të zgjerohet edhe këtë vit me hapjen e universiteteve të reja. Cilat mendoni se janë hapësirat në një treg të vogël si Shqipëria. Po tregu i punës sa shanse ofron?
Është e vërtetë që tregu vazhdon të zgjerohet dhe kjo është normale në një ekonomi liberale. Nuk kemi asnjë problem me këtë, pavarësisht se personalisht nuk më pëlqen ta shikoj thjesht si treg. E rëndësishme është që të mos abuzohet, dhe këtu vijmë te roli i institucioneve që kanë për detyrë të monitorojnë e sigurojnë cilësi dhe ndershmëri në konkurrencë. Nuk është problemi se si na prek ne hapja e Universiteteve të reja, por kjo nuk është një industri si gjithë të tjerat. Ne ofrojmë edukim. U ofrojmë të rinjve dijen për të përballuar të ardhmen. Universitetet nuk mund dhe nuk duhet t´ua bëjnë me “hile” studentëve. Një diplomë nuk është e barasvlefshme me arsimin. Është e pafalshme që në vend të një edukimi cilësor të japësh kartonë pa asnjë vlerë, sepse kështu u vjedh jo vetëm këtyre studentëve shanset për një jetë të mirë, por kontribuon negativisht në zhvillimin dhe përparimin e vendit tënd. Të gjithë ata që janë seriozë në ngritjen e universiteteve të vërtetë janë të mirëpritur, përndryshe do të ishte një gabim i rëndë t´i hysh kësaj pune për përfitime të pandershme. Tregu i punës vjen gjithmonë në rritje, shanset vijnë duke u përmirësuar, biznesi shqiptar forcohet me vitet. Është e vërtetë që gjetja e një pune nuk është gjëja më e lehtë, por asnjëherë nuk ka qenë e tillë. E rëndësishme për ne është që studentët tanë t´i nxjerrim në këtë treg të vështirë me avantazhet e një arsimimi cilësor. Sfidat për punësim në kushtet e integrimit të vendit në tregun europian bëhen edhe me të vështira. Misioni ynë si UMB është të përgatisim studentë të një niveli të lartë, që të mund të realizojnë synimet e tyre profesionale brenda dhe jashtë vendit, e mbi të gjitha, të zhvillojnë pasionet dhe interesat e tyre në funksion të komunitetit ku ata jetojnë e punojnë.
Ku e ndieni konkurrencën e universiteteve të tjera private?
Duhet qartësuar, kjo nuk është një industri si gjithë të tjerat. Arsimi i lartë sjell përgjegjësi të veçanta, ne nuk shesim mallra konsumi, ne u mundësojmë studentëve të ardhme të sigurt. Të ngresh një universitet është punë e vështirë dhe kërkon shumë durim, shumë mund. Nuk jemi fokusuar asnjëherë te konkurrentët, por vetëm te realizimi i misionit tonë, duke u fokusuar te studentët tanë. Përpiqemi çdo ditë të ngremë standardin, të rrisim cilësinë. Jo më kot, Universiteti “Marin Barleti” u vlerësua maksimalisht për cilësi në mësimdhënie nga Agjencia e Vlerësimit. Qoftë për studimet bachelor, qoftë dhe për ato master, ne diferencohemi në përgatitjen e stafit tonë me pedagogë vendas dhe të huaj, në seriozitetin në mësimdhënie dhe në ndihmën pa kushte që mundohemi t´u sigurojmë studentëve tanë. Universitetin e kemi konceptuar si një institucion të arsimit të lartë, jo si një “show” mediatik me karakter politik. Ne nuk jemi lobistë, as aktorë që luajnë për të korrur pikë në opinionin publik. Ne jemi një Universitet, ofrojmë dije, aftësi, të ardhme. Investimi ynë më i madh janë studentët, jo spotet publicitare. Garantimi i suksesit të tyre është përpjekja jonë dhe suksesi i tyre është padyshim edhe suksesi ynë.
Flet Dr. Spiro Brumbulli, rektor i “Tirana Business University”
Arsimi i lartë: Nevojitet më shumë cilësi dhe specialistë
çfarë mendoni se ju dallon në tregun e dijes, cilat janë pikat tuaja të forta? Cilat janë fushat e studimit që ofroni?
“Tirana Business University” është qartësisht i dallueshëm nga universitetet e tjera private dhe publike që operojnë në vendin tonë, pasi ka vetëm dy fakultete: Fakulteti i Administrim Biznesit dhe Fakulteti i së Drejtës së Biznesit.
