Kompanitë kanë reduktuar buxhetet e marketingut në 2013-n, por janë treguar dhe me ekonomiqare në shpenzimet e tyre. Televizionet rezistuan, të ndihmuara nga zgjedhjet e përgjithshme në mes të vitit. Kriza prek printin dhe outdoor, teksa bizneset po orientohen drejt komunikimit përmes web, duke bërë që interneti të jetë kategoria e vetme që po njeh lulëzim. Sa qarkulloi në vitin 2013 tregu i publicitetit në Shqipëri dhe tendenca në 2014-n
Nga Ornela Liperi
Çdo kompani do të tundohej të reduktonte shpenzimet e marketingut në kohë krize, madje shpesh ato janë të parat që preken nga shkurtimet. Një vendim jo i lehtë për t’u marrë, mes dilemës për të tërhequr konsumatorët që kanë reduktuar blerjet dhe për t’u diferencuar në një treg që sa vjen e bëhet më konkurrues e kërkues, apo për të kursyer disa para më shumë.
Në vitin e vështirë 2013, që shënoi rritjen më të ulët ekonomike, me vetëm 0.44%, reklamuesit kryesorë, në pjesën më të madhe të tyre kanë zgjedhur të shkurtojnë buxhetet, sipas të dhënave që “Monitor” disponon nga analizimi i bilanceve të tyre, të udhëhequra nga bankat dhe telekomunikacionet.
Televizionet kanë arritur t’i shpëtojnë rënies, duke raportuar rritje të të ardhurave të tyre në bilancet e 2013-s, për dy arsye. Së pari, në një vit zgjedhor, ata kanë marrë të ardhura nga spotet publicitare të fushatave të partive politike. Së dyti, reklamuesit, në përpjekje për të kapur sa më shumë audiencë, kanë tentuar të shkurtojnë buxhetet për mediat e tjera të shtypura. Këto të fundit kanë parë një frenim të të ardhurave nga publiciteti, sipas sondazheve që “Monitor” ka zhvilluar me mediat kryesore.
Tregu i reklamave, sa qarkullon në një vit
Një sipërmarrje e vështirë ajo e matjes së tregut të publicitetit në Shqipëri. Megjithatë, “Monitor” ka bërë një vlerësim të këtij tregu, duke u nisur nga tregues direkt të matur nga tre drejtime:
-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre.
-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.
-monitorimet në bazë të numrit të spoteve të transmetuara në mediat televizive dhe reklamave në shtypin e shkruar, në bazë të të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media.
-Në bazë të metodologjisë së mësipërme, nisur nga të ardhurat e deklaruara në bilanc nga televizionet kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e televizioneve në vitin 2013 ishin rreth 29-30 milionë euro, me një rritje prej 21% me bazë vjetore (shiko tabelën Të ardhurat e disa televizioneve kryesore). Sipas aktorëve të medias televizive, arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë pozitive lidhet pikërisht me zgjedhjet e përgjithshme në mes të vitit dhe shpenzimeve të partive politike për spote publicitare. Aktorët e tregut pohojnë se llogaritja në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilancet e televizioneve është përgjithësisht e saktë, për shkak të shkallës së ulët të informalitetit.
-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.5-3 milionë euro në vitin 2013, e llogaritur në bazë të monitorimeve të Idra Media.
-Tregu i outdoor vlerësohet në rreth 4-4.2 milionë euro, i llogaritur në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga kompanitë kryesore që veprojnë në këtë kategori.
-Reklamat në faqet kryesore të internetit në vend vlerësohen në rritje, ndonëse mbeten ende të ulëta, në 0.7-1 milion euro, sipas të dhënave nga të ardhurat e portaleve kryesore në vend.
-Radio vlerësohet të tërheqë 0.8-1.1 milionë euro në vit, sipas të ardhurave të deklaruara nga radiot më të mëdha në vend.
Në total, për vitin 2013, tregu vlerësohet në rreth 37-39 milionë euro në vit, ku peshën kryesore e mbajnë televizionet.
Rreth 40% e kësaj shume vlerësohet që të kalojë përmes agjencive publicitare, duke iu referuar qarkullimit vjetor të deklaruar të këtyre të fundit.
