7 arsye pse ai ka të drejtë…
Për shumë kompani, rekrutimi i talenteve në dhjetë vitet e ardhshme do të jetë i ndërlikuar. Ndërkohë që përbërja demografike e fuqisë punëtore do të vazhdojë të ndryshojë dhe teknologjia përparon me shpejtësi, kompanitë tradicionale “brick-and-mortar” do të kenë vështirësi në punësimin dhe mbajtjen e njerëzve më të zotë.
Bill Gates e kuptoi këtë gjë vite më parë, kur na dha një mendim të mençur që sot pranohet nga të gjithë: “Konkurrenca për të punësuar më të mirët [talentet] do të intensifikohet vitet e ardhshme. Kompanitë që do t’u ofrojnë më shumë fleksibilitet punonjësve, do të kenë avantazhe në këtë fushë”.
“Gig economy”, mundësia për të punuar nga shtëpia, javët e punës më të shkurtra. Kemi hyrë në një epokë në të cilën punonjësit presin më shumë fleksibilitet. Por, edhe pse fleksibiliteti është rritur në mënyrë të konsiderueshme, pjesa më e madhe e kompanive sot nuk është në gjendje t’u përshtatet kërkesave të punonjësve të rinj në lidhje me stilin e jetës, ose nuk është e gatshme ta bëjë. Për pasojë, ato po humbin njerëzit më të aftë, të cilët shkojnë drejt kompanive që ofrojnë më tepër mundësi, si për shembull mundësinë për të punuar nga shtëpia.
Përse duhet t’u ofroni orare më fleksibël punonjësve tuaj
Sipas Global Workplace Analytics, 90% e punonjësve amerikanë do të donte të punonte nga shtëpia për një pjesë të kohës; pjesa më e madhe do të donin ta bënin këtë gjë 2 ose 3 ditë në javë, për të ruajtur ekuilibrin e duhur mes “punës të mbështetur te përqendrimi (në shtëpi) dhe punës të mbështetur te bashkëpunimi (në zyrë)”.
Në bazë të një studimi të fundit të Flexjobs, 84% e millennials dëshiron një ekuilibër më të madh mes jetës personale dhe asaj profesionale dhe 54% dëshiron orar fleksibël dhe antikonvencional.
Një tjetër studim i Qualtrics, një shoqëri që zhvillon software për kryerjen e sondazheve gjeti se 76% e millennials do të pranonte të fitonte më pak për të punuar në një kompani që ofron orar pune fleksibël.
Cilat janë disa nga arsyet që kompanitë duhet t’u ofrojnë punonjësve mundësinë për të zgjedhur flextime?
1.Jetëgjatësia
Sipas Deloitte Global Millennial Survey 2019, ka të ngjarë që një millennial të qëndrojë në të njëjtën kompani për më shumë se pesë vjet nëse ajo ofron fleksibilitet, në lidhje me vendin se ku duhet të punojë dhe orarin.
2.Kënaqësia në punë
Në një studim të fundit të Staples, një përqindje e lartë punonjësish, rreth 90%, pohoi se rregullat më fleksibël të punës do të përmirësonin moralin dhe do të rrisnin kënaqësinë në punë, e cila është një element thelbësor për rekrutimin dhe mbajtjen e punonjësve.
3.Kompanitë që zgjedhin këtë sistem, kursejnë
Ekuacioni është i thjeshtë: një punonjës më i shëndetshëm është një punonjës më i përkushtuar dhe më produktiv. Produktiviteti i humbur për shkak të problemeve shëndetësore u kushton kompanive amerikane thuajse 226 miliardë dollarë në vit. Ndër të tjera, kompanitë do të kursenin në shpenzimet e sigurimeve shëndetësore nëse punonjësit e tyre janë më të shëndetshëm.
4.Mbajtja e punonjësve
Kompanitë që nuk kanë politika të mbështetura në fleksibilitetin në punë po humbin njerëzit më të aftë. Në bazë të studimit të Staples, të cilin e përmendëm më sipër, 67% e punonjësve do të merrte në konsideratë ndryshimin e punës nëse rregullat bëhen shumë të ngurta.
5.Punësimi i punonjësve më të mirë
Puna fleksibël përmirëson edhe treguesit që lidhen rekrutimin. Një sondazh i kryer nga Zenefits në vitin 2018, tregoi se 77% e punonjësve e cilësonin fleksibilitetin në punë ndër përfitimet që merrnin më shumë në konsideratë në fazën e vlerësimit të mundësive të punës.
6.Më shumë produktivitet për punonjësit
Njerëzit që ushtrojnë një kontroll të caktuar gjatë orarit të punës janë më produktivë. Ron Friedman, psikolog dhe autor i The Best Place to Work: The Art and Science of Creating an Extraordinary Workplace, tha në një intervistë: “Studime gjatë viteve të tëra tregojnë se njerëzit janë më të lumtur, më të shëndetshëm dhe më produktivë kur janë autonomë”. Friedman shpjegoi që pavarësia është një nevojë themelore psikologjike. “Sa më shumë autonomë të ndihemi, më shumë të përfshirë do të jemi”.
7.E ardhmja është këtu
Krahasuar me pesë vjet më parë, 40% më shumë kompani ofrojnë sot punë fleksibël, ndërkohë kërkesa për të punuar nga shtëpia me orare të tilla po rritet në një ritëm të paprecedentë. Sipërmarrjet që nuk hipin në këtë tren me vrap do të kuptojnë se do të jenë në dizavantazh, pasi brezat e rinj do të kërkojnë punë gjithnjë e më shumë fleksibël..
*Marcel Schwantes
Burimi: Business Insider