TBU ofron programe studimi të nivelit të parë bachelor në administrim biznesi, në profilet menaxhim, marketing, kontabilitet & financë, si dhe programin e studimit në business law (e drejtë biznesi). Gjithashtu ofron edhe programet e studimit master profesional në administrim biznesi, administrim publik, e drejtë biznesi, kontabilitet & financë, si dhe master shkencor në administrim biznesi.
Të udhëhequr nga modelet e programeve të universiteteve të biznesit në botë dhe veçanërisht nga modeli i universiteteve gjermane të biznesit, ne ofrojmë programe studimi, ku ndërthuren dijet teorike me trajnimin praktik dhe pjesëmarrjen e studentëve në veprimtari kërkimore e shkencore. Ambicia jonë është që studentët, të cilët përfundojnë studimet në TBU, të renditen në krye të listës së punonjësve më të kërkuar nga kompanitë vendase dhe të huaja.
Ndërkohë që shumica e universiteteve në Shqipëri pothuajse e kanë injoruar fare domosdoshmërinë e trajnimit praktik të studentëve gjatë viteve të studimeve, ne e shohim atë si një prioritet të rëndësishëm, dhe e kemi vendosur në të gjitha vitet e programit të studimeve. Ne kemi krijuar marrëdhënie të ngushta me dhjetëra kompani të njohura në Shqipëri, por edhe jashtë saj, si në Gjermani, Itali, Austri etj., ku studentët tanë jo vetëm do të realizojnë trajnimin e tyre praktik dhe do të marrin pjesë në veprimtari të ndryshme kërkimore e shkencore, por do të hapin ndërkohë edhe rrugën e punësimit të tyre, si gjatë studimeve, ashtu edhe pas përfundimit të tyre.
TBU ka përzgjedhur një staf akademik elitar me profesorë të njohur vendas dhe të huaj, duke bërë një ndërthurje të mirë midis profesorëve të universitetit me background teorik, me disa nga personalitetet më të njohura të fushave përkatëse, të cilët jo vetëm kanë një background të mirë akademik, por edhe një përvojë të gjatë praktike, në pozicione menaxheriale dhe drejtuese. Ne synojmë që të shkojmë përtej rolit të institucioneve arsimore tradicionale shqiptare. Duam të sjellim konceptin e menaxhimit bashkëkohor dhe të luajmë një rol të dukshëm në mënyrën e drejtimit dhe menaxhimit të bizneseve në Shqipëri dhe në gjithë zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë. Synimi ynë është që udhëheqësit e biznesit dhe profesionistët e ardhshëm të tij, ta duan dhe ta ushtrojnë profesionin e tyre me pasion, kudo ku të punojnë pas përfundimit të studimeve, pasi vetëm me shumë pasion dhe punë të gjatë e të lodhshme mund të arrijmë progres dhe mirëqenie.
Si kanë ndikuar te ju reformat e fundit në sistemin universitar?
Mendoj se reforma në sistemin universitar nuk ka përfunduar. Ajo vetëm sa ka filluar. Projektet e iniciuara duhen përgëzuar, sepse përbëjnë risi për praktikën dhe përvojën shqiptare, por në këtë fazë ku ndodhen, nuk duhen hiperbolizuar dhe mbivlerësuar. Reformat duhet të vazhdojnë me seriozitet dhe të mbahen gjithnjë në pozitë aktive, në mënyrë që t’i shërbejnë përmirësimit dhe perfeksionimit të tregut. TBU, jo vetëm që i përkrah reformat, por edhe është e gatshme të kontribuojë për to, sa herë që t’i kërkohet. Ne i mirëpresim të gjitha zhvillimet e reja që kanë konsensusin e komunitetit, të palës së interesuar dhe aprovohen me transparencë. Reforma të tilla na ndihmojnë për të bërë diferencimet dhe dallimet nga konkurrentët.
Tregu i arsimit privat po vazhdon të zgjerohet edhe këtë vit me hapjen e universiteteve të reja. Cilat mendoni se janë hapësirat në një treg të vogël si Shqipëria, mbi të gjitha për potencialet mësimdhënëse? Cilat janë problematikat e këtij sektori?
