Furnizuesi i pjesëve të automjeteve me seli në Kanada, “Magna International” ka hapur një fabrikë në Maqedoninë e Veriut.
Fabrika, me sipërfaqe 17,000 metra katrorë në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike (ZTIZ) në Strugë, në pjesën jugperëndimore të vendit, ka 300 të punësuar, me synim rritjen e numrit të punonjësve në mbi 1,000 deri në vitin 2024.
Gara rajonale ka qenë e ashpër ndër vite mes vendeve të Ballkanit, por kryesisht mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh investimin e fundit të “Magna International”, “Monitor” u interesua i dërgoi një email kompanisë mbi arsyet e përzgjedhjes së Maqedonisë së Veriut për këtë investim.
Rej Husetoviq, Drejtor i Komunikimit të Korporatës dhe Marrëdhënieve me Median në Europë, “Magna International” me zyra qendrore në Gjermani, tha se procesi i përzgjedhjes së vendit është një procedurë shumë komplekse që duhet të marrë parasysh nevojat e klientëve, prodhues makinash me fabrika të ndryshme ku marrin pjesët, dhe për rrjedhojë, edhe fabrikat e “Magna” duhet të jetë në disa zona afër tyre.
“Arsyet kryesore në zgjedhjen e Maqedonisë së Veriut janë infrastruktura, çmimet e shërbimeve (energji, ujë gaz), disponueshmëria dhe cilësia e fuqisë punëtore, shkalla e taksave, politikat fiskale, si dhe mbështetja qeveritare”, tha z. Husetoviq.
Kompania nuk komentoi nëse e kishte marrë ndonjëherë parasysh Shqipërinë si një vend potencial për të investuar, edhe pse këtu ka një fraksion të industrisë automotive, e cila konsiston më shumë në fasoneri të thjeshtë pa ndonjë vlerë të madhe të shtuar.
Fabrika e re do të prodhojë sisteme pasqyrash
Impianti i ri në Strugë është objekti i parë prodhues i “Magna”-s në Maqedoninë e Veriut dhe do të mbështesë disa prodhues europianë të automjeteve, tha kompania kanadeze.
Fabrika do të prodhojë sisteme të pasqyrave të jashtme, duke përfshirë aktivizues dhe lidhjet me tel, për disa prodhues automobilistikë europianë.
Nuk u bënë të ditura detajet financiare të investimit të kompanisë në Maqedoninë e Veriut. Në korrik 2021, kur qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi hapjen e planifikuar të fabrikës, tha se investimi do të jetë 35 milionë euro (33.4 milionë dollarë).
“Magna International” është një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë të pjesëve të automobilave. Ajo ka 161,000 punonjës dhe qendra shitjesh në 28 vende, sipas të dhënave më të fundit në faqen e internetit të kompanisë.
Gara rajonale, Shqipëria rend pas ndërtimit, fqinjët pas industrisë
Pak vite më parë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin në “konkurrencë” se cili do të tërhiqte më shumë investime të huaja. Maqedonia e Veriut nisi një fushatë agresive, nëpërmjet lehtësive fiskale dhe krijimit të zonave të lira, duke reklamuar dhe dalje në det, përmes Portit të Durrësit.
Shumë kompani të industrisë mbështetëse automotive, që shfaqën interes për rajonin, zgjodhën në atë kohë Maqedoninë e Veriut, edhe për shkak të procedurave më të ulëta burokratike dhe nxitësve fiskalë.
Në fund të vitit 2015, kompania amerikane “Johnson Control”, që prodhon katalizatorë makinash, njoftoi për hapjen e një fabrike të dytë, pas suksesit të asaj në Stip. “Johnson Control” shfaqi interes dhe për Shqipërinë, por deri tani, investime konkrete ka pasur vetëm në Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2021, kjo kompani (JONSON METI DOOEL Skopje) ishte sipërmarrja më e madhe në Maqedoninë e Veriut, me 2 miliardë euro të ardhura dhe mbi 2 mijë të punësuar.
Qarkullimi vjetor i saj është gati 4 herë më i lartë sesa ai i ndërmarrjes më të madhe në Shqipëri, që është Operatori Shtetëror i Shpërndarjes së Energjisë dhe gati 7 herë më i madh se “Kurum International”, që është sipërmarrja kryesore prodhues në vendin tonë.
Në vitin 2012, kompania shfaqi interes për t’u zgjeruar dhe në Shqipëri, por Maqedonia e Veriut arriti t’i tërhiqte dhe për ndërtimin e fabrikës së dytë.
Industria është sektori më pak i zhvilluar në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Pesha e saj në vlerën e shtuar bruto ishte 14% në fund të vitit 2021, duke lënë pas Malin e Zi, me 12%. Rekordin në rajon e mban Serbia me 23%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut, pesha është 19%.
Ky model reflektohet dhe në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha, ku në Shqipëri dominon tregtia, ndërsa në dy shtetet e tjera janë sipërmarrje të mëdha në fushën e prodhimit. P.sh., në Maqedoninë e Veriut, kompania më e madhe qarkullon 2 miliardë euro në vit, në fushën e prodhimit të katalizatorëve për automjetet.
Në kontrast, në Shqipëri, në industrinë mbështetëse automotive që po zhvillohet vitet e fundit, kompania më e madhe ka të ardhura prej më pak se 40 milionë eurosh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.