Përparimet e mëdha në mjekësi kanë çuar në një rritje të konsiderueshme të jetëgjatësisë mesatare, me vaksinat që vlerësohen si një nga ndërhyrjet më të suksesshme deri më tani, shkruan Visual Capitalist, që jep dhe një info grafikë për afatet kohore dhe rezultatet e vaksinave në periudha të rëndësishme historike.
Në fakt, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se vaksinat kanë parandaluar 10 milion vdekje vetëm midis 2010 dhe 2015. Por ndërsa disa vaksina u krijuan dhe u shpërndanë në pak më shumë se katër muaj, për të tjera është dashur mbi 40 vjet për t’i zhvilluar. Dhe sërish pandemitë e mëparshme kanë kaluar pa asnjë vaksinë.
Teksa vaksinat e aprovuara COVID-19 kanë filluar të shpërndahen në të gjithë globin, procesi i zhvillimit të vaksinave po shqyrtohet nga ekspertët (dhe jo-ekspertët) në të gjithë botën.
Në grafikun e Visual Capitalist zbulohet se sa kohë është dashur historikisht për të sjellë një vaksinë në treg gjatë pandemive që datojnë nga vitet 1900 dhe çfarë përfshin procesi.
Vaksinat Pandemike të së kaluarës
Megjithëse mund të bëhet supozimi se krijimi i një vaksine për sëmundjet infektive është bërë më efikas që nga vitet 1900, deklarata nuk është plotësisht e saktë.
U deshën afërsisht 25 vjet për të zhvilluar një vaksinë për Gripin Spanjoll që vrau midis 40-50 milion njerëz. Në mënyrë të ngjashme, vetëm vitin e kaluar, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi vaksinën e parë Ebola – një përpjekje që zgjati 43 vjet nga zbulimi i virusit.
Por ndërsa shkencëtarët dhe ekspertët mjekësorë kanë bërë përparim në ndalimin e pandemive të mëdha, disa nga shpërthimet pandemike më të këqija në histori ende nuk janë kuruar.
Më poshtë jepen kornizat kohore për zhvillimin e vaksinave për çdo pandemi që nga fundi i shekullit të 20-të:
Emri i pandemisë | Vdekjet e shkaktuara | Periudha e zhvillimit të vaksinës | Kohëzgjatja | Shënime |
Gripi Spanjoll | 40-50 Milionë | 1917-1942 | 25 vjet | Shumë vaksina u përdorën gjatë kësaj pandemie por ishin të pasuksesshme. Kërkuesit nuk zbuluan që gripi nuk shkaktohej nga bakteret, por nga virusi, deri në vitet 1930 |
H2N2 gripi aziatik | 1.1 Milionë | Shkurt 1957-Qershor 1957 | <5 muaj | Vaksinat e zhvilluara në vitet 1940 kontribuan në zhvillimin e shpejtë të vaksinës së gripit të 1957 |
H3N2 gripi i Hong Kong | 1 Milionë | Korrik 1968-Nëntor 1968 | <5 muaj | SHBA-të filluan të rekomandonin vaksinimin vjetor të gripit për individët rreth kësaj periudhe |
SARS | 774 (vijon) | 2003-vijon | 17 vjet (vijon) | Nuk ka ende vaksinë, por teknologjitë e reja janë zhvilluar, duke lejuar eksperimentet me AND dhe ARN |
Ebola | 11,300 | 1976-2019 | 43 vjet | U zhvillua nga Merck dhe miratuara nga autoritetet rregullatore në Europë e SHBA në fund 2019-s, megjithëse ishte zhvilluar prej dekadash |
AIDS | 25-35 Milionë (vijon) | 1981-vijon | 39 vjet (vijon) | Mutacioni i shpejtë dhe lëvizja e antitrupave e bëjnë të vështirë vaksinën |
H1N1 gripi i derrit | 151,700 – 575,400 | Prill 2009-Shtator 2009 | 6 muaj | Shpërndarja u vonua |
MERS | 858 (vijon) | 2012-vijon | 8 vjet (vijon) | Me origjinë nga Lindja e Mesme, virusi kaloi nga devetë te njeriu. Mgjse ka një normë vdekshmërie prej 35%, nuk është licencuar ende asnjë vaksinë |
Coronavirus | 1.64 Milionë (vijon) | Dhjetor 2019-Nëntor 2020 | 11 muaj | Dy vaksina janë miratuar, 15 janë në fazën 3 |
Kur bëhet fjalë për zhvillimin e shpejtë të një vaksine kundër COVID-19, financimi ka luajtur një rol jetësor. Teksa numri i rasteve u rrit dhe po rritet me një shpejtësi alarmante, kërkesa dhe urgjenca për një vaksinë ishin të larta. Në SH.B.A., qeveria pagoi Pfizer dhe BioNTech gati 2 miliard dollarë për 100 milion doza të një vaksine të sigurt për COVID-19. Ky nivel i mbështetjes nga qeveritë në të gjithë botën do të thotë që gjigandët farmaceutikë kanë më pak pasiguri financiare, në krahasim me vaksinat e tjera.
