Stili më shumë se thelbi i ndan dy kandidatët kryesorë nga kryesimi i Fed
Për pak javë pritet që Barack Obama të emërojë një pasues të Ben Bernanke, mandati i të cilit si kryetar i Rezervës Federale përfundon në janar.
Dy kandidatët kryesorë janë Larry Summers, këshilltari kryesor ekonomik i Obama-s nga viti 2008-2010, dhe Janet Yellen, aktualisht zëvendëskryetare e Fed-it. Mbështetësit e të dyve kanë theksuar me gëzim diferencat e tyre, por ngjashmëritë janë më të goditura. Të dy janë ekonomistë akademikë shumë të respektuar, të cilët e kanë kaluar pjesën e parë të karrierës, duke kuptuar politikën makroekonomike, dhe pjesën e fundit duke e zbatuar atë në administratat demokratike.
Mbikëqyrësi i zonjës Yellen në Yale ishte James Tobin, një fitues i ardhshëm i çmimit “Nobel”. Kërkimi i saj fillestar ishte në zhvillimin ndërkombëtar, por ajo la “vulën” e saj duke studiuar tregjet e punës. Teoria e “pagës efikase”, zhvilluar me bashkëshortin e saj dhe laureatin e ardhshëm të çmimit “Nobel”, George Akerlof, supozon se punëtorët të cilët mendonin se ishin të keqpaguar, ishin më pak produktivë. Duke ditur këtë, punëdhënësit do t’i paguajnë ata më shumë se paga bazë e tregut, që do të rriste papunësinë.
Z. dhe znj. Yellen Akerlof gjithashtu treguan se si firmat dhe individët mund të refuzojnë në mënyrë racionale që të rregullojnë çmimet ose pagat në përgjigje të një shoku monetar dhe se sjellja kolektive do të prodhonte recesione. Duke bazuar teorinë makroekonomike Keynesiane në parimet mikroekonomike, ndihmoi në ndërtimin e paradigmës “së re Keynesiane”, në bazë të së cilës e percepton ende botën shumica e bankave qendrore.
Ajo ka punuar në Fed si ekonomiste në fund të viteve 1970, pastaj u kthye si guvernatore gjatë viteve 1994-1997, kur argumentoi si për normat më të larta ashtu dhe ato më të ulëta të interesit teksa pikëpamjet e saj mbi rreziqet e inflacionit evoluuan. Ajo u kthye sërish në Fed, si presidente e bankës në San Francisko në vitin 2004, para se të rritej në pozitë nga zoti Obama për t’u bërë zëvendëskryetare e Fed në vitin 2010. Znj. Yellen ka pak përvojë në tregjet financiare dhe krizat, edhe pse kohët e fundit ajo e ka përfshirë veten në mbikëqyrjen e stabilitetit financiar. Ndonjëherë ajo ka mbrojtur publikisht një politikë më të paqtë se z. Bernanke. Në të dy fjalimet e vitit të kaluar, ajo ka përdorur teorinë bashkëkohore monetare për të justifikuar mbajtjen e normave të interesit pranë zeros më gjatë se sa parashikonte Fed-i asokohe, edhe pse kjo do të rriste inflacionin.
Ashtu si zonja Yellen, zoti Summers e ka kaluar jetën e tij të “zhytur” në ekonominë akademike. Të dy prindërit e tij ishin ekonomistë, si edhe dy xhaxhallarët, Paul Samuelson dhe Kenneth Arrow, që u bënë laureatë të çmimit “Nobel”. Kërkimi i tij i hershëm ishte pjellor, duke zgjeruar financat publike, tregjet e kapitalit, ciklet e biznesit dhe tregun e punës. Disa nga kontributet e tij më të mëdha përputhen me ato të znj. Yellen. Në një artikull të vitit 1991, ai argumentoi se një inflacion i “zbutur” ishte më i mirë se zero, sepse ai i bënte të mundshme normat reale negative të interesit dhe lehtësonte reduktimin e pagës reale.
Znj. Yellen do të argumentonte në të njëjtën mënyrë pesë vjet më vonë brenda Fed dhe kjo është arsyeja se pse sot, Fed synon një inflacion prej 2%. Zoti Summers gjithashtu ndihmoi të demonstrojë se si politika makroekonomike, duke zbutur krizat financiare dhe depresionet, mund të rriste përgjithmonë prodhimin. Kjo siguron justifikim teorik për mandatin e dyfishtë të Fed-it të çmimeve të qëndrueshme dhe punësimit maksimal.
Lehtësim sasior apo jo, kjo është çështja
Zoti Summers nuk ka qenë kurrë një bankier qendror dhe ka qenë shumë larg debateve mbi lehtësimin sasior (ose QE, blerja e obligacioneve me paratë e reja) dhe “udhëzimet për të ardhmen” (p.sh., angazhimi për të mbajtur normat e interesit në zero deri sa të përmbushen kritere të ndryshme). Megjithatë, ai ka treguar fleksibilitet të mjaftueshëm. Në vitet 1990, ai ishte në favor të “masave të ashpra stimuluese” – që nxisnin rritjen, duke shkurtuar deficitet buxhetore dhe në këtë mënyrë, normat e interesit. Tani ai e kundërshton atë, sepse normat e interesit nuk mund të ulen shumë.
Mbështetja e tij për politikën e lehtë fiskale sugjeron se ai do të dëshirojë të njëjtën gjë për politikën monetare. Në një konferencë këtë pranverë, ai vuri në dukje se QE kishte nxitur kërkesën më pak “se sa ishte menduar”. A do të thotë kjo se ai është skeptik ndaj QE, ose se për të arritur një rezultat të caktuar, ai mund të rekomandojë diçka më shumë?
Ndërkohë që idetë ekonomike të zotit Summers janë afërsisht të njëjta me ato të znj. Yellen, personaliteti i tij vështirë se mund të jetë shumë më i ndryshëm. Ai i sulmon argumentet e kundërshtarëve të tij me dëshirë të madhe. Ai frymëzon besnikëri të thellë te kolegët – shumë prej të cilëve tani po këshillojnë z. Obama për emërimin e Fed – dhe pakënaqësi nga njerëzit me të cilët është përballur. Në vitin 2006, ai dha dorëheqjen si president i Universitetit të Harvardit pas “përleshjeve” me fakultetin dhe vërejtjeve aspak të ndjeshme rreth grave, edhe pse “psikologjia” e tij si sekretar i Thesarit dhe këshilltar i Shtëpisë së Bardhë ishte e lirë nga këto lloj “imazhesh”.
Z. Obama duket të favorizojë zotin Summers, të cilin ai e njeh shumë më mirë se zonja Yellen. Cilado qoftë zgjedhja e tij, ka të ngjarë të përballet me një seancë dëgjimore konfirmimi të ashpër të Senatit. Disa demokratë liberalë mendojnë se favorizimi i zotit Summers për “derregullimin” financiar në vitet 1990, sot për Fed është i gabuar. Ky në fakt do të bënte që ai t’i hynte në zemër republikanëve, të cilët ka të ngjarë të jenë vigjilentë ndaj llojit të orientimit politik të paqtë të znj. Yellen.