Gastronomët e Kosovës po kërkojnë pako të veçantë për ndihmë ekonomike nga Qeveria e Kosovës për këtë sektorë, duke paralajmëruar aksion para institucioneve.
Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi duke folur rreth masave të reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës, tha se nga këto më së shumti ndikohet sektori i gastronomisë dhe se kërkesë kryesore e tyre është të ofrohen të paktën 10 milionë euro.
“U mblodhëm sot për të diskutuar masat e reja kufizuese dhe si gjithmonë, sektori i gastronomisë po është më i ndikuar. Ne kemi rënë dakord që të kërkojmë pako të veçantë për sektorin e gastronomisë ku ia kam dërguar një letër kryeministrit Hoti ku kam kërkuar që bizneset që po ballafaqohen me kufizime me u përkrah siç janë përkrah më herët”.
Ndërsa, Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve, tha se kërkojnë nga Ministria e Financave që të formojnë Komitetin për Ekonomi.
“Shoqata e Gastronomeve kërkon nga ministrja ta formoj Komitetin për Ekonomi, duhet të na ndihmojnë ne kohë krize, ne jemi rënduar me këto masa. Të gjithë personelin qe e largojmë, do ja dërgojmë Ministrisë se Financave”, tha Kllokoqi.
Kosova nga dita e djeshme ka miratuar masat e reja për mbrojtjen nga COVID-19.
Ndër masat e reja është orari i punës për sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare. Këto nuk mund të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Po ashtu, qytetarët mbi 65 vjeç do të kenë orar të caktuar të qarkullimit. Miratimi i masave të reja vjen pasi Kosova ditëve të fundit ka regjistruar numër të madh të rasteve të reja me koronavirus.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.