Edhe pse përpjekja globale për shpërndarjen e vaksinave COVID-19 tani ka filluar, shumë ekspertë janë të shqetësuar se ritmi i miratimit mund të rrezikojë sigurinë afatgjatë – por ka hapa rigorozë që një vaksinë duhet të kalojë së pari para se të miratohet.
Rruga e vaksinës
Mesatarisht, duhen 10 vjet për të prodhuar një vaksinë. Sipas CDC (qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve), ka gjashtë faza të përfshira në proces nga fillimi në fund:
- Faza eksploruese: Kjo fazë zakonisht përbëhet nga kërkime themelore laboratorike që mund të zgjasin diku nga 2 deri në 4 vjet.
- Faza para-klinike: Kjo fazë përdor sistemin e kulturës së indeve ose qelizave dhe testimin e kafshëve për t’i dhënë studiuesve një ide se si njerëzit mund të reagojnë ndaj një vaksine të mundshme.
- Zhvillimi klinik: Brenda fazës së zhvillimit klinik, ekzistojnë tre faza. Faza 1 shqyrton përgjigjen e një grupi të vogël njerëzish ndaj një vaksine kandidate. Faza 2 përfshin dhënien e vaksinës kandidate për një grup më të madh njerëzish për të studiuar sigurinë, imunogjenitetin, dozat e propozuara, skedulimin e imunizimeve dhe mënyrën e dorëzimit. Në Fazën 3, vaksina u jepet mijëra njerëzve për të provuar më tej për efikasitetin dhe sigurinë.
- Rishikimi dhe miratimi nga autoritetet rregullatore: Autoritetet Rregullatore Kombëtare janë përgjegjëse për miratimin e vaksinave në vende të ndryshme. Për shembull, Qendra për Vlerësimin dhe Kërkimin e materialeve Biologjikëve të Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA rregullon të gjitha vaksinat e SH.B.A.-së.
- Prodhimi: Në mënyrë tipike, mund të duhen diku nga 6 deri në 36 muaj për të prodhuar, paketuar dhe shpërndarë një vaksinë me cilësi të lartë.
- Kontrolli i cilësisë: Kampionë të ndryshëm të një vaksine testohen vazhdimisht nga autoritete të ndryshme në botë për të siguruar garancinë e saj të vazhdueshme.
Pavarësisht nga këto afate të gjata, vaksinat COVID-19 dhe kandidatët pasues kanë përmbysur procesin konvencional për shkak të teknologjisë së tyre jokonvencionale.
Teknologjitë Inovative që Nxisin Kurën e COVID
Edhe pse nuk ka vaksina të miratuara për koronavirusët e tjerë të tillë si MERS dhe SARS, hulumtimet e mëparshme në këto sëmundje kanë ndihmuar në identifikimin e zgjidhjeve të mundshme për COVID-19 duke përdorur teknologjinë e sekuencës gjenetike të ARN-së (mARN).
Teknologjia udhëzon trupat tanë të prodhojnë një pjesë të vogël të virusit COVID-19 të quajtur proteinë spike (zinxhiri linear i aminoacideve). Kjo e nxit sistemin imunitar të prodhojë antitrupa për të luftuar kundër tij dhe përgatit trupin për një infeksion aktual COVID-19.
Shpresat
Përdorimi i një vaksine të sigurt dhe efektive mund të ketë potencialin të shpëtojë miliona jetë dhe të parandalojë infeksionin për shumë më tepër.
Megjithëse disa ekspertë kanë kritikuar shpejtësinë e aprovimeve të kandidatëve për vaksina, cilësia do të monitorohet nga afër në bazë grupesh.
Me krizën COVID-19 që nuk tregon shenja ngadalësimi, shumica prej nesh vazhdon të jetojë me shpresën se drita është në fund të tunelit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.