Tregu i arsimit universitar është relativisht i ri. Si çdo treg tjetër i produkteve dhe shërbimeve që është hapur gjatë viteve të tranzicionit, në kuadrin e liberalizimit dhe zhvillimit të tregut të lirë, edhe ai nuk mund të zhvillohet pa të metat e veta. Ne mendojmë se tashmë mund të quhet i arrirë objektivi sasior. Pra, numri i universiteteve të krijuara është më se i mjaftueshëm, specialitetet që mbulohen janë të dëshiruara, po kështu mbulimi gjeografik është i pëlqyeshëm. Të gjitha këto kanë nxjerrë imperative rritjen e cilësisë së arsimit universitar. Këtu kemi shumë për të bërë. Cilësia nuk është thjesht një rankim; nuk është një fotografi. Cilësia është proces i pandërprerë. Për momentin, nëse kemi zgjeruar numrin dhe rritur kapacitetet logjistike, nuk kemi ecur me të njëjtin ritëm në përgatitjen e stafit akademik. Prandaj është e domosdoshme që universitetet të zhvillojnë stafet e veta, ekipet e veta mësimdhënëse, kërkimore, shkencore.
Një problem tjetër është shtimi i programeve që përgatisin specialistë, jo thjesht teorikë, por me aftësi praktike. Shqipërisë, si vend i vogël dhe eksportues i fuqisë punëtore, i duhen shumë specialistë të kualifikuar, mjeshtër zanatesh e profesionesh, ku shkollat e larta mund të kontribuojnë. Duket sikur ka një prirje më shumë për të përgatitur doktorë të shkencave, se sa njerëz të arsimuar e të aftë për t’i shërbyer ekonomisë dhe shoqërisë. Këto raporte janë ende në një fazë të turbullt dhe koha do t’i qartësojë.
Duke qenë treg i ri, edhe pse është shoqëruar me ndryshime ligjore, kuadri ligjor lë ende për të dëshiruar. Ndryshimet dhe rregullimet nuk duhen bërë për të kënaqur këtë grup apo atë grup, por duhen bërë në bazë të përvojave solide botërore. Ligji duhet të jetë jo vetëm rregullues, por edhe vizionar. Ai duhet t’i prijë zhvillimit në kahun e duhur dhe në standardet e duhura.
Ku e ndieni konkurrencën e universiteteve të tjera private dhe atë të universiteteve publike?
Konkurrenca nuk është gjë e keqe, përkundrazi është motor i fuqishëm që s’të lë të flesh, që të mban gjithnjë në alarm për cilësinë dhe standardet. Konkurrenca nuk është vetëm brenda sektorit privat, por edhe midis atij privat dhe publik. Risku tashmë është i njëjtë për të gjithë. Për momentin duket se universitetet publike janë më të favorizuara, për shkak të numrit të lartë të studentëve në pranim dhe kostos më të ulët. Sigurisht që arsimi publik do të mbajë peshë të tillë, sepse jemi ne që paguajmë dhe kontribuojmë me taksat tona. Por, arsimi privat ka fuqi dhe potenciale në përmirësim të cilësisë dhe ecjes përpara me më fleksibilitet. Kështu që duhet edhe ca kohë deri sa perceptimi mbi arsimin publik si i sigurt, i lirë dhe i preferueshëm të ballafaqohet realisht me cilësinë e diplomës në përfundim të studimeve.
Shtim i lartë i studentëve
Shifrat zyrtare të arsimit flasin për një rritje me ritme të larta të numrit të studentëve që janë regjistruar, por edhe diplomuar këto vite në arsimin e lartë.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), vitin e kaluar, ishin tw regjistruar gjithsej 116 mijë studentë ose gati 25% më shumë se një vit më parë. Siç vërehet edhe nga grafiku, shtimi i studentëve përkon me periudhën e hapjes së degëve të reja të universiteteve publike nëpër disa rrethe dhe hapjen e institucioneve të arsimit të lartë privat. Pavarësisht shtimit të numrit të këtyre të fundit, numri i studentëve në kampuset e tyre zë një peshë të vogël (19%) në “tortën e arsimit të lartë”.
Pothuajse me të njëjtin ritëm rritje kanë ecur edhe të diplomuarit. Sipas INSTAT, vitin e kaluar u diplomuan gati 9.5 mijë studentë në universitetet publike dhe 3.8 mijë studentë në institucionet e arsimit të lartë privat. Sipas të dhënave zyrtare, numri i të diplomuarve është rreth dhjetë herë më i ulët se ai i të regjistruarve, çka tregon për një fluks të madh hyrës në universitete, por jo në treg.
Grafiku nr. 2 Numri i studentëve të diplomuar ndër vite
Universiteti i Tiranës kryeson për nga numri i studentëve, duke marrë 34% të totalit të studentëve të regjistruar në universitetet publike.
Grafiku nr. 3 Studentët sipas universiteteve (publikë) 2009-2010
Vendi Grupmoshat përfshirë në arsim (%)
Shqipëri 78
Suedi 71
Spanjë 71
Bullgari 51
Britani 57
Francë 55
Austri 55
Rumani 66
Burimi: INSTAT + Monitor
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.