Kompanitë e telekomunikacioneve (katër operatorët celularë plus Albtelecom) mbeten reklamuesit më të mëdhenj në vend, me një buxhet total për shpenzime publiciteti prej rreth 20 milionë eurosh në vitin 2013, sipas të dhënave të nxjerra nga bilancet e tyre.
2014-a, në rënie
Aktorët e tregut pohojnë se ndryshe nga 2013-a, kur zgjedhjet e përgjithshme i dhanë një impuls tregut, sidomos kategorisë së televizioneve, 2014-a ka qenë më i vështirë, teksa kompanitë kryesore në vend kanë vijuar të reduktojnë buxhetet e tyre të marketingut.
Tregu në total vlerësohet të zbresë në rreth 32-34 milionë euro në 2014-n. Te televizionet, rënia ka prekur më shumë të voglat, ndërsa të mëdhatë kanë vijuar të tërheqin reklamues. Rritjen më të madhe të spoteve për gjashtë muajt e parë të këtij viti e ka shënuar TV Klan, që ka arritur të fitojë audiencë me telenovelat turke, ndërsa Top Channel po i reziston kësaj “mode”, në përpjekje të një pozicionimi ndryshe.
Ndonëse numri i spoteve rezulton të jetë rritur në gjashtë muajt e parë të këtij viti, të ardhurat për televizionet nuk janë rritur me të njëjtin ritëm, sipas aktorëve të tregut, teksa menaxherët e televizioneve kanë “lëshuar pe” duke ofruar më shumë spote për të njëjtën shumë të paguar. Kjo indirekt ka çuar në rënie të tarifave të reklamimit, ndonëse zyrtarisht ato nuk kanë shënuar ndryshime dy-tre vitet e fundit.
Edhe zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm nuk pritet t’i japin ndonjë hov të ndjeshëm tregut, pasi shpenzimet e partive përgjithësisht janë më të ulëta se në të përgjithshmet dhe përqendrohen më shumë në nivel lokal.
Televizionet rezistuan, rritën të ardhurat në 2013-n
I pari në audiencë, i pari dhe në të ardhura, Top Channel rezulton televizioni më i madh në vend. Gjatë vitit 2013, ai deklaroi të ardhura prej 1.76 miliardë lekësh, me një rritje të ndjeshme prej 24% me bazë vjetore. Televizioni iu rikthye fitimeve (në 122 milionë lekë), pas humbjeve të raportuara në 2012-n. Në sajë të investimit në programe dhe çmimeve më të shtrenjta për publicitet se konkurrentët, Top Channel ka arritur të tërheqë 40% të buxhetit, që bizneset shpenzojnë për të reklamuar në televizione.
Televizioni i dytë më i madh në vend nga të ardhurat është TV Klan, me një qarkullim vjetor prej 940 milionë lekësh, me një rritje prej 19% me bazë vjetore, sipas bilancit të dorëzuar te Tatimet.
I treti është Vizion Plus, që i është gëzuar dhe ai një rritje të ndjeshme të të ardhurave, me 28%, në rreth 440 milionë lekë.
Në televizionet e segmentuara në transmetimin 24 orë të lajmeve, më i madhi nga të ardhurat është Ora News, me qarkullim vjetor prej 206 milionë lekësh dhe rritje 22.5%, i ndjekur nga Focus Media News (News 24, Balkan Web, Radio Rash) me të ardhura prej 178 milionë lekësh (zgjerim 26%) .
Edhe televizionet e tjera më të vogla kanë shënuar rritje, ku kryeson A1 Report, që ka trefishuar qarkullimin vjetor në 58 milionë lekë.
Të dhënat e raportuara nga Idra Media flasin për rritje me 7% të numrit të spoteve të transmetuara (Sasia në numër e transmetimeve të reklamës të ekuivalentuara me kohëzgjatje 30 sekonda) në tetë televizionet kryesore në 2013-n, ku është TV Klan ai që kryeson (ndonëse është i dyti në të ardhura, për shkak të çmimeve më të ulëta që ofron në raport me konkurrentin kryesor). Numri i spoteve të transmetuara është rritur në të gjitha televizionet, me përjashtim të TVSH-së.
