Banka e Shqipërisë ka tashmë gati studimin e fizibilitetit që krijon Byronë e Kredisë, e cila, në ndryshim nga Regjistri i Kredive që administron aktualisht Banka e Shqipërisë, parashikohet të mbledhë informacion jo vetëm mbi ekspozimin e kredimarrësve në sistemin bankar e financiar, por dhe mbi ekspozimet e tyre kundrejt institucioneve jofinanciare (të tilla si: Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike; Ujësjellës Kanalizime; Telekomunikacion; etj.)
Burimet zyrtare në Bankën e Shqipërisë thanë se krijimi i një Byroje Kredie në Shqipëri është rezultat i një marrëveshjeje që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka nënshkruar me Qeverinë Shqiptare në mbështetje të klimës së investimeve dhe të qeverisjes së mirë.
Midis prioriteteve të renditura, Memorandumi i Mirëkuptimit përcakton ofrimin e asistencës nga BERZH-i, për krijimin dhe vënien në funksionim të një Byroje Kredie në Shqipëri.
Krijimi i Byrosë së Kredisë, do të adresojë dhe mungesën e një Sistemi Pikëzimi (Credit Scoring) në Shqipëri, si një vlerë e shtuar ndaj sistemit bankar e financiar, për të krijuar një profil më të plotë rreziku për kredimarrësit.
Sistemi i Pikëzimit ndër të tjera parashikohet si masë që duhet të ndërmerret, për reduktimin e kredive me probleme në Shqipëri, mbështetur në Planin ndërinstitucional të masave të hartuar për këtë qëllim.
Për realizimin e këtij projekti, BERZH-i nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me një Grup Konsulentësh të kontraktuar prej saj, me qëllim realizimin e një studimi fizibiliteti për krijimin e Credit Bureau’s në Shqipëri. Projekti do të përqendrohej në trajtimin e çështjeve si:
- Studimi i praktikave më të mira ndërkombëtare;
- Modele të ndryshme të aplikueshme për krijimin dhe funksionimin e një Byroje Kredie, (të tilla si: a) Brenda Bankës Qendrore; b) Institucion i pavarur jashtë Bankës Qendrore; apo c) ekzistenca e Regjistrit të Kredive pranë Bankës Qendrore dhe ekzistenca e një Byroje të Kredive të pavarur);
- Analizën e tregut dhe palëve të interesit;
- Analizë të mjedisit ligjor dhe rregullativ;
- Vlerësimin e kapaciteteve teknike; •
Në qendër të këtij projekti, një vend të rëndësishëm përbënte Regjistri aktual i Kredive si për zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të tij, ashtu edhe duke e konsideruar si kontribuesin kryesor në Byronë e Kredisë. Roli i Bankës së Shqipërisë në këtë projekt ka pasur një peshë të veçantë. Drafti paraprak i projektit të fizibilitetit si dhe rekomandimet mbi modelin e aplikueshëm për krijimin e Byrosë së Kredisë, janë përcjellë pranë Bankës së Shqipërisë dhe tek grupet e interesit.
Aktualisht pritet të shprehet qëndrimi përfundimtar nga të gjitha grupet e interesit, nëse favorizojnë qasjen e propozuar dhe nëse janë të gatshme të angazhohen në përputhje me këtë projekt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.