Nuk mund të mohohet as fakti, që ulja e taksave, e nisur që përpara 2008-s, shërbeu si një amortizator i krizës që mbërtheu ekonominë shqiptare pas këtij viti, me bizneset që shfrytëzuan avantazhet e tatimit të ulur të fitimit, shkallës së reduktuar të sigurimeve shoqërore dhe administrimit më të lehtë të taksës së sheshtë.
Në vitet e para të reduktimit të taksave, (deri nga fundi i vitit 2010), ulja e nivelit të tyre u arrit që të administrohet nga kahu tjetër me një mirëmenaxhim të mbledhjes së të ardhurave, të cilat u rritën në vlerë absolute me 16% në 2008-n, apo me gati 9% në 2010-n. Por, më pas, teksa efektet e krizës u bënë më të ndjeshme dhe ritmet e rritjes së ekonomisë vendase u ngadalësuan, të ardhurat në buxhet pothuajse kanë qëndruar në vendnumëro për 2011-2012 dhe e njëjta tendencë (me një rritje fare të lehtë) duket dhe në muajt e parë të këtij viti.
Përballë këtij rendimenti të ulët buxhetor, ka shpërthyer një garë e ethshme në prag zgjedhor për uljen e taksave, nga të dy partitë kryesore në vend, saqë duket se ai është kthyer tashmë në një qëllim në vetvete, pa llogaritur më pasojat apo rrugët se si do të zëvendësohen të ardhurat që do t’i fluturojnë buxhetit si rrjedhojë e kësaj politike.
Problemi në vetvete nuk qëndron tek ulja e taksave, pasi një mjedis i ulët taksor i jep frymëmarrje biznesit dhe çliron ekonominë. Çështja shtrohet se sa të menduara janë strategjitë e vendosjes së taksave në përgjithësi. Ndryshimi i një niveli taksor mund të bëhet kollaj, me një të rënë të lapsit, por si do të kompensohen këto të ardhura të munguara, sidomos kur dihet që Shqipëria ka rendimentin më të ulët buxhetor në rajon, ku të ardhurat zënë rreth 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), apo gati 10 pikë përqindjeje më pak se mesatarja e rajonit.
Nëse reduktimi i nivelit taksor do të sjellë një ulje automatike të të ardhurave, atëherë gjëja e parë që duhet të thuhet nga propozuesit është se si do të përballohen shpenzimet. A do të ulen edhe këto, gjë që nuk i duhet ekonomisë tashmë të ngadalësuar dhe të uritur për stimuj, apo do të rritet borxhi publik, që tashmë është i lartë teksa ka kaluar kufirin psikologjik prej 60% të PBB-së, duke ngjallur shqetësimin e institucioneve ndërkombëtar si FMN dhe Banka Botërore. Dhe nëse një krizë e borxheve do të përshkallëzohet (gjë që rrezikohet të ndodhë, nëse ritmet e rritjes ekonomike në vend nuk përshpejtohen) do të jenë më të varfrit ata që do të paguajnë kostot, njësoj si në Greqi, Spanjë apo kudo gjetkë, teksa masat e rrepta të ndërmarra nga këto vende po çojnë në rritjen e papunësisë, shkurtime drastike të shpenzimeve, apo dhe shtim të barrës taksore.
Nga ana tjetër, këto projekte për ulje taksash nuk po shohim që të shoqërohen me plane se cilët sektorë do të favorizojnë. Në fakt janë disa sektorë të rëndësishëm në ekonomi, sidomos porsa i përket punësimit, që prej vitesh po kërkojnë stimuj fiskalë, por nuk po arrijnë t’i marrin ato, p.sh., fasoni, që punon me material porositësi për eksport. Nëse një lehtësim i tyre do të nxiste eksportet dhe rrjedhimisht të ardhurat e industrisë, atëherë kjo do të kompensonte në buxhet efektin negativ që vjen nga ulja e taksave (heqja e tatimit për pagat deri në 30 mijë lekë ka qenë e vetmja ndihmë për ta deri tani).
Në fakt, ajo që po ndodh është e kundërta: këtu përmendim taksën për makinat e përdorura, për të cilët u premtua së fundmi përgjysmimi, një lehtësim që jo vetëm nxit importet, por ka dhe pasoja negative në mjedis, duke shtuar ndotjen, ndërkohë që favorizohet një treg, që edhe tani është pothuajse tërësisht informal.
Së fundmi, Shqipëria ka nisur rrugën e saj të pakthyeshme drejt Europës, e cila ka një sistem të elaboruar taksash dhe minimumi që duhet të bëjmë, është të shohim se çfarë mund të bëjmë duke u krahasuar me ta…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.