Bizneset kanë përdorur vetëm 9.3 miliardë lekë nga fondet e garancisë sovrane të akorduara nga qeveria shqiptare për përballimin e krizës së krijuar nga Covid-19. Shifrat janë veçanërisht zhgënjyese sidomos për skemën e dytë, të miratuar në mesin e muajit maj dhe që synonte garantimin e kredive për financimin e rimëkëmbjes së aktivitetit tregtar.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se, deri në fund të muajit shtator, nga skema e dytë e garancisë sovrane me vlerë 15 miliardë lekë ishin përdorur vetëm 2.9 miliardë lekë. Ndërsa nga skema e parë e garancisë, që kishte si objekt mbulimin e shpenzimeve për pagat e punonjësve, bizneset kanë shfrytëzuar rreth 6.4 miliardë lekë nga fondi total prej 11 miliardë lekësh. Në total, nga 26 miliardë lekë që ishte vlera e fondeve të garancisë për mbështetjen e sektorit privat, janë shfrytëzuar në total vetëm afërsisht 9.3 miliardë lekë, ose rreth 36% e totalit.
Përveçse në vlera modeste, skemat e garancisë sovrane të ofruara nga qeveria shqiptare u provuan jo shumë funksionale dhe jo efikase për bizneset. Garancia e parë, që iu ofronte bizneseve të merrnin borxh për të paguar punonjësit e ngelur në shtëpi nga mbyllja e detyruar e biznesit, ngjalli habi dhe skepticizëm, deri në momentin kur qeveria vendosi që sa paku të merrte përsipër vetë normën e interesit.
Skema e dytë rezultoi edhe më pak e suksesshme, sepse qeveria mori përsipër të garantonte vetëm 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta merrte përsipër vetë banka kredituese. Këtyre iu shtuan edhe disa paqartësi fillestare lidhur me mënyrën sesi do të ndaheshin të ardhurat nga kolateralet apo garancitë, në rast se kredia dështonte.
Duke qenë se duhet të merrnin vetë përsipër një pjesë të rrezikut, bankat u treguan përgjithësisht konservatore në analizat e tyre, çka e bëri të vështirë përfitimin për bizneset nga linja e garancisë në fjalë.
Një faktor tjetër që dekurajoi ndjeshëm shfrytëzimin e kësaj skeme ishte tavani i normës së interesit prej 5%. Për bizneset një interes i tillë nuk ishte veçanërisht lehtësues apo atraktiv, sepse qëndronte pranë interesave të kredisë të ofruara nga tregu me kushte normale. Por, as disa prej bankave nuk ishin shumë të bindura lidhur me këtë tavan, duke pasur parasysh se kohëzgjatja e kredive parashikohej deri në pesë vjet, çka do t’i ekspozonte ato kundrejt humbjeve në rast të rritjes së normave të interesit në të ardhmen.
Vlera e paketave të garancisë sovrane të miratuara nga qeveria shqiptare përllogaritet në rreth 1.6% të PBB-së dhe ishte ndjeshëm më e ulët se mesatarja e rajonit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveritë kanë prezantuar paketa të garancisë sovrane mesatarisht sa rreth 2% të PBB-së, ku Serbia dhe Mali i Zi janë vendet që e kanë raportin mbi këtë mesatare, përkatësisht rreth 4.4% dhe 2.7%. Gjithashtu, në një krahasim më të gjerë me vendet e tjera në Europë vihet re se vende të cilat e kanë pasur si instrument dhe kanë eksperiencë të saj e kanë përdorur atë më intensivisht. Kryesisht në vendet e zhvilluara të BE-së, fondet e vëna në dispozicion nga qeveria për garanci sovrane arritën në rreth 12% e PBB-së, ndërsa për vendet e tjera të BE-së si Polonia ky raport është rreth 8.5%./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.