Programi i MIGA-s për Përgjigjen ndaj COVID-19, me vlerë 6.5 miliardë dollarë, synon të ndihmojë investitorët dhe huadhënësit në përballimin e pandemisë COVID-19 dhe të mbështesë një rimëkëmbje ekonomike të gjelbër, fleksibël dhe gjithëpërfshirëse në vendet në zhvillim.
MIGA, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, ka lëshuar pesë garanci me vlerë 682.5 milionë euro (800 milionë USD) për Bankën Austriake Raiffeisen Bank International AG (RBI) për një periudhë 3 vjeçare. Këto garanci sigurojnë mbulimin e rezervave të detyrueshme të mbajtura nga filialet e RBI-së në bankat qendrore respektive në Shqipëri, Bjellorusi, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi.
Garancitë janë pjesë e Programit për Përgjigjen ndaj COVID-19 të MIGA-s, i cili synon zbutjen e ndikimeve negative në ekonomi si rezultat i krizës.
Instrumenti i MIGA-s për optimizimin e kapitalit do të ofrojë lehtësira në kapital për një institucion të rëndësishëm huadhënës në rajonin e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ) me qëllim mbështetjen e operacioneve të vazhdueshme në pesë filiale të tij në një kohë stresi të rëndë ekonomik dhe pasigurish për shkak të pandemisë. Garancitë e MIGA-s zvogëlojnë normën e ekspozimeve të ponderuara me rrezikun që aplikohet për rezervat e detyrueshme të filialeve të RBI-së, duke çliruar kapital për huadhënie. Në periudhë afatshkurtër, këto garanci do të ndihmojnë RBI-në në kapërcimin e krizës së tanishme të COVID-19, forcimin e qëndrueshmërisë dhe furnizimin në mënyrë të vazhdueshme me kredi të ekonomive të vendeve pritëse. Në planin afatgjatë, garancitë e MIGA-s pritet të hedhin themelet për rritjen e kreditimit për të mbështetur si aktivitetin ekonomik ashtu edhe punësimin në vendet pritëse.
“Ky angazhim, i cili është vazhdimësi e marrëdhënies së gjatë të MIGA-s me RBI-në, do të ndihmojë filialet e RBI-së të përmirësojnë huadhënien e tyre në mbështetje të financimit të veprimeve ndaj ndryshimeve klimatike përmes forcimit të sistemeve të brendshme për kontrollin, gjurmimin dhe monitorimin e operacioneve të ardhshme financiare ndaj ndryshimeve klimatike,” u shpreh Hiroshi Matano, Nënpresident Ekzekutiv i MIGA-s. “Ky projekt do të ndikojë gjithashtu në forcimin e biznesit të vogël, mbështetjen e punësimit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë së gjelbër në periudhën post-pandemike në ato vende që janë jetike për rajonin e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.”
Çka është më e rëndësishme, deri në 15% e kapitalit të çliruar nga garancitë e MIGA-s do të alokohen nga filialet e RBI për financimin e veprimeve ndaj ndryshimeve klimatike dhe huadhënien e gjelbër. Ky projekt shënon një progres domethënës në marrëdhëniet e MIGA-s me RBI-në përmes futjes së objektivave për financimin e veprimeve ndaj ndryshimeve klimatike për secilin filial, të kombinuara me masa shtesë për të ndihmuar RBI-në të përshpejtojë planet e saj për zhvillimin e një kuadri të integruar të financimit të veprimeve ndaj ndryshimeve klimatike për të gjitha filialet e saj gjatë gjithë periudhës së garancisë . Ky angazhim pritet të hedhë bazat për financimin e mëtejshëm të veprimeve ndaj ndryshimeve klimatike nga filialet në të ardhmen. Një pjesë shtesë e garancive synon rritjen e kreditimit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Përafërsisht 10% e mbulimit total të MIGA-s për RBI do t’i ofrohet Kosovës, një nga vendet që janë pjesë e IDA-s dhe FCS-s.
“Pa mbështetjen e MIGA-s, RBI do të përballej me kosto të rritura rregullatore në një kohë presioni të vazhdueshëm për shkak të pandemisë”, tha Michael Hoellerer, Drejtor i Përgjithshëm i Financave (CFO) i RBI-së. “Garancitë e MIGA-s pritet të çlirojnë afërsisht gjysëm miliardë euro të cilat do të shfrytëzohen nga filialet tona për huadhënie. Si grupi i parë bankar Austriak që është Nënshkrues i Parimeve të OKB-së për Bankingun e Përgjegjshëm, ne jemi veçanërisht të kënaqur me mbështetjen që kemi dhënë për veprimet ndaj ndryshimeve klimatike dhe ekonominë e gjelbër në rajon.”
Marrëdhënia e MIGA-s me RBI-në daton që prej vitit 2003, deri tek marrëveshja e fundit e sigurimit të optimizimit të kapitalit kundër riskut politik të nxjerrë në vitin 2015 në mbështetje të operacioneve të saj në pesë filiale të rajonit të EQLJ-së, marrëveshje e cila u rinovua më pas në vitin 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.