Fushata elektorale gjendet në kulmin e saj. Partitë kryesore në vend kanë zgjidhur “qesen” dhe po tregohen agresive në luftën për tërheqjen e votave. Sipas një monitorimi të realizuar mbi
Shpenzimet e disa partive politike gjatë kësaj fushate vlerësohet se për periudhën 23 Maj-31Maj vlera financiare e reklamave llogaritet në rreth 87 milionë lekë. Në total numri i spoteve është llogaritur në 25, ndërsa ai i shfaqjeve ( spote, logo, etj) është në mbi 1700.
Gjetjet e realizuara nga një studim i lëvizjes “Mjaft” janë ndarë në dy kategori dhe përfshijnë periudha të ndryshme sa i përket spoteve elektorale të (23 Maj-31 Maj), ndërsa aktivitetet e terrenit të partive janë përmbledhur në numra (periudha 23 Maj-10 Qershor). Për këtë të fundit nuk ka shifra të përllogaritura për shkak të volumit të madh të produkteve elektorale si dhe kohës që nevojitet për llogaritjen e tyre.
Gjetjet e monitorimit :
Spotet televizive
Nga monitorimi vihet re se Partia Demokratike ka numrin më të madh të speoteve elektorale të realizuara (12), por llogarit më pak numër shfaqjesh (664). Partia Socialiste ka transmetuar për të njëjtën periudhë 6 spote, por ka më shumë shfaqje ( 746).
Si kohë transmetimi PD është në avantazh me 8.44 minuta kundrejt 7.57 minuta të PS-së. Vlera financiare e shpenzuar nga të dyja partitë kryesore, sipas monitorimit është e përafërt. PD mësohet se për të njëjtën periudhë ka shpenzuar rreth 36.8 milionë lekë, ndërsa PS rreth 34.1 milionë lekë.
Pas nuk mbetet edhe forca e tretë, LSI. Sipas të dhënave të monitorimit kjo forcë ka shpenzuar rreth 11.8 milionë lekë për 2 spotet publicitare dhe 175 shfaqjet reklamuese. Koha totale e transmetimit u llogarit në 3.37 minuta.
Ekranet ku shfaqen
Monitorimi ka bërë një pasqyrim edhe sa i përket shfaqjes së spoteve elektorale në televizionet kombëtare dhe lokale të vendit.
Partia Demokratike ka më shumë numër shfaqjesh ( 175) te ABC news. Tri stacione televizive ( Klan. News 24 dhe Ora news) kanë pasur të njëjtin numër shfaqjesh ( 107). Televizioni Publik Shqiptar duket se preferohet më pak për reklamim nga kjo forcë politike. Sa i përket vlerës së shpenzuar ajo është më e lartë për Klan-in ( rreth 11.3 milionë lekë) dhe Vizion Plus ( rreth 8.7 milionë). Top Channel ka arritur të grumbullojë për shfaqjet publicitare rreth 4.6 milionë lekë.
Edhe Partia Socialiste ka zgjedhur të jetë më prezent me shfaqje reklamuese te stacioni ABC News ( 168), disi më pak te Klan-i ( 102), ndërsa Top Channel llogarit 75 numër shfaqjesh.
Sa i përket vlerave të shpenzuara nga PS për reklamat e transmetuara ajo është më lartë
te Klan Tv ( rreth 9.3 milionë lekë), vijon me Top Channel me rreth 9.3 milionë dhe Vizion Plus me rreth 5.6 milionë lekë.
Edhe LSI ka zgjedhur të shfaqet më shumë te ABC News ( 54 ), e më pas te A1 Report ( 34) dhe Klan Tv ( 32). Ky i fundit ka arritur të thithë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve rreth 4.9 milionë lekë.
Koncertet dhe takimet elektorale
Ky monitorim mundohet të hedhë dritë edhe për aktivitetet e drejtpërdrejta me elektoratin, duke bërë një rezyme të shfaqjeve me koncerte dhe takime. Natyrisht partia në pushtet në këtë rast ka përparësi, pasi ka realizuar 44 koncerte, por më pak takime ( 15) dhe shumë inaugurime (33). PS është treguar më “dorështrënguar” me koncertet, pasi ka realizuar 27, por është më e hapur ndaj takimeve ( 41). Ndërsa LSI ka realizuar 6 koncerte dhe 11 takime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.