Qeveriase po sheh mundësitë për të dalë në treg për një Eurobond të katërt. Në një procedurë të hapur së fundmi Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kërkuar një konsulent që do të shohë nga afër edhe mundësitë dhe do të ofrojë informacionin e nevojshëm. “Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kërkon të prokurojë shërbimin e një firme ligjore të specializuar në dhënien e konsulencës ligjore për emetimin e Eurobond-it të katërt, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë, që të shërbejë si konsulent ligjor në lidhje me emetimin e këtij Eurobondi” thuhet në dokument.
I njëjti nënvizon se qëllimi është sigurimi i një shërbimi sa më të mirë në dobi të interesave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës së emetimit të një Eurobondi me metodën RegS/144A, në mënyrë të tillë që në asnjë moment këto interesa të mos cënohen, si rezultat i këtij transaksioni.
Në specifikimet teknike qeveria nënvizon se konsulenti duhet të ofrojë rishikim te çështjeve ligjore dhe rregullatore me fokus asistencë në strukturimin e ofertës për emetimin e një bondi në shumë tregje, i cili synon të tërheqë investitorë të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë apo apo diku tjetër. Po kështu asistencë në ndikimin që mund të kenë rregulloret ndërkombëtare për emetimin e letrave me vlerë në përgjithësi në këtë emetim, si edhe ndikimi që ka Ligji Amerikan dhe Europian në veçanti.
Së treti çështje të tjera ligjore që kanë të bëjnë me ofertën, siç janë detyrimet fiskale që lidhen me ofertën. Dhe në finale çështjet ligjore dhe praktike të tregut lidhur me ofertat e bondeve qeveritare, duke përfshirë qëllimin e informacionit të kërkuar në prospektus, emetimin dhe procedurën e shlyerjes, heqjen dorë nga imunitetet sovrane, zgjedhjen e ligjit të zbatueshëm dhe klauzolave të veprimit kolektiv.
Po kështu do të ofrojë asistencë gjatë procesit të Due Diligence, përcaktimi i afateve kohore, përgatitja e dokumentacionit të ofertave.
Eurobondet që ka emetuar Shqipëria
Shqipëria ka dalë deri më tani tre herë në tregjet e kapitalit. Për herë të fundit ajo emetoi vitin e shkuar një eurobond me vlerë 500 milionë euro me normë interesi prej 3.55% dhe afat maturimi 7-vjeçar. Më herët në vitin 2010, kur Shqipëria shënoi daljen e saj të parë në tregjet e kapitalit për të marrë një Eurobond me vlerë 300 milionë euro, ku arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe një afat maturimi 5-vjeçar. Sigurisht ky është një interes i lartë nëse e shohim në raport me sot, por për të qenë realistë duhet të sjellim në vëmendje që në atë kohë, Shqipëria testoi veten për herë të parë në këto ujëra, ndërkohë që situata e përgjithshme nuk ishte e favorshme. Jemi pothuajse në vitet kur kriza ekonomike ishte ende evidente dhe tregjet e kapitalit ishin ndikuar në mënyrë direkte.
Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015 për 300 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75% me 5 vjet maturim. Sigurisht dalja e dytë është përkthyer në një interes më të ulët. Dhe së fundmi, dalja në 2018 mban interesin më të ulët historik të arritur nga Shqipëria në tregjet e kapitalit. Në raport me veten jemi përmirësuar por në raport me fqinjët Shqipëria siguroi më shtrenjtë borxhin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.