Sektorët më të mëdhenj reklamues, sipas numrit të spoteve, janë telekomunikacionet, ndonëse ato i kanë ulur lehtë transmetimet në 2013-n, të ndjekura nga televizionet (kryesisht reklamat e DigitAlb), kujdesi shëndetësor, që i ka dyfishuar spotet në 2013-n, të ndjekura nga edukimi, pijet freskuese, ushqimet etj, sipas grafikut të mëposhtëm.
Për numër spotesh, e para, sipas të dhënave të IDRA Media, renditet Top Shop, reklamat për produktet e së cilës mund t’i gjesh në çdo orë të ditës në pjesën më të madhe të televizioneve. Megjithatë Studio Moderna (Marka “Top Shop”) ka një buxhet modest në raport me reklamuesit e tjerë, ajo arrin të përfitojë kohë më të madhe televizive, për shkak se zgjedh oraret e paradites apo drekës, kur tarifat e kohës publicitare janë të ulëta.
Tre kompanitë celulare, Vodafone, Eagle Mobile, AMC renditen më pas për numër spotesh, të ndjekura nga DigitAlb. Ky i fundit kishte një buxhet për reklama prej 152 milionë lekësh në 2013-n.
Sipas raporteve të auditimit të subjekteve politike për shpenzimet gjatë fushatës zgjedhore 2013, publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka deklaruar shpenzimet për Reklama televizive, në shumën 143.4 milionë lekë, duke përbërë 76.59% të shpenzimeve total. Nga kjo shumë, rreth 106.4 milionë lekë rezulton e papaguar.
Shpenzimet për materiale publicitare dhe materiale të tjera të Partisë Socialiste arrijnë në 12.4 milionë lekë, duke zënë 6.64% të totalit të shpenzimeve gjithsej. Në këtë grup shpenzimesh janë deklaruar ato për flamuj dhe materiale të tjera nga Kina për fushatën, duke përfshirë edhe doganën dhe komisionet në shumën 11.8 milionë lekë dhe shpenzime të tjera materiale në shumën 583,443 lekë.
Partia Demokratike ka deklaruar shpenzime për hapësira publicitare në shumën e 23.3 milionë lekëve, ndërsa për shërbime të tjera (banderola, fletëpalosje, adeziv, banerë etj.) ka shpenzuar rreth 16 milionë lekë.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpenzuar për spote rreth 38.9 milionë lekë, apo rreth 82% të shpenzimeve totale dhe 5.2 milionë lekë për materiale të tjera publicitare.
Shtypi i shkruar
Në bazë të monitorimeve të Idra Media, të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.5-3 milionë euro në vitin 2013 . Krahasimi me një vit më parë nuk është i mundur, për shkak se Idra Media ka filluar vetëm në 2013-n monitorimin e shtypit të shkruar.
Por, përfaqësues të gazetave kryesore, të kontaktuar nga “Monitor”, pohojnë se prej disa vitesh, ata kanë qenë “preja” kryesore e buxheteve të shkurtuara të kompanive private, duke mbetur kryesisht në “dorën” e njoftimeve qeveritare. Rreth 30-40% e të ardhurave të medias së shkruar vijnë tani nga reklamat, pjesa tjetër sigurohet nga shitjet.
Ndonëse nga të dhënat e Idra Media rezulton se Gazeta Shqip ka tërhequr më shumë te reklamat (e matur nga sipërfaqja e reklamuar dhe tarifat zyrtare), në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, Panorama Sport, si dhe disa publikime të tjera) me një qarkullim vjetor prej 255 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej 12.5% me bazë vjetore (të ardhurat si nga reklama, ashtu dhe shitja e gazetave apo revistave). Një pjesë e rritjes së të ardhurave ka ardhur nga shtrenjtimi i çmimit të Gazetës Panorama në qershor të vitit 2012, nga 20 në 30 lekë. Edhe Panorama Sport, më e madhja në segmentin e gazetave sportive në vend, mban një peshë të rëndësishme në të ardhurat e grupit, sipas të dhënave nga kompania. Për gazetën Panorama, në vitin 2013, rreth 70% e të ardhurave erdhën nga shitjet dhe vetëm 305 nga reklamat, sipas burimeve nga kjo media.
