Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar për shkak të mosheqjes së masave kufizuese kundër pandemisë. Gastronomët thonë se masat aktuale për veprimtarinë e bizneseve duhet të lehtësohen. Lehtësim të masave kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave
Pas rënies së numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja pozitive me COVID-19 në Kosovë, kanë filluar kërkesat për lirimin e masave që janë në fuqi për parandalimin e përhapjes së virusit.
Lirimin e masave e kanë kërkuar së pari kryetarët e komunave, të cilët kanë propozuar së paku lehtësim të masave për qytetarët e vaksinuar.
Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe Shoqata e Gastronomëve, të cilët kanë thënë se janë bërë dy javë që nga hyrja në fuqi e masave të reja anti-COVID, por kërkesat e tyre ndaj institucioneve po hasin në “vesh të shurdhër”.
Shoqata e Gastronomëve ka kërkuar lehtësimin e masave anti-COVID, duke përfshirë këtu rritjen e orarit të funksionimit, rritjen e kapaciteteve të brendshme dhe heqjen e orës policore.
“I kemi ofruar Ministrisë së Shëndetësisë argumente të mjaftueshme që nuk kanë kuptim të mbahen kufizimet në fuqi përderisa jemi duke operuar me kujdes sa u përket klientëve që po i frekuentojnë lokalet tona. Masat duhet të lehtësohen, gjendja epidemiologjike është stabile, procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, gjithsesi duke vazhduar me kontroll ndaj klientëve tanë. Rrjedhimisht, orari i funksionimit të bizneseve duhet të bëhet në pajtim me rregulloret komunale për orarin e punës së bizneseve, shfrytëzimi i kapaciteteve të brendshme duhet të rritet, ora policore duhet të hiqet! Ejani të ulemi bashkë dhe të gjejmë zgjidhjen e duhur, me kujdes për shëndetin publik dhe atë ekonomik!”.
Sipas tyre, këto masa po vlejnë përsëri vetëm për kufizimin e veprimtarive të bizneseve.
“Ka kaluar më shumë se një muaj që kërkesat tona po bien në vesh të shurdhër nga Ministria e Shëndetësisë. Fatkeqësisht masat e fundit përsëri po vlejnë vetëm për kufizimin e veprimtarive të bizneseve, ndërsa partitë politike përsëri po e bëjnë të njëjtën gjë, duke organizuar fushata që janë në kundërshtim me këto masa”, thuhet më tutje në reagim.
Për më tepër, gastronomët mendojnë se masat aktuale nuk kanë efekt në uljen e rasteve të reja me koronavirus.
Kjo shoqatë i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për një takim të përbashkët në të cilin do të arrihej një zgjidhje e përshtatshme për masat aktuale.
Aktualisht, në Kosovë janë 1 mijë e 95 raste aktive me COVID-19, ndërsa deri më tani janë administruar 1.456.845 doza të vaksinave kundër COVID-19.
27 shtatori është data kur për herë të fundit kanë hyrë në fuqi masat e ndryshuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas këtyre masave, për të hyrë në hapësirat e mbyllura duhet të jesh i vaksinuar derisa qarkullimi i qytetarëve është i kufizuar nga ora 22:00 e mëngjesit deri në orën 05:00.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.