Grupi i dytë më i madh është Unipress (Gazeta Shekulli, Sport Ekspres etj.), që ka pothuajse dyfishuar të ardhurat në 2013-n, në 112 milionë lekë. Edhe Gazeta Shekulli rriti çmimin në qershor të 2012-s, nga 20 në 30 lekë.
Gazeta Shqip ka parë një rënie të të ardhurave në 2013-n me rreth 6.3% në rreth 68 milionë lekë.
Gazeta Shqiptare (Focus Press) ka rritur të ardhurat me rreth 18%, duke arritur në nivelin e Gazetës Shqip në rreth 68 milionë lekë.
Gazetat në përgjithësi deklarojnë marzhe të ulëta fitimi. Për vitin 2013, më fitimprurësja rezulton Shqip, me një normë fitimi pas taksave prej 5%, sipas bilancit të saj, e ndjekur nga Grupi Panorama me një marzh prej 2.5%; Gazeta Shqiptare me një normë minimale prej 0.25% dhe Unipress ka rezultuar me një humbje prej 3.8 milionë lekësh.
Radiot në vështirësi
Kategoria e radios po ndien më shumë shkurtimet e buxheteve të reklamave në vend, sidomos radiot e vogla, sipas aktorëve të tregut. Mungesa e programeve është një tjetër faktor që po ndikon në këtë ecuri negative.
Radio më e madhe në vend, Top Albania, gjithsesi ia ka dalë të rrisë të ardhurat në vitin 2013 me 23% në 65.3 milionë lekë.
Radio e dytë më e madhe në vend (sipas të ardhurave nga reklama) Club FM, në vitin 2013, ka parë një rënie të qarkullimit vjetor me 20% në 35 milionë lekë.
Interneti, konkurrenti i fortë i medias së shkruar
Me lajmin që hidhet brenda pak sekondash pasi ka ndodhur, portalet po konkurrojnë ndjeshëm shtypin e shkruar, duke vënë në vështirësi kolegët e tyre të të njëjtit grup, që duhet të mendojnë përtej njoftimit të thjeshtë për gazetën që del të nesërmen.
Rritja e penetrimit të internetit vitet e fundit, sidomos te të rinjtë, ka bërë që reklamuesit të synojnë të kapin atë treg të synuar të grupmoshës relativisht të re, që dhe më parë nuk ishte lexuese e rregullt e shtypit të shkruar.
Interneti nuk po i merr shtypit të shkuar vetëm lexuesit, por edhe reklamat.
Vilma Mesareja, drejtoreshë e marketingut të Focus Media News, që menaxhon dhe portalin më të madh të lajmeve në vend, Balkan Web, pohon se vitin e fundit, ata kanë parë rritje prej 30% të të ardhurave nga reklamat, pavarësisht çmimeve të larta. Sipas saj, reklamuesit e gjejnë me interes të shpenzojnë në këtë lloj media, sepse arrijnë që të monitorojnë direkt tregun e synuar.
Burime nga Top Channel pohojnë se numri i klikimeve në ditë është rritur vitin e fundit me 30%. Vetëm gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi, numri i klikimeve në faqe arriti në 320 mijë dhe në Facebook 1 milion.
Tregu i reklamave në kategorinë e internetit në vend vlerësohet të ketë arritur në rreth 1 milion euro, me një rritje disa herë në raport me pak vjet më parë, ndonëse ai sërish vlerësohet shumë i ulët në raport me tregjet e tjera të zhvilluara. Më i madhi mbetet Balkan Web, që ka arkëtuar rreth 36 milionë lekë të ardhura nga reklamuesit në 2013-n, sipas të dhënave të bilancit të konsoliduar të Focus Media News.
Sipas të dhënave nga Alexa.com, faqja shqiptare më e klikuar në internet është Balkan Web, e ndjekur nga Top Channel, Shekulli.com.al, Ikub.al, Albeu.com, Shqiptarja.com, Panorama.com.al, Gazetatema.net etj.
Përdorimi i internetit dhe Facebook, në rritje
Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat dhe ITU (International Telecommunication Union) në Shqipëri, përdorimi i internetit arriti në 60.1% në vitin 2013. Rezulton se 1.8 milionë shqiptarë kanë përdorur internetin vitin e kaluar, më shumë se gjysma e popullsisë në vend. Ndërsa numri i përdoruesve të Facebook është pothuajse 1.1 milionë. Për përdorimin e internetit, Shqipëria renditet pas Kosovës, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, duke ia kaluar Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Rumanisë.
Në Ballkan, nivelin më të lartë të përdorimit të internetit e ka Kosova, me 76.6%, e ndjekur nga Kroacia me 70.9%, ndërsa Facebook në Kroaci e përdorën 1.6 milionë persona.
Në Bosnjë-Hercegovinë, penetrimi i internetit arriti 67.9% (1.3 milionë përdorues Facebook); në Maqedoni 62.2% (962,000, në Facebook).
Në Serbi, penetrimi i internetit ishte 57%; në Mal të Zi 56.8%, në Bullgari 53.2% dhe në Rumani 49.8%.
Listën në Europë e kryesojnë Islanda, me penetrim interneti 96.5%; Norvegjia me 95%.
Kompanitë e mëdha tkurrin buxhetet e reklamave
Kompanitë kryesore reklamuese në vend, Vodafone dhe AMC kanë ulur buxhetet e reklamave në vitin 2013, sipas zërit shpenzime për reklamë e publicitet deklaruar në bilancet e tyre përkatëse.
Vodafone ka deklaruar shpenzime për reklama dhe publicitet për vitin 2013 në shumën e rreth 780 milionë lekëve, një ulje me 15% në raport me një vit më parë.
Për AMC, shpenzimet e deklaruara të reklamave ishin rreth 1.2 miliardë lekë, me një tkurrje prej 6.4% me bazë vjetore.
Të dy këta operatorë rezultojnë me ulje të numrit të spoteve televizive në 2013-n, sipas të dhënave të Idra Media (shiko grafikun 20 reklamuesit më të mëdhenj për numër spotesh). Albtelecom dhe Eagle, në buxhetin e parë të tyre të konsoliduar, kanë deklaruar shpenzime për publicitet prej rreth 740 milionë lekësh, ndërsa spotet e transmetuar nga kompania janë rritur ndjeshëm në 2013-n (shiko sërish grafikun).
Në total, kompanitë celulare mbeten shpenzuesit më të mëdhenj në tregun e publicitetit në vend, me një pjesë të konsiderueshme të tyre, që u shkon televizioneve (shiko grafikun: Sektorët më të mëdhenj reklamues, sipas numrit të spoteve).
Në vitin 2013, ka hyrë në treg një reklamues i madh, Lotaria Kombëtare, që kishte një buxhet total publiciteti prej 324.5 milionë lekësh.
Bankat kanë deklaruar në bilancet e tyre shpenzime marketingu prej rreth 9.5 milionë eurosh, me një rënie prej 3.1% në raport me 2012-n (shiko tabelën: Buxhetet e marketingut të bankave). Një pjesë e vogël, rreth 15% i shkon televizioneve, sipas aktorëve të tregut, por dhe të dhënave të numrit të spoteve nga Idra Media. Pjesa më e madhe shkon për shpenzime të tjera (outdoor, shërbime të tjera marketingu).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Sa me poshte do te duhej perdoruar nga gazetaret per te kyer investigime te metejshme te nje prej kompanive kryesore qe ben reklama. 1. Albtelecom kryen veprimtarine e vet me ane te kompanive kontraktore, pra me burime te jashtme(outsourcing). Pervec stafit manaxherial dhe supervizor ne HQ(drejtoria e pergjithshme), sektori i rrjetit celular, sektori i rrjetit kabllor fiks, sektori i sherbim shitjeve etj, ka secili me nga nje kompani nenkontraktore. psh. ZTE, Huawei Albania, Makhes Albania etj. 2. Pas shkurtimeve qe ka bere kompania Albtelecom ne cdo qytet, punen e stafit te shkurtuar e ben firma kontraktore. Keto firma punonjne